LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Sport . Bogu i jep lamtumirën futbollit

Bogu i jep lamtumirën futbollit

Erjon Bogdani e ka mbyllur me futbollin. Është vetë sulmuesi me më shumë gola të shënuar në ekipin kombëtar shqiptar që ka pohuar në emisionin “Bar Sport” faktin se tashmë e ka mbyllur me futbollin. Lojtari i kuqezinjve e ka pranuar përfundimisht largimin e tij nga futbolli aktiv. “Unë jetoj në Itali dhe 7-8 vitet e fundit kam luajtur në Serinë A. Nuk kisha dëshirë që ndeshjet e fundit ose vitin e fundit të luaja në një kategori të ulët.

Kështu vendosa që të largohem nga futbolli. Dua që të jem pjesë e futbollit tashmë si trajner. Mund të them se e kam bërë kursin e parë në Koverçano dhe kam për të bërë edhe disa të tjerë”, është shprehur sulmuesi i kuqezinjve dhe Sienës deri në verë. Erjon Bogdani si në gusht dhe janar kishte shumë oferta në Serinë B dhe Lega Pro për të qenë pjesë tek futbolli i luajtur. Siena Mesina, Leçe, Salernitana, Bari e plot skuadra të tjera kërkonin shqiptarin. Dilema e madhe e sulmuesit Erjon Bogdani tashmë është mbyllur. Ai siç ka deklaruar edhe vetë ka varur këpucët në gozhdë.

I mbetur pa ekip pas merkatos së verës, Bogu ka vendosur për të ardhmen. Ai ka refuzuar oferta që i kanë ardhur nga Shqipëria, si dhe të tjera nga ekipe jashtë Italisë. Tanimë ai nuk është më pjesë e futbollit të luajtur, pas një karriere të gjatë të nisur në vitin 1994-ën me Partizanin, më pas në Turqi, Kroaci dhe në fund në Itali me 7 skuadra të ndryshme mes Serisë A dhe B. Bogdani ka luajtur 73 ndeshje me 19 gola të shënuar me fanellën kuqezi.

Komento
Loading...