Home . Opinione . Arsim privat apo arsim publik?

Arsim privat apo arsim publik?

Nga Ilir Yzeiri

As njëri dhe as tjetri. Rezultatet e fundit të rankimeve të universiteteve në Shqipëri dhe vendi skandaloz i Universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, fotografojnë gjendjen e shkollës shqiptare, ndërsa vendi dinjitoz i Universitetit « A.Xhuvani », pjesë e të cilit jam edhe vetë, më bën të ndjehem mirë dhe verteton edhe njëherë idenë që e kam mbrojtur prej kohësh se nuk duhet ngaërruar Tirana me Universitetin e Tiranës.

Në Shqipëri sistemi arsimor është në krizë të thellë dhe shkolla shqiptare nga fillimi, pra nga cikli i parë deri te cikli i fundit është lënë në dorë të sharlatanëve dhe dallkaukëve me apo pa diplomë. Pse e them këtë ? E them këtë sepse në këta 27 vjet, të gjitha qeveritë, të majta e të djathta, të vetmet ndërhyrje që bënin në arsim, ishte ligji për arsimin e lartë, ndërkohë që transformimi i ciklit të parë dhe të dytë të arsimit shqiptar u la në dorë të të gjithë mediokërve të mbledhur së bashku, të cilët, duke kopjuar në mënyrën më të keqe modele që nuk lidheshin aspak me shkollën shqiptare, kanë bërë sot një mishmash programesh, tekstesh dhe kurikulash që askush nuk e merr vesh. Janë transfromuar institucionet e shkollës komuniste me orientim pedagogjik në disa lloje « zh-sh » sepse të gjitha kanë nga një « zh » që është fjala e parë e shenjës « zhvillim », në krye të të cilave, sipas rastit, sidomos LSI-ja që ishte pjesë e kolacionit në të dyja qeveritë, dërgonte në drejtim të tyre edhe njerëz që karrierën e tyre e kishin në « SHIK ». Këto instiucione merren me përmbajtjen e shkollës, me programet e kurikulat dhe më pas këto programme e kurikula makabre bëhen tekste nga shtëpi botuese mizerabël që kanë më shumë se 10 vjet që shkatërrojnë trutë e brishtë të fëmijëve tanë. Skandali i fundit me edukataën seksuale është vetëm një nga qindra llahtare të tjera që përmbajnë këto tekste, të cilat, në shumicën e herës janë hartuar në mënyrë të tillë që nxënësi të mos kuptojë asgjë dhe mësuesi të masakrohet deri në skaj e të mos dijë të shpjegojë asgjë. Po jap vetëm një shembull. Më ra rasti tani në fund të shoh një tekst të gjuhës e letërsisë për shkollat e mesme. Aty ishte një ushtrim. Ishte marrë një fragment nga « Çeta e profetënve » të Bogdanit dhe nxënësve u kërkohej që ta kthenin këtë fragment në gjuhën letrare. Teksti i shkëputur nuk kishte asnjë referencë se nga cila pjesë e veprës së Bogdanit ishte marrë dhe aty, në atë tekst, në fund përdorej prej Bogdanit gati tri herë fjala « uzdajë ». Ishte dhe një fjali që vajzën e thërriste « suta ». Pra teksti i Bogdanit për nga vetë natyra është ndërtuar me shqipen dhe me huazimet e kohës së tij. Ai fragment është një hymn për « virgjërinë » teologjike dhe është një tekst i shkëlqyer, por bëhet i tillë vetëm nëse kuptohet më parë. Mësuesi i gjorë ka blerë edhe një libër tjetër që është libri i mësuesit dhe për t’u orientuar e hap aty ku ndodhet ky ushtrim që të paktën të kuptojë se cfarë shënon ky tekst në fillim dhe më pas ta kthejë në shqipen e sotme. Po dhe aty ka vetëm ngatërresë. Asnjë sqarim. Dhe kërkesa për ta kthyer në gjuhën e sotme bëhet një makth sepse më parë duhen kthyer disa fjalë në shqip. Çfarë duhet të bëjë mësuesi në këtë rast ? Duhet të bëjë sikur e realizon atë ushtrim dhe të mbyllë sytë e të kalojë në faqen tjetër. Mirëpo dhe aty do të ndeshet me të njëjtin mizerabilitet. Një nga studiueset e njohura te ne, Anila Omari, është marrë një jetë të tërë me veprën e Bogdanit, por dija e saj nuk i hyn në punë sharlatanëve që hartojnë dhe botojnë tekste.

