LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Ja pse i duhet Shqipërisë “One billion project”

Ja pse i duhet Shqipërisë “One billion project”

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Financave Arben Ahmetaj njohën komunitetin e biznesit, bankat si edhe qytetarët shqiptarë me projektin “ 1 miliard dollarë” (One billion project) nëpërmjet Partneritetit Publik Privat. Projekt i cili do zgjasë tre vjet.

Kujtojmë, mes të tjerash, se në bazë të këtij projekti tre janë sektorët kryesorë ku do të investohet, siç është infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia. Në investimin infrastrukturor vënd primar zë ndërtimi i rrugës së “Arbërit”.

Për të diskutuar më thellësisht mbi këtë projekt, ishte i pranishëm në studion e televizionit “News 24” shefi i kabinetit në Ministrinë e Financave, z. Etjen Xhafaj i cili argumentoi se përse ky program është tejet i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Si fillim z. Xhafaj theksoi se ky plan i qeverisë është i gjithi në funksion të publikut , synon të sjellë rritje dhe përmirësim të shërbimeve si edhe impakt në një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Po ashtu Xhafaj  tha në terma makro se programi “1 miliard dollar” nuk sjell asnjë risk për buxhetin, përkundrazi do kontribuojë indirekt në uljen e vazhdueshme të borxhit.

Gjatë bisedës me gazetarët në studio u fol edhe për investime konkrete që parashikon të sjellë zbatimi i projektit. Kështu në fushën e infrastrukturës primare është “Rruga e Arbërit” si dhe një sërë rrugësh të tjera në vend.

Po ashtu vëmendje do ketë edhe “infrastruktura shëndetësore” e cila do konsistojë në ndërtimin e një spitali ekselence në Fier dhe 10 qendra shëndetësore ekselence.

Pas nuk mbetet as arsimi.  Projekti prek 150 shkolla nga të cilat 53 do ndërtohen të reja.

Vlen të theksohet se në këtë program falë qindra kantireve të hapura do rritet punësimin. Për të mos harruar se sipas përllogaritjeve do ketë impakt në rritjen ekonomike e cila pritet të shkojë në mbi 5%.

Paratë të cilat privati do investojë përveçse janë në dobi të qytetarëve, pritet të japin impakt pozitiv në ekonomi, gjithashtu shlyerja që do bëjë shteti sipas viteve të përcaktuara në kontratë do jetë në favor të shtetit.

Kjo pasi p.sh. 100 000 dollarë të investuara sot nuk kanë të njëjtën vlerë me 100 000 dollarë pas 15 vitesh.

Projekte të kësaj forme janë praktikuar dhe praktikohen me sukses në mjaft vende të zhvilluara si në Angli, Francë, Sllovaki, etj./ Lexo.al/

Loading...
More in Ekonomi
Dy aeroporte të rinj në Korçë dhe Vlorë. Ja plani!

Close