LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Buxheti 2018, njihuni me prioritetet e çdo sektori të ekonomisë

Buxheti 2018, njihuni me prioritetet e çdo sektori të ekonomisë

Turizmi, infrastuktura dhe uji janë tre nga përparësitë kryesore në të cilat do të fokusohet buxheti i vitit 2018.

Me një rritje prej 26 miliardë lekësh, buxheti i vitit të ardhshëm do të përmbajë edhe paketën më të lartë të investimeve publike të njohur gjatë 25 viteve të fundit.

Në një fjalë të mbajtur ditën e hënë, Kryeministri Rama zbuloi se ku do të përqendrohen investimet sipas të gjithë sektorëve të ekonomisë, si dhe të gjithë ndryshimet që do të ndodhin sa i përket taksave dhe subvencioneve shtetërore.

Bujqësia – Do të rritet financimi për sektorin e industrisë prodhuese, agroindustrinë dhe për kompanitë eksportuese. Njëkohësisht, pas mbylljes së suksesshme të negociatave me Komisionin Europian, do të rritet edhe financimi i skemave të financuara me fonde europiane.

Kultura – Buxheti i ri do të financojë fillimin e punës për Bibliotekën e Re Kombëtare, si dhe do të nisë puna për transformimin e Galerisë së Arteve dhe Muzeut Kombëtar.

Financat shtetërore dhe investimet – Investimet, në bazë të projektbuxhetit të vitit 2018 do të arrijnë nivelin më të lartë të investimeve, 5,2% në raport me PBB-ne. Kjo do të ndodhë ndërsa borxhi publik do të vazhdojë në trajektoren e tij rrënese, duke zbritur me 2,5% deri në fund të vitit të ardhshëm.

Infrastuktura – Kryeministri lajmëroi se puna për Rrugën e Arbrit do të nisë brenda këtij viti, me lidhjen e kontratës me kompaninë fituese. Njëkohësisht, po negociohet me palën maqedonase, në mënyrë që ajo të përfundojë rrugën matanë kufirit, duke i dhënë këtij korridori një rëndësi rajonale. Gjatë vitit të ardhshëm, rritja me 42% e financimit në infrastukturë do të mundësojë edhe nisjen e punimeve për disa akse të tjera. Paketa e investimeve prej 1 miliardë eurosh do të nisë nga zbatimi gjithashtu vitin e ardhshëm, me fokus të përqendruar tek infrastruktura.

Turizmi – TVSH zero për 10 vjet nga nisja e punës për kompanitë që ndërtojnë hotele të reja me 4-5 yje. TVSH për turizmin mbetet në nivelin 6%. Rritet investimi në rrugët, të cilat nxisin zhvillimin turistik.

Reformat – Buxheti ka parashikuar një fond të veçantë, që do të përdoret për realizimin e të gjitha reformave të nisura, midis tyre edhe reforma në sistemin e drejtësisë.

Uji – Në fjalën e tij, KM lajmëroi fillimin e një operacioni kombëtar për dhënien fund të paligjshmërisë në fushën e ujit. Operacioni, i cili do të zhvillohet në mënyrë të ngjashme me atë të energjisë do të nisë nga veprimi pas një periudhe disa mujore, kohe e cila i jepet shkelësve që të rregullojnë shkeljet e tyre vullnetarisht. Në këtë operacion do të punohet ngushëtësisht me pushtetin lokal. Sot Shqipëria shpërdoron trefishin e ujit që konsumon. Me këtë operacion, do të garantohet furnizim i pandërprerë me ujë për të gjithë popullatën.
Mbrojtja sociale – Pas energjisë, në paketën e ndihmës sociale do të përfshihet edhe pagesa për ujin e pijshëm. Buxheti do të mbështesë gjithashtu një përmirësim të përfitimeve për shtresat në nevojë.

Taksat – Si rrjedhojë e rritjes ekonomike dhe operacionit anti-informalitet, të ardhurat në buxhet parashikohen të jenë 26 miliardë lekë më të larta ose 6,3% më shumë se buxheti i vitit 2017. Parashikohet që të ardhurat në buxhet të arrijnë nivelin 28% të PBB-së. Ulen taksat për turizmin, teknologjinë e informacionit dhe sektorin e peshkimit. Rriten taksat për makinat e shtrenjta, si dhe mallrat e luksit, përfshirë cigaret.

Shëndetësia – Nga viti i ardhshëm do të nisë të zbatohet programi për rehabilitimin e të gjithë spitaleve rajonale të vendit. Do të mbështetet edhe shpronësimi i ndërtesave të legalizuara brenda perimetrave të qëndrave spitalore, si në Fier, Elbasan, etj. Kryeministri paralajmëroi gjithashtu një rritje të mëtejshme të pagave për mjekët si dhe një bonus të shtuar për të gjithë mjekët që pranojnë të punojnë larg vendbanimit të tyre.

Shkenca – Do të ndërpritet financimi shtetëror i Akademisë së Shkencave, deri në përfundim të procesit të saj të reformimit. Sipas Kryeministrit, aktualisht bëhet fjalë për një Akademi tërësisht inefiçente, e cila nuk ka justifikuar mbështetjen e deritanishme nga ana e taksapaguesve. Nga ana tjetër, do të vazhdojë të mbështetet Instituti i Albanologjisë, me financime direkte nga buxheti i shtetit.

Loading...
Mos e Humbisni
Skandali “CEZ”/ Romeo Kara publikon video provën, bashkëshortja e Kastriot Ismailaj akuzon drejtpërdrejt presidentin: Ilir Meta propozoi marrëveshjen në këmbim të parave… Llalla e arrestoi për llogari të tij! (VIDEO)

Close