Home . Politike . Analiza: PS listë me “kolonën e pestë” që bashkëpunoi në fshehtësi me LSI

Analiza: PS listë me “kolonën e pestë” që bashkëpunoi në fshehtësi me LSI

Partia Socialiste ka nisur punën për analizën e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, pavarësisht se korri fitore të thellë, duke lënë mbrapa dy partitë më të mëdha kundërshtare. Por, qëllimi i vërtetë i analizës së PS për zgjedhjet është nxjerrja në pah e tradhtarëve dhe të paaftëve në zgjedhjet e 25 qershorit. Tashmë, grupi i punës, i drejtuar nga Niko Peleshi, ka arritur të zbulojë socialistët në gjirin e PS që punuan kundër partisë së tyre dhe ata që “fjetën mbi dafina”. PS ka bërë gati listën e emrave që bashkëpunuan në fshehtësi me LSI, gjatë fushatës elektorale për 25 qershorin.

Grupi i punës pothuajse e ka përfunduar raportin ku gjenden dhe emrat tradhtarë, të cilin do t’ia dorëzojë në tavolinë në muajin shtator, kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë në shtator do të përjashtojë anëtarët e PS që bashkëpunuan me LSI, ku një pjesë e tyre janë të punësuar në administratë. Kryeministri Rama do të pastrojë me këtë rast anëtarësinë nga ata që i shërbyen LSI, të cilët u gënjyen nga thirrjet e saj se do të vinte në pushtet dhe do t’u siguronte vende të mira pune. Sipas burimeve, grupi i punës i drejtuar nga Niko Peleshi, u dorëzoi nga një formular anëtarëve të PS, ku në mënyrë të fshehtë të tregonin se cilët janë ata që i shërbyen me endje partisë kundërshtare.

Ata që kishin informacione të sigurta, sigurisht kanë deklaruar me emra ata anëtarë të PS, militantë, se e kanë parë partinë thjesht si një vend pune në administratë. Në momentin që LSI arriti të fitojë vetëbesimin se do të ishte forcë e parë, mori në ‘qafë’ edhe shumë socialistë. LSI-stët u premtuan se do të tregoheshin më të besës se kryeministri Rama, duke i futur në vende të sigurta pune. Dihet se shumë socialistë kanë qenë të zhgënjyer, pasi Rama nuk mundi t’u siguronte vende pune të gjithëve. Këtë moment, LSI e përdori në favorin e saj, duke marrë pas vetes një pjesë të të zhgënjyerve, por edhe një pjesë të atyre që janë në punë. Por kjo do t’u kushtojë shtrenjtë. Sepse në shtator do të shkarkohen nga puna dhe nga ana tjetër do të pastrohet anëtarësia nga tradhtarët.

Ristrukturimi i degëve

Kryeministri Edi Rama do të ndërmarrë edhe një detyrë tjetër. Rama do të ristrukturojë ato degë të PS që kanë dalë dobët në zgjedhje. Atje ku nuk janë arritur pritshmëritë, Rama do shkarkojë krerët e degëve dhe do t’i zëvendësojë me individë të aftë dhe punëtorë. Ndërsa për ata ministra dhe deputetë që nuk kanë korrur sukses, Rama ua ka bërë të qartë se nuk do gjejnë vend në qeverinë e re.

Ndërkaq, të gjitha ministritë, drejtoritë dhe agjencitë shtetërore janë verifikuar për çdo punësim që kanë bërë dhe në fund të korrikut raporti do të jetë në tryezën e kryeministrit Edi Rama. Niko Peleshi ka thënë se grupi i punës do të ndërtojë dhe një strukturë më inovative që të ritet efiçenca mes ristrukturimeve të institucioneve që më shumë kanë fjetur dhe nuk kanë bërë punë. Në shtator, kryeministri Rama do të studiojë plotësisht raportin dhe furtunë e madhe shkarkimesh do të ndërmerret. /Eneida Jaçaj, sot

Mos Humbisni:
Bravo qelbësira! Ja dolët të jeni në CNN si piroman!

Close