LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Blog . Baze: A do të qëndrojë e bashkuar opozita në frontin ‘anti-amerikan’ të Ilir Metës?

Baze: A do të qëndrojë e bashkuar opozita në frontin ‘anti-amerikan’ të Ilir Metës?

Nga Mero Baze

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europain, që Komisioni i Venecias të zgjidhë ngërçin e krijuar në formimin e Gjykatës Kushtetuese nga Ilir Meta, duke dubluar një anëtare të saj, ka krijuar një front lufte mes presidentit të Shqipërisë dhe Perëndimit.

Presidenti i Shqipërisë, ka refuzuar këshillën e të dërguarit special të SHBA për Ballkanin, Mathew Palmer, dje mbasdite gjatë një bisede telefonike, ndërsa sot paradite ka shpërthyer në një luftë frontale kundër SHBA dhe Bashkimit Europian.

Nuk është më situatë aludimesh apo fjalësh me nënkuptime, por betejë reale e një politikani që thërret njerëz në zyrë dhe u bën thirrje të bëhemi bashkë kundër atyre “shkërdhatave” të Perëndimit.

Të gjitha takimet në zyrën e Ilir Metës prej dy ditësh kanjë një kërkesë konstante për të ftuarit, që t’i bashkohen luftës së tij kundër Perëndimit në Shqipëri.

Zyra e presidentit të Republikës është bërë si zyrë rekrutimi xhihadistësh kundër SHBA dhe BE.

Këtë e shikon qartë kur njerëzit dalin nga zyra e tij. Disa që janë të lëkundur nuk e përshkruajnë bisedën me të, se nuk duan as ta kujtojnë.

Të tjerët që janë dakord me Ilir Metën, i japin mbështetje për këtë.

Ndaj tani nuk është me e rëndësishme çështja e Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo do zgjidhet nga Komisioni i Vencias.

Tani e rëndësishme nga pikpamja politike, është nëse opozita do të qëndrojë e bashkuar pas Metës në betejën kundër SHBA e BE.

Rexhep Meidani hyri dhe doli pa folur në zyrën e tij. Nuk ka bërë komente mbështetëse për Ilir Metën, por as e ka kundërshtua atë. Mund t’i ketë thënë që nuk dua të përzihem në këtë histori, ose mund të ketë gjetur ndonjë justifkim banal, fjala vjen “do shëtis qenin dhe s’kam kohë.”

Sali Berisha ishte i pari që shprehu mbështetje për Metën, pasi shkoi në zyrën e tij për të pranuar këtë betejë. Pas daljes nga zyra, ai i dha të drejtë presidetit Meta dhe premtoi se do luftonte bashkë me të.

Bujar Nishani, po ashtu ka miratuar qëndrimin anti-amerikan të Ilir Metës dhe ka kundërshtuar shkuarjen e kësaj çështje në Komisionin e Venecias.

Lulzim Basha po bën sikur nuk e ka mendjen, pasi nuk do të përfshihet në këtë histori, ngaqë gjendet mes dy zjarresh, mes nevojës për mbështetje nga Perëndimi, dhe nevojës për mbështetje nga fronti anti-perëndimor që e ka vënë kryetar opozite. Vështirë e ka të flasë në këto kushte, ndaj e ka mirë që merret me bujqësinë digitale.

Aktorët e tjerë, përveç Bashës, që po heshtin, duket qartë që po hezitojnë t’i bashkohen frontit anti-amerikan të Ilir Metës.

Në vitin 1997, kur Berisha provokoi një qëndrim shumë më të butë se ky, kundër SHBA-së, brenda ditës i dolën kundër 10 ish- ministra të tij dhe rreth 30 deputetë, të cilët praktikisht e detyruan të japë dorëheqje disa ditë më vonë, pasi u rizgjodh.

Ilir Metës nuk ka kush t’i iki nga LSI. Pyetja është nëse PD do të pranojë t’i bashkohet këtij fronti për hir të Ilir Metës, apo do bëjë marrëveshjen e saj me SHBA dhe BE.

Kjo është dilema reale e Lulzim Bashës dhe aleatëve të tij. Ky është dhe momenti i madh i fuqisë apo pafuqisë që ai ka për t’iu shkëptur rrethit okult të Berishës e Metës.

Nëse ai i qëndron besnik çiftit Meta- Berisha, ai e ka të sigurtë postin e kryetarit të PD, por e ka po kaq të sigurtë humbjen e betejës me SHBA dhe BE.

Dhe nuk di sa vlen për lider anti-perëndimor në Shqipëri Lulzim Basha, pas kësaj. Në këtë pikë, ai nuk e konkurron dot më as Ilir Metën, as Sali Berishën.

Loading...
More in Blog
Ngjela: Edhe Saliu i shpalli luftë Amerikës në 97-ën, po fluturoi si leckë

Close