LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Ahmetaj: Ekonomia nën potencial pengohet nga kartelet

Ahmetaj: Ekonomia nën potencial pengohet nga kartelet

Monopolet dhe pozitat dominuese kartel, që mbajnë shumë subjekte private në tregun vendas, janë shkaku i performancës jo të mirë ekonomike të vendit. Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ekonomia shqiptare po performon nën potencialin e saj dhe shkak për mosrritjen e konkurrencës dhe ndrydhjen e tregut janë pikërisht pozitat monopol që nuk janë luftuar. Ministri Ahmetaj, premtoi luftë pa kompromis ndaj karteleve dhe monopoleve, rezultate të cilat do të shikohen që vitin tjetër.

“E them fatkeqësisht që në 22 vjet pa ndarë asnjë periudhë, ekonomia shqiptare ka parë faktorë dhe aktorë të cilët kanë përfituar nga klauzolat monopol dhe sot që flasim, në ekonomi, në sektor, në industri ka akoma klauzola monopol që bëjnë të pamundur hapjen e tregut dhe bëjnë të pamundur direkt apo indirekt futjen e aktorëve të tjerë qoftë vendas qoftë të huaj. Unë besoj që një nga treguesit që ne do duhet të prezantojmë përpara publikut 1 vit më pas pra në vitin e 11-të të autoritetit do të tregojmë se si i kemi rrëzuar këto klauzola monopol”, tha Ahmetaj.

Duke e vënë theksin në hapjen e tregut drejt investimeve të huaja, ministri Ahmetaj përmendi faktin se, vendi nuk mund të vazhdojë pa fund të marrë vetëm borxhe, por duhet të mbështetet te konkurrenca dhe konsumi.

“Ekonomia shqiptare nuk ka më kapacitet të marrë borxh, ekonomia shqiptare shikon rënie të të ardhurave nga emigrantët. Akoma nuk kemi një krahë të fortë eksporti. Atëherë kemi vetëm një instrument dhe instrumenti është hapja e tregut shqiptar ndaj investimeve vendase dhe investimeve të huaja”, tha Ahmetaj.

Ndërsa kryetarja e Autoritetit të Konurrencës, Lindita Milo, bëri përgjegjës mosfunksionimin e gjyqsorit si pengesë për konkurrencën e lirë.

Këto deklarata u bënë me rastin e përvjetorit të Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka mbushur 10 vjet nga krijimi i tij.

Loading...
More in Ekonomi
Ahmetaj: Ekonomia shqiptare performon nën potencialin e saj
Close