LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Deputeti “pa eksperiencë” i PD-së i kthen përgjigje Sonilës së 11 haleve

Deputeti “pa eksperiencë” i PD-së i kthen përgjigje Sonilës së 11 haleve

Pas Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, gazetarja Sonila Meço, përmes një statusi ka komentuar sjelljen e ashpër të deputetëve të opozitës karshi Ilir Metës, madje duke i quajtur të pa edukatë dhe “pa eksperiencë”.

“Duke ndjekur komisionin hetimor në Kryesinë e Kuvendit ku dëshmon Presidenti i Republikës:

1. Edukata në formë e deputetëve të maxhorancës lë mbresë më shumë se përmbajtja e pyetjeve dhe konstatimeve të tyre. Asnjë gafë juridike deri më tash.

2. Mungesa e edukatës në formë e deputetëve të opozitës nuk lë mbresën, që të shkakton përmbajtja e pyetjeve dhe konstatimeve të tyre. Disa gafa juridike dhe dekonspirim të qëllimit të komisionit.

Përfundimi: mungesa e përvojës dhe formimit nuk është problem vetëm i atyre që e kanë, por sidomos i atyre që mbështesin strategjitë politike tek ta.”, shkruan ajo.

Deputeti i PD-së Halit Valteri, i është kundërpërgjigjur gazetares së “shumë haleve”, siç e quan ai, përmes një statusi në rrjetin social Facebook:

Nisa të lexoj me kureshtje, se sa të lumtur ishin sejmenët e Pallatit të Brigadave, kur panë se si tufa e koneve, që paska lehur kot deri më sot, nisi të lëpihej e të ul veshët ndaj presidentit, për të cilin më shumë se sa ta hetonin për antikushtetueshmërinë e vendimeve të tij, e zunë kohën në dispozicion për të mos i bërë pyetje, por për tu përmalluar me të.

Në dukje e pabesueshme, por tek fytyrat e secilit prej tyre mund të lexoje fare lehtë një shprehje nostalgjie, ndoshta për kohët e tenxheres të mbushur plot, se si e shkëlyenin të babzitur dhe ngjyenin gishtat me çapa, deri në kafshatën e fundit?! Kurse disa të tjerë mu dukën të frikësuar, a thua se i hyri lugati në derë, e me vrap ti bënin ca pyetje për të kaluar radhën.

Madje kryekomisioneri, kryepërfaqësuesi i 55 deputetëve të partisë që mblodhi firmat për shkarkimin e presidentit, kush nuk e ka kuptuar bëhet fjalë për të egrin, të tmershmin, të llaftarishmin z. Ulsi, na propozoi në mënyrë të turpshme, që t’i mblidhnim pyetjet tona të gjitha bashkë e t’ia jepnim presidentit, e ai më pas të na kthente përgjigje.

Ishte që ishte Ulsiu, kot nuk na kërkoi t’ia dërgonim me email presidentit pyetjet dhe të na kthente përgjigje pastaj me “CC”, kur të kishte terezi. Aq shumë ranë në sy nga falenderimet, sa mediat nisën të dyshojnë, se mos kishte ngelur ende ndonjë shkëndijë e vjetër nga miqësia e tyre. Ore ndoshta nuk kishte faj Ulsiu, ndoshta u tremb i shkreti kur i hyri në derë “bariu”!

Por, mes sejmenëve të oborrit presidencial, nuk bënë dot pa komentuar dhe soji i kategorisë: “sejmeni për të të ardhur keq”, të cilët shfaqjen e turpshme në komision, e cilësuan si kulturë juridike edhe edukatë ndaj presidentit dhe jo si servilosje ndaj tij. Madje, mos servilosja ndaj presidentit, na qenka dhe mungesë eksperience.

Me krenari dua t’i them këtij soji, se nuk kam ndërmend aspak të fitojë eksperiencë duke hypur nëpër jahtet e pronarëve të mediave të ngritura me para të dyshimta dhe as tu bëj kronika vilave me shumë hale të politikanëve të korruptuar! Sepse zonja sejmene, unë besoj ende tek parlamentarizmi pa “eksperiencë”, se ai me eksperiencë, që ju i thurni elozhe, po e provojmë çdo ditë dhe e kemi parë prej 30 vitesh se ku po na çon.”, përfundon deputeti Valteri.

Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close