LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Blog . Bollino: Pse opozita e bën hero një prokuror që drekon me një kriminel?!

Bollino: Pse opozita e bën hero një prokuror që drekon me një kriminel?!

Nga Carlo Bollino

Një prokuror i sapopërfshirë në një rrebesh politik, i akuzuar nga kryeministri Edi Rama dhe nga zëvendës kryeministri Erjon Braçe për lidhje me elementë kriminalë, plagoset në atentat, ndërkohë që është bashkë me një eksponent të kriminalitetit, me të cilin sapo kishte ngrënë drekë.

Situata është e paqartë dhe, në fakt, skena duket se është ajo e një larjeje hesapesh mes bandash rivale, më shumë se sa një atentat kundër një prokurori që luftonte për drejtësinë. Por Sali Berisha nuk ka dyshime dhe, kur fjala është për të mbrojtur interesat e tij personale politike, është i gatshëm të injorojë të gjitha parimet e shprehura deri në atë çast, tregoi solidaritet të hapur ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe drejtoi gishtin ndaj kryeministrit, të cilin e akuzon si përgjegjës politik dhe moral të asaj që ka ndodhur. Në të njëjtën linjë janë edhe Lulzim Basha, eksponentë të LSI-së dhe shumë analistë të opozitës.

Arsyetimi i tyre pak a shumë është ky: duke qenë se Arjan Ndoja është akuzuar nga kryeministri, ai meriton të mbrohet, pavarësisht nga akuzat që i janë bërë. Dhe, në rast se plagoset në një atentat, do të thotë se porositësi është ai që e ka akuzuar. Dhe kështu, kjo opozitë, e cila sheh mafie pas çdo aktiviteti, edhe imagjinar, të Edi Ramës, dhe sheh mafie pas çdo marrëdhënieje personale të Edi Ramës, në mënyrë të çuditshme nuk sheh mafie pas pranisë së një prokurori të ulur për drekë me një eksponent të krimit dhe që, bashkë me të, në fund të drekës, plagoset në një atentat.

Natyrisht që do t’i takojë drejtësisë të identifikojë motivin e vërtetë dhe më pas të arrestojë e të dënojë fajtorët e sulmit kundër Arjan Ndojës, mikut të tij dhe shoferit të tyre. Por reagimi i opozitës, aq i nxituar, zbulon dy probleme, që të dy shumë të dëmshëm për luftën kundër krimit të organizuar, të cilën në dukje e ka kthyer në një flamur të saj.

Problemi i parë është se kjo opozitë duket që bën dallim midis kriminelëve të majtë e kriminelëve të djathtë, sikur një palë janë e keqja absolute dhe pala tjetër janë një problem si shumë të tjerë. Kjo do të thotë që, në rast se një ditë kjo opozitë do të vinte në pushtet, ajo do të kthehej të bënte të njëjtat gabime që ka bërë në të kaluarën, kur bandat nuk goditeshin, vetëm pse tregonin besnikëri ndaj qeverisë, ose pse kishin lidhje me Policinë. Lufta kundër kriminalitetit nuk mund të jetë selektive, pasi kriminaliteti nuk ka ideologji dhe as qendrime politike. Është kriminalitet e aq dhe si i tillë duhet të trajtohet.

Problemi i dytë është se solidariteti duhet të shprehet vetëm ndaj atyre që luftojnë me të vërtetë krimin dhe jo ndaj atyre që hanë bashkë me të. Nuk kuptohet se përse, sipas opozitës, një kryebashkiak që flet në telefon me një kriminel, është edhe ai kriminel, ndërsa një prokuror që ha drekë dhe lëviz me makinë sëbashku me një kriminel, në të kundërt, kthehet në hero. Në luftën kundër krimit nuk mund të ketë standard të dyfishtë, si ai që Basha e Berisha vazhdojnë të aplikojnë në çdo aksion të tyre politik, pasi, të mos mbash distancë ndaj një krimineli dhe ndaj miqve të tij, kjo të bën të dukesh gjithnjë si bashkëfajtor i tyre. Dhe kjo ka të bëjë si me ata që janë në qeveri, po ashtu si dhe me ata që janë në opozitë.

Në rast se politika nuk arrin të krijojë një kufi të pakapërcyeshëm ndaj së ligjshmes dhe të paligjshmes, beteja kundër kriminalitetit dhe korrupsionit nuk do të fitohet kurrë. Në luftën mes të mirës dhe të keqes, politikanët, mediat, opinioni publik, dhe natyrisht edhe prokurorët, një herë e përgjithmonë duhet të vendosin se nga cila anë do të qendrojnë. Dhe kjo duhet të jetë një zgjedhje përfundimtare, pa interesa politike dhe pa kompromise. /Shqiptarja.com

Loading...
More in Blog
Albanofob të Europës mos e ktheni Brexit në Allexit, duke vërtetuar parashikimin ogurzi të Leninit … Larg qoftë !

Close