LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . 13 tetori, ja si dështoi Meta të mbante zgjedhje dhe të shpëtonte LSI, PD “hodhi në erë” gjithë strategjinë e presidentit

13 tetori, ja si dështoi Meta të mbante zgjedhje dhe të shpëtonte LSI, PD “hodhi në erë” gjithë strategjinë e presidentit

Plani i Presidentit Ilir Meta për të mbajtur zgjedhje në 13 tetor mund të quhet zyrtarisht i dështuar. Në bazë të dekretit të nxjerrë nga kreu i shtetit pak kohë më parë, sot qytetarët shqiptarë duhet të votonin, por realisht nuk pati asnjë iniciativë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Përveç, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Republikane dhe Partisë Agrare Ambientaliste, të cilat u solidarizuan me Metën, duke njohur dekretin e tij, asnjë nga partitë e tjera politike, përfshi këtu Partinë Demokratike nuk e njohën atë, duke e lënë kështu në baltë presidentin në betejën e tij të ashpër me mazhorancën qeverisëse.

Megjithatë, kreu i shtetit insistoi fort që palët t’i bindeshin dekretit të tij, ndërkohë që nisi edhe sulmet dhe presionet mbi këdo që e kundërshtonte atë. Meta në gati çdo dalje të tij publike shigjetonte kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se në 30 qershor zhvilluan zgjedhje ilegjitime dhe se për të ato nuk ishin gjë tjetër veçse disa votime moniste, sikundër bënte dikur ish-diktatori Enver Hoxha. Madje, për të legjitimuar veprimet e tij, kreu i shtetit teksa ishte duke dëshmuar përpara komisionit hetimor që po hetonte shkeljet e tij, zbuloi se e anuloi 30 qershorin, pasi dispononte një informacion sekret se gjatë protestë se opozitës do të digjej Kuvendi i Shqipërisë. Kështu që, i ndodhur përpara kësaj situate, Presidenti theksoi para komisionit se anuloi zgjedhjet dhe nxori një dekret të ri, për të evituar gjakderdhjen që pritej të përfshihej Shqipëria, sipas tij. Megjithatë, të gjitha këto pretendime të kreut të shtetit, nuk e zmbrapsën vendosmërinë e mazhorancës qeverisëse për ta shkarkuar atë nga detyra. Kjo e fundit përveçse ngriti një komision hetimor, kërkoi edhe opinion nga Komisioni i Venecias nëse Meta kishte kompetencë për të anuluar zgjedhjet apo jo. Venecia foli, duke e shkruar e bardhë në të zezë se Meta tejkaloi kompetencën.

Meta dështoi të shpëtonte LSI

Por duke parë që Presidenti Ilir Meta ishte pozicionuar i vetëm në luftë përballë mazhorancës, në krah të tij u rreshtua Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo e fundit mobilizoi të gjitha strukturat dhe në çdo dalje publike bëri thirrje për njohjen e 13 tetorit, ndërsa artikulonin akuza të ashpra në adresë të qeverisë. Megjithatë, thirrjes së presidentit Meta që zgjedhjet të mbaheshin më 13 tetor iu përgjigjën vetëm tre parti të opozitës. LSI, PR dhe PAA paraqitën zyrtarisht kërkesën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zbatuar dekretin e firmosur nga presidenti Ilir Meta për të mbajtur zgjedhjet më 13 tetor. Menjëherë, kryetari i KQZ, Klement Zguri nisur nga paraqitja e kësaj letre thirri mbledhjen për të realizuar regjistrimin, por katër anëtarët e majtë në këtë institucion refuzuan që të merrnin pjesë, duke u shprehur se janë me pushime. Kështu që, mbledhja e 3 gushtit dështoi për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm. Por, të gjitha këto manovra të ndërmarra nga Meta, nuk kishin të bënin aspak me pretendimet e Ilir Metës se evitoi gjakderdhjen. Të gjitha ngjarjet treguan se në thelb, Meta nxori dekretin e ri për të shpëtuar Lëvizjen Socialiste për Integrim nga gremina. Djegia e mandateve dhe humbja e bashkive të administruara prej LSI, e dëmtuan shumë partinë e Kryemadhit, duke bërë që Meta, të rreshtohej krah saj. Mirëpo, përpjekjet e tij rezultuan të dështuara, pasi 13 tetori ra, ndërsa LSI është në ditën e saj më të zezë.

PD “hodhi në erë” strategjinë e presidentit

Por përveç mazhorancës, strategjinë e presidentit Ilir Meta për të mbajtur zgjedhjet në 13 tetor e hodhi në erë edhe Partia Demokratike. Kryedemokrati Lulzim Basha në çdo dalje publike deklaronte se e njeh 13 tetorin, por nuk tërhiqej nga kushtet e tij, sikundër ishte zgjedhje të parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër. Madje, të njëjtin qëndrim si Basha kanë mbajtur edhe zyrtarët demokratë, të cilët kanë theksuar se PD nuk tërhiqet nga kushtet. I ndodhur përpara kësaj situate, Meta e drejtoi artilerinë e tij nga kryedemokrati Lulzim Basha, të cilit i dërgonte mesazhe të koduara, duke i kërkuar që të mbështeste atë dhe t’i bindej dekretit të tij. Por pavarësisht këtyre sulmeve, Basha nuk u tërhoq, duke hedhur kështu në “erë” gjithë strategjinë e presidentit Meta, sa i takon 13 tetorit, i cili sot zyrtarisht ka rënë.

Rigels Seliman

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Horoskopi ditor, e diel 13 tetor 2019

Close