LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . BSH: Ja faktorët që do të pengojnë ekonominë shqiptare

BSH: Ja faktorët që do të pengojnë ekonominë shqiptare

Në një perspektivë afatmesme, rritja e prodhimit potencial në Shqipëri nuk pritet të arrijë nivelet e para 2009-ës. Një konstatim i tillë bëhet në raportin e Bankës së Shqipërisë për politikën monetare gjatë tremujorit të parë 2014, që u publikua dje.

Sipas raportit, faktorë afatmesëm deri afatgjatë që mbështesin një vlerësim të tillë janë zhvillimet demografike, si  frenimi i rritjes natyrale të popullsisë dhe i asaj në moshë pune, si pasojë e emigracionit të popullsisë së re në moshë deri në vitin 2000 dhe rënies së lindjeve në popullsinë banuese në Shqipëri; emigracioni nuk pritet të jetë më një nga burimet e rëndësishme të të ardhurave: një pjesë e emigrantëve janë kthyer në vend, kryesisht pas krizës greke; pjesa e pakthyer po korrekton shpenzimet dhe të ardhurat në kushtet e pas-krizës globale të vitit 2008, duke ulur mundësitë për dërgesa monetare drejt Shqipërisë.

Po kështu, ndryshimet strukturore marrin kohë për t’u materializuar në rritje të produktivitetit: në veçanti, ristrukturimi i bizneseve të ndërtimit dhe i aktiviteteve të tjera të lidhura ngushtësisht me këtë sektor, kërkon kohën dhe përshtatjen në një realitet të ri ekonomik; përfshirja e inovacionit, progresit teknik, e dijeve dhe edukimi bashkëkohor i brezave kërkojnë, investime dhe reforma të thella strukturore, rezultatet e tyre pritet të japin efekte pozitive në rritjen e produktivitetit total përtej horizontit afatmesëm.

Nga ana tjetër, frenimi i ritmeve të kreditimit pasqyron më së shumti ngadalësimin e kërkesës por edhe frenimin e ofertës së kredisë kushtëzuar nga politikat e bankave mëma dhe nga rritja e kujdesit të bankave për të kredituar; frenimin e kërkesës së huaj; dhe rritjen e kujdesit të investitorëve për të investuar, etj.

Megjithatë, sipas BSH, ekonomia shqiptare iu rikthye normave pozitive të rritjes në tremujorin e fundit të vitit 2013 dhe informacioni ekonomik i disponuar sugjeron për vazhdimësinë e normave rritëse edhe në tremujorin e parë të vitit 2014. Por, sipas raportit, të dhënat makroekonomike të disponuara gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, lënë të pandryshuar vlerësimin për rritje ekonomike nën potencial dhe për presione të dobëta inflacioniste gjatë vitit 2014.

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
Aksident në aksin Lezhë-Shkodër humb jetën një person

Close