Home . Kryesore . Beteja e familjarëve të “21 Janarit”: Kemi prova të reja, por na vranë dhe tani na kërcënojnë

Beteja e familjarëve të “21 Janarit”: Kemi prova të reja, por na vranë dhe tani na kërcënojnë

Teksa po mbushen 6 vite nga ngjarja që përgjaku bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011, në katër familjet e viktimave vijon të ketë dhimbje, lot dhe lutje për drejtësinë e munguar.

Edhe pse tashmë e kanë humbur shpresën se një ditë fajtorët e vërtete do të marrin ndëshkimin e merituar, ata të bashkuar nga dhembja i janë drejtuar Gjykatës ndërkombëtare të Strasburgut.

Edhe pse i kanë shterur të gjitha fjalët, në një intervistë për gazetën “TemA”, familjarët shprehen se që nga momenti i atentateve edhe deri më sot, janë duke përjetuar vdekje të ngadalta. Sipas tyre, përgjegjësia e vetme bie drejtëpërdrejtë mbi qeverinë e djeshme, apo opozitën e sotme.

Me besimin tek drejtësia ndërkombëtare, ata akuzojnë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, si autorët e këtij krimi, duke thënë se vazhdojnë t’i ngrenë kurthe drejtësisë për të rivrarë çdo 21 janar katër viktimat.

Mark Nikaj, xhaxhai Aleks Nikajt, që u qëllua për vdekje përpara Kryeministrisë, i pyetur nga gazeta “TemA” mbi dosjen e depozituar së fundmi në Gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut, shprehet se kanë mbledhur shumë fakte që provojnë krimin shtetëror.

“Prej 6 vitesh trupi i Aleksit po tretet në varr, ndërsa ne vdesim ngadalë nga kjo indiferencë.

Pas dy refuzimeve që kemi marrë nga Strasburgu, depozituam për herë të tretë me shkrim dosjen tone, që përmban të gjithë dokumentacionin e grumbulluar, ku përfshihen:

Materiale mediatike, vendime gjyqësore, prononcime ambasadorësh, deklarata politikanësh, qëndrime të forcave politike etj.

Këtë dokumentacion e kemi përpiluar vetë, pasi Prokuroria e Përgjithshme  refuzon të na japë  dosjen e 21 janarit për të bërë ankimimin, edhe pse ja kemi kërkuar konform të të gjitha rregullave”, tha Nikaj, i cili është autorizuar nga familjarët e viktimave për të ndjekur çështjen hap pas hapi.

Më tej  ai argumenton se ka munguar transparenca e hetimeve të bëra nga Prokuroria.

Nikaj nënvizon faktin se pas mbylljes së çështjes janë fshehur të dhënat e dosjes, veprim që e quan si varrosje të drejtësisë.

Sipas tij, presioni ndaj gjykatave shqiptare ka qenë tepër i lartë nga presidenti aktual i Republikës Nishani, nga lideri i opozitës Basha, si edhe ish-kryeministri Berisha.

“Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë emrat që kanë parapërgatitur skenarin  për të shkaktuar kaos 6 vite më parë.

Ata kanë urdhëruar Gardën e Republikës të qëllojë ndaj protestuesve dhe më pas i kanë mbyllur gojën drejtësisë.

Ne disponojmë fakte të reja mbi personat që kryen vrasjet, por për momentin nuk mund t’i bëjmë publike pasi ndodhen në proces verifikimi”, shprehet avokati Mark Nikaj.

Ndërkohë, edhe për familjen Veizi kjo datë vjen plot dhimbje.

Gruaja e të ndjerit Ziver Veizi, e lodhur nga labirinti ku ndodhet çështja, shpreh besim plotë tek organet ndërkombëtare.

“Shpresa vdes e fundit; është një shprehje që më shoqëron prej vitesh.

Tek ne ka vdekur edhe ka lindur prapë.

Gjykoj se një ditë e vërteta do të  trimfojë”, tha Alma Veizi, teksa e ka të vështirë të rrëfejë për kujtimet që i kanë ngelur nga ngjarja e hidhur.

Plaga qëndron ende e hapur edhe në familjen e Hekuran Dedës, ku familjarët shprehen se besojnë tek premtimi i kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e çështjes.

“Këto 6 vite kanë qenë shekuj për shkak të vështirësive që kemi pasur. Kemi folur boll.

Nuk gjej shumë fjalë pasi gjithçka ka shterur.

Kam besim se kryeministri do ta mbajë fjalën dhe do të vendosë pas hekurave përgjegjësit”, tregon Zabit Deda, vëllai i Hekuranit që mbeti i vrarë me plumb në kokë afër portës së Kryeministrisë.

Edhe për familjen “Myrtaj”, fatkeqësia që u ka ndodhur nuk është përtypur ende.

Renato Myrtaj, i biri i  Faik Myrtajt, tha se përpos hallit që i ka rënë, në adresë të tyre vazhdojnë të venë kërcënime të forta.

“Kjo është një drejtësi e mohuar dhe 2 emrat e përgjegjësve tashmë i njohin të gjithë shqiptarët.

Edhe nëse do të guxojë ndokush ta hetojë, nuk ka për t’ia dalë kurrë.

Gjurmët që kanë lënë duart e lara me gjak, janë fshehur mirë.

Shpresa e fundit ka ngelur në duart e Strasburgut”, nenvizon RenatoMyrtaj.

Ngjarja e 21 janarit të vitit 2011, cilësohet si një prej më të hidhurave që kanë shoqëruar historinë e tranzicionit shqiptar.

Atë ditë opozita protestonte përpara Kryeministrisë kundër qeverisjes “Berisha”.

Në mbrëmje, ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë të menjëhershme për shtyp, e quajti revoltën si grusht shteti.

Ai fillimisht mohoi përfshirjen e Gardës së Republikës në krim, duke deklaruar se protestuesit ishin vrarë nga afër me armë të sofistifikuara, si çadra pistoletë, stilolapsa pistoletë dhe thika me helme.

Ky version ra shpejt pasi media faktoi mes pamjeve momentet kur forcat e Gardës së Republikës kishin hapur zjarr ndaj protestuesve.

Në një intervistë televizive rreth një muaj më parë, ish-kryeministri siguroi se nuk do ta lironte zyrën e tij për asnjë arsye dhe në rast se ish-lideri i opozitës Edi Rama nuk do të përmbahej, s’do ishte më gjallë.

Sot, tek sa po mbushen 6 vite nga ngjarjet e trishta, autorët e vërtetë të krimit shtetëror janë ende të lirë.

Mos Humbisni:
Krim nga urrejtja, racisti në SHBA dënohet me vdekje

Close