LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . BSH: Investimet në ekonomi më të larta që prej 2011

BSH: Investimet në ekonomi më të larta që prej 2011

Rritja vjetore e investimeve në ekonomi shënoi 14.3% në tremujorin e dytë 2017, norma më e lartë e rritjes që nga tremujori i katërt i vitit 2011.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, rritja e investimeve në ekonomi pritet të vijojë edhe në tremujorin e tretë, e mbështetur më tepër nga zgjerimi i investimeve private.

Faktorët që mbështesin këtë janë përmirësimi gradual i kërkesës për produkte dhe shërbime, rritja e lejeve të ndërtimit, vijimi i projekteve të mëdha investuese në infrastrukturë dhe përmirësimi i besimit në ekonomi.

Informacioni i tërthortë që disponohet për tremujorin e tretë tregon për rritje të importit të materialeve të cilat përdoren në sektorin e ndërtimit, rritje të vogël por pozitive të kredisë dhënë për qëllime investimi, dhe rritje të shpejtë të treguesit të besimit në sektorin e ndërtimit, shpjegon Banka e Shqipërisë.

përshpejtimi i normës rritëse të investimeve në ekonomi vlerësohet të jetë mbështetur kryesisht nga komponenti publik me ndikime më të ulëta pozitive nga komponenti privat.

Sipas BSH, investimet private në përgjithësi u ndikuan pozitivisht nga përmirësimi i besimit dhe i gjendjes financiare të bizneseve, nga gjallërimi i kërkesës private dhe nga vijimi i projekteve të mëdha investuese në infrastrukturë. Investimet private në sektorin e ndërtimit u mbështetën si nga gjallërimi i kërkesës për blerje banese ashtu dhe nga rritja e lejeve të ndërtimit./ATSH

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
Investigimi/ Makineria ndërkombëtare e “Fake News” e demaskuar

Close