LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Berisha dhe ushtarët e tij shtojnë presionet ndaj Bashës: Thirrje për revolta e kaos për të “rrëzuar” qeverinë

Berisha dhe ushtarët e tij shtojnë presionet ndaj Bashës: Thirrje për revolta e kaos për të “rrëzuar” qeverinë

Presionet ndaj kreut demokrat Lulzim Basha për revolta dhe kaos kundër qeverisë po rriten çdo ditë e më shumë. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe njerëzit pranë tij po shtojnë presionet për të rinisur protestat, ku i kërkojnë kryeopozitarit nisjen e revoltave. Ish-kryeministri përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të ngrihen të fuqishëm për të rrëzuar një herë e mirë qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Duke iu referuar thirrjeve të tifozëve “Rama ik” në stadium, Berisha tha se eksplozivi i urrejtjes kundër Ramës shpërtheu. “Miq, eksplozioni i urrejtjes së 20000 mijë Kuq e Zinjve në stadium ishte një kushtrim i fuqishëm për çdo shqiptar, të ngrihemi fuqishëm për të përmbysur një minutë e më parë Edvin Mafin dhe narkoshtetin e tij”, tha Berisha. Më tej, në reagimin e tij ish-kryeministri renditi disa arsye, sepse sipas tij qytetarët shqiptarë duhet të ngrihen në protesta të fuqishme kundër qeverisë. “Por shkaku themelor i vendimit dhe qëndrimit historik të Kuq e Zinjve guximtar ishte se ata me mençurinë e tyre kanë identifikuar tek Edvin Kristaq Mafia: vrasësin e shpresës së tyre se Shqipëria mund të bëhet; mostrën që me politikat që ndjek po zbaton platformën e Çubrilloviçit, spastrimit etnik të shqiptarëve; kreun e krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës që ka shndërruar në narkoshtetin e vetëm në Europë; hajdutin e papërmbajtur që zgjeron rrugë me 21 milionë euro km kundrejt 2,2 milionëeuro që kushton ndërtimi nga e para e autostradës të financuara nga bankat evropiane; armikun e studentëve dhe mashtruesin e pafytyrëtë tyre që nuk ka plotësuar asnjërën prej kërkesave të tyre”, tha Berisha.

Thirrjet për revoltë

Por thirrjeve të ish-kryeministrit Sali Berisha për kaos dhe revolta i janë bashkuar edhe njerëzit pranë tij. Ish-deputeti demokrat Aldo Bumçi gjatë një interviste televizive u shpreh se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në mars të vitit 2020, pasi në të kundërt opozita e bashkuar do të nisë valën e protestave, të cilat sipas tij, nuk do të jenë një shëtitje në bulevard. “Nga shkurti, kanë qenë pesë muaj të paprecedentë në historinë e protestave të Shqipërisë. Nuk kemi parë të tilla, e tregoi edhe stadiumi “Rama ik”. Kjo gjendje protestash pesë-mujore ndaluan për shkak të gushtit dhe ne nuk deshëm që para procesit për integrimin, deri më 18 tetor, të dukeshim sikur ishim ata që po pengonim Shqipërinë, kur në fakt është kriza e rëndë.

Në momentin që ne mbarojmë reformën zgjedhore dhe Shqipëria ka gati një bazë ligjore për zgjedhje, ndërkohë janë ngritur dhe institucionet kryesore të drejtësisë, duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, në pranverë, në mars. Kjo është zgjidhja. Nëse nuk ndodh kështu, ne do të dalim në protesta, të cilat nuk do të jenë më një shëtitje në bulevard”, deklaroi Bumçi. Ish-deputeti komentoi edhe takimin e presidentit Ilir Meta me krerët e opozitës së bashkuar, duke deklaruar se vendi ndodhet në krizë dhe se të gjitha palët duhet të marrin përgjegjësi. “Në kohë krizash, njerëzit duhet të marrin përgjegjësi, këtë gjë po bën opozita dhe presidenti, këtë gjë duhet të bëjnë të gjithë. Kriza është shumë e rëndë. Shqipëria është e sëmurë, po lëngon. Është kancer, që i ka prekur organet vitale të trupit. Ekonomia është në krizë shumë të rëndë. Duhet zgjidhje dhe zgjidhja vjen me zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme. Sa më gjatë të zgjasë kjo, do të çojë në një situatë, që do jetë e vështirë ta rikthejmë. SHBA ka parashikuar deri në 1 milion shqiptarë të largohen. Shkaktari i krizës është Edi Rama. Ke një person të plotfuqishëm, që arriti të bëjë aktin më të frikshëm, të shkelë Kushtetutën. Një anëtar u fut për të shkelur Kushtetutën, për t’i marrë presidentit të drejtën kushtetuese”, tha ai. /Elisjeda Kiko

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Pushtoi mediat me divorcin e zhurmshëm nga bashkëshortja: Këngëtari i njohur shqiptar i rikthehet skenës dhe shoqërohet nga njeriu i tij më i shtrnjtë (Video)

Close