Home . Aktualitet . Blog . “Bandat e “qytetarit dixhital” Berisha “terrorizojnë” Elbasanin, dhe mediat qesharake

“Bandat e “qytetarit dixhital” Berisha “terrorizojnë” Elbasanin, dhe mediat qesharake

Nga Mentor Kikia

Të dashur kolegë, kjo nuk është media!

Mbrëmë, një i afërmi im nga Elbasani, që jeton prej vitesh në Kanada më shkruante i shqetësuar se çfarë po ndodhte në Elbasan.

Ishte vonë dhe mendova se do të kishte ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë dhe nuk kisha mësuar gjë.

Më solli një link që tregonte një fytyrë me maskë, si kjo foto që po postoj unë, dhe me titull: “Çpo ndodh në Elbasan?

Qytetarët në terror dhe në mëshirë të bandave të armatosura deri në dhëmbë”.

E lexova shpejt e shpejt.

Ishte një postim i Sali Berishës.

Një nga ato mesazhet që i dërgojnë “qytetarët dixhitalë”, që i shkruante se në Elbasan banditët lëvizin me makina të blinduara dhe se policia nuk ndërhyn sepse është e lidhur me ta etj, etj.

Ky postim ishte marrë nga mediat online dhe ishte bërë lajm. Që ka kriminelë që lëvizin me makmina të blinduara, në Elbasan e kudo, kjo dihet që është e vërtetë.

Por “lajmi” të linte të kuptoje se “maskat e armatosura deri në dhëmë” kishin dalë në bulevard e po bënin masakra.

Berisha bën politikë, dhe mund ti lejohet të postojë “lajme” të pa verifikuara.

Por medias jo, media informon.

Dhe jo cdo gjë që poston Berisha apo kushdo tjetër, mund të merret copy-paste e të ambalazhohet si lajm.

Kolegë, e kuptoni se çfarë jemi duke i bërë lajmit?

E kuptoni se kemi përfunduar në atë derexhe sa të quhet lajm çdo thashethem që hidhet në rrjetet sociale?

E kuptoni sa pak përgjegjshmëri ka mbetur në gazetarinë tonë?

Ne kemi mësuar se lajmi duhet të konfirmohet nga 3 burime, por këtu s’kemi as lajm as burime.

Duhet të kemi pak më shumë respekt për këtë profesion që bëjmë.

Nuk ëshntë kaq i parëndësishëm që të tallemi me të, sepse ne marrim për sipër të informojnë ata që na shikojnë e na lexojnë.

Mos Humbisni:
10 shënime nga debati me PD-në

Close