Kështu, duke e lënë shkollën shqiptare si mall pa zot dhe duke e kthyer industrinë e teksteve në një biznes të ndyrë, arsimi shqiptar gjithnjë e më shumë në vend që të formojë fëmijë me një kulturë normale, i masakron ata në të shumtën e herës me llafollogji boshe e me tekste alogjike. Megjithatë, familjet shqiptare arrijnë të shpëtojnë fëmijët e tyre nga makabriteti i shkollës shqiptare dhe një pjesë e mirë e tyre i kthejnë shtëpitë në qendra këshillimi e studimi dhe prindërit e sidomos nënat shqiptare, arrjnë të ruajnë integritetin inetelektual të fëmijëve të tyre dhe i stërvisin ata që të kenë të gjitha aftësitë e duhura për të përballuar studimet e larta në një vend të huaj.

Pasi mbarojnë shkollat e mesme, fëmijët tanë gjysmë të shkatërruar nga informacioni që kanë marrë dhe të budallallepsur nga mizerabiliteti i teksteve që kanë pasur nëpër duar, mbledhin veten dhe pjesa me e mirë e tyre gjen një mundësi që të studiojë jashtë. Në arsimimin e shqiptarëve sot duhet të llogarisim edhe universitetet e huaja, të cilat janë bërë vende të lakmueshme për të rinjtë shqiptarë. Sips disa statistikave, rreth 5 deri në 6 mijë të rinj regjistrohen çdo vit në universitetet shqiptare në Itali, Francë, Gjermani, Zvicër apo Angli e SHBA më pak. Në çdo vit janë rreth 35 deri në 40 mijë të rinj që mbarojnë shkollat e mesme dhe që aplikojnë për një të drejtë studimi në universitetet shqiptare. 15 deri në 20% e tyre zgjedhin degët e preferuara në universitetin e Mjekësisë, pastaj në juridik apo ekonomi dhe të tjerët të dalë ku të dalë. Kam rreth njëzetë vjet që kam dhënë mësim pothuajse në të gjitha universitetet shqiptare, publike e private dhe ajo që kam konstatuar është se gati gjysma e studentëve që regjistrohen në shkollat e larta në të gjithë vendin nuk kanë as formimin minimal dhe se notat e tyre mesatare nga shkolla e mesme nuk e kalojnë 6-n.

Ardhja në universitet është bërë një kulturë tjetër në Shqipëri. Studentët, ne pjesën më të madhe, nuk vijnë që të formohen dhe të marrin dije, por vijnë me idenë fikse që të marrin diçka dhe që dikush tjetër është i deturuar t’ua japë. Pas provimeve askush nuk thotë si doli dhe çfarë përgjigje dha, por të gjithë thonë do ma japë ose nuk ma dha. Shkolla e lartë nuk është më vendi i dijes, por vendi i biznesit ku një palë vijnë për të marrë dhe një palë tjetër është e detyruar t’ua japë. Pikërisht në këtë klimë biznesi lindi arsimi privat në Shqipëri.

Ngritja e universiteteve private në Shqipëri u nxit nga ideja e biznesit, nga ideja për të bërë lekë. Është një kategori e madhe e familjeve shqiptare me të ardhura pak mbi normalen që kërkojnë të investojnë te fëmijët e tyre, pra kërkojnë ta blejnë formimin e tyre. Universitetet private ishin dhe janë vendi i shkëlqyer për të marrë një diplomë sepse aty nuk ekziston prova. Studenti në një universitet privat nuk i nënshtrohet provës, ai është një spektator që sheh gjithë paradën mediokre të shkëlqimit të universitetit të tij, i cili boton libra, bëhet qendër debatesh mes kokoroshëve shqiptarë, fton të huaj që vijnë marrin një dorë lekë në Shqipëri dhe studentët, duke qenë spektatorë, marrin pak edhe nga shkëlqimi i dritave të reklamave pa asnjë përmbatje që bën universiteti i tyre.

