LAJMI I FUNDIT
Home . Lifestyle . Bekim Fehmiu, “Odiseja” me të cilin krenohen shqiptarët

Bekim Fehmiu, “Odiseja” me të cilin krenohen shqiptarët

Bekim Fehmiu është aktori shqiptar që, mes vezullimit hollivudian dhe polemikës nacionaliste, arriti dhe vazhdon të jetë, aktori me famë më të gjerë ndërkombëtare i të gjitha kohërave, së bashku me vëllezërit Belushi. Bekim Fehmiu, aktori që na ka bërë krenar, suksesi i të cilit i kaloi kufijtë.

Më 1 Qershor të vitit 1936, u lind në Sarajevë, i mbështjellë me pëlhurë, që thonë se ashtu lindin njerëzit me fat.
Bekim Fehmiu rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe.
Më 1939 u transferua në Shkodër, kurse kah mesi i vitit 1941 në Prizren. Si nxënës i gjimnazit të Prizrenit i bëri hapat e parë të aktrimit në Shoqërinë “Agimi” dhe Teatrin e qytetit, kurse më 1955 u pranua si aktor profesional në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë “Ko puca otvorice mu se”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve” dhe “Të kuq dhe të zinjë”. Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Ka interpretuar në shqip, sërbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore. Pak kohė më parë në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithëçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.

“Nuk kam shkuar të bëhem aktor që të bëhem i famshëm, që të më doni ju vashat e bukura, por kam shkuar me një mision: Që ta pasuroj njeriun nga pikëpamja mendore dhe ta begatoj nga pikëpamja shpirtërore. Arti është iluzion. Të më kishte thënë Mate Milosheviq, profesori im i aktrimit në Beograd, në orën e parë të aktrimit që arti është iluzion, që nuk është asgjë, atë moment do ta kisha ndërruar, do të isha bërë stomatolog. Kam dashur që me punën time të nderoj njerëzit. Për mua aktrimi i dikurshëm ishte një mision i bekuar. Arti ka qenë mesazhi që unë kam sjellë”, – pohonte vetë aktori, duke shpjeguar angazhimin dhe lidhjen e tij me aktrimin.

Siç e ka vlerësuar shkrimtari dhe producenti i njohur italian, Francesko Scadarmaglia, Bekim Fehmiu ka qenë aktori i vetëm i hapësirës së vendeve ish -socialiste, i cili me sukses ka luajtur më shumë se 20 vjet në perëndim, duke e thyer perden e hekurt, deri te shfaqja e M. Gorbatchov-it dhe rënia e murit të Berlinit.

Dashuria

Ndërsa në udhëtimin e tij të parë në Shqipëri, Bekim Fehmiu erdhi vetëm, megjithëse prej vitesh ishte martuar me aktoren serbe, ish-shoqen e shkollës, Branka Petriç, në udhëtimin e dytë tij në vitin 2001, ai shoqërohej nga gruaja e tij. Përkatësia e saj, etnike tashmë ishte një problem i tejkaluar. Ndërsa kanë shëtitur për pak ditë Shqipërinë, nuk kanë munguar kontaktet me mediat, për të cilat, krahas aktorit shqiptar, është prononcuar edhe bashkëshortja e tij.

Një nga momentet interesante të këtij rrëfimi, lidhet me njohjen, dashurinë dhe martesën e tyre. “Ne jemi të dy në të njëjtin profesion”, – kujtonte Branka, – “studiuam të dy njëkohësisht dhe u përgatitëm të dy për teatrin, filmin dhe televizionin. Nuk është e lehtë të kuptosh problemet e aktorit, por ne e kemi kuptuar mjaft mirë njëri-tjetrin. Unë do të thosha se, për një kohë të gjatë, ne kemi qenë shokë në Akademinë e Arteve në Beograd, ku edhe jemi njohur, pastaj u bëmë miq, por ende nuk kishim rënë në dashuri. Kur jemi njohur, më kanë prezantuar për të luajtur së bashku”./Konica.al

Loading...
Mos e Humbisni
Dora e shtrirë e Ramës për ish-opozitën e keqkuptuar… nga klani “Opozita e Rrugës”

Close