Universitetet private sot janë bërë qëndra ku shfaqet egocentrizmi i sëmurë i pronarëve mediokër që me anë të sipërmarrjeve që kanë krijuar realizojnë të gjitha boshllëqet e tyre kulturore. Ndonjë prej tyre është kthyer në një panair të bezdisshëm ku promovohen lloj-lloj banalitetesh që kanë vlerë vetëm për të treguar se çfarë gjeniu është pronari apo pronaresha. E gjithë kjo më ka kujtuar gjithmonë atë thagmën e Rrapush Xhaferrit apo djalit të tij, me duket, që, kur mori ekipin e Lushnjes thërriti dhe një lojtar që ata e kishin fiksim si familje dhe që ishte argjentinasi Kempes. Apo ekipi i Gramozit të Ersekës që solli në Tiranë Realin e Madridit. Mirëpo, siç dihet, sot, Gramozi i Ersekës më duket se nuk e ka ekipin e futbollit dhe Lushnja vazhdon normalisht.

Ndaj, universitetet private, si çdo investim privat në Shqipëri, janë sipërmarrje që mbështeten te fitimi i shpejtë dhe i thellë dhe këtu janë në të drejtën e tyre sepse çmimet i vendos tregu. Përderisa ka akoma shqiptarë që pranojnë të paguajnë mbi 2000 euro në vit, ata do të vazhdojnë të jetojnë. Ndërkaq, një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Nga këto universitete nuk promovohen profesionistë, por djem dhe vajza që familja u ka bërë nga një dhuratë prej 10 mijë eurosh.

Në fund do të doja të përmendja diçka tjetër. Për arsye profesionale jam i lidhur me një universitet privat në Rumani. Quhet « Spiru Haret ». Është në qendër të Bukureshtit dhe ka disa degë. Tarifa e shkollimit atje është 350 deri në 400 euro në vit. Vetëm mjekësia apo arkitektura e kanë tarifën nga 700 deri në 900 euro në vit. Në të gjitha rankimet që bëhen universitetet e Rumanisë e kanë kapërcyer me disa herë fazën për t’u llogaritur në renditjen botërore. Tani kush mund të më thotë mua se si ka mundësi që në Shqipëri një student në një universitet privat duhet të paguajë mbi 2000 euro ? E vendos tregu thonë neoliberalët. Këtë po them dhe unë. Në Shqipëri diploma blihet dhe universitetet private shqiptare e shesin. Mirëpo dukush do të më përmende Anglinë. Këtu duhet të ndalemi dhe të marrim pak frymë sepse të dish se çfarë është Anglia apo Oksfordi nuk do të thotë se bëhesh dot si ata. Mirëpo, shqiptarët mgallomanë e egoistë gjithmonë kanë nevojë të identifikohen me atë që është jashtë tyre.

Edhe një shembull të fundit. Para disa kohësh lexoja se një inxhinier pakistanez, në garazhin e tij, pra jo në ambientet super luksoze të universiteteve private shqiptare që ngjajnë si hotele me katër a pesë yje dhe ku ambienti më i populluar është menca apo kafeneja e Universitetit, kishte ndërtuar një robot me mjete që i kishte gjetur vetë. Ky robot ishte një kamerier që shërbente në një lokal. Pronari i këtij lokali thoshte se jo vetëm ishte i kënaqur prej tij, por ai ishte një argëtim sidomos për fëmijët. Inxhinieri që e kishte ndërtuar atë thoshte se ishte frymëzuar nga zhvillimet e kësaj teknologjie në Kinë dhe e kishte realizuar këtë sipërmarrje krejtësisht vetë. (http://www.francesoir.fr/actualites-societe-lifestyle/pizzas-automates-des-robots-serveuses-font-la-joie-du-pakistan).

Ky është vendi ku mund të gjendet ky informacion. Nëse dikush mund të më thotë mua se çfarë kanë dhënë universitetet tona në këto 27 vjet për modernizmin e ekonomisë apo teknologjisë, unë do të tërhiqesha nga çfarë shkruajta deri tani, ndërsa se çfarë prodhojnë universitetet private nuk kam nevojë të ma thotë njeri. Për sa kohë që në këtë vend ka shqiptarë që duan t’u dhurojnë fëmijëve të tyre 10 mijë euro për një diplomë me master, ata kanë të drejtë të na thonë se këtë e vendos tregu. Mirëpo se çfarë është tregu shqiptar këtë unë e justifikoj me atë shprehjen tjetër. Lum kush të rrojë e ta provojë.

Mos Humbisni:
Aleancën Meta-Berisha, aleanca e krimit vazhdon: Presidenti nuk po arrin të bëjë për vete Bashën

Close