LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Dokumenti fiskal: Brenda 2014 privatizohen asetet dhe aksionet shtetërore të shoqërive

Dokumenti fiskal: Brenda 2014 privatizohen asetet dhe aksionet shtetërore të shoqërive

Qeveria ka përcaktuar që Brenda vitit 2014 të privatizohen aksionet dhe asetet shtetërore të shoqërive në sektorët jo-strategjikë. Kjo përcaktohet në dokumentin fiskal të Qeverisë për periudhën 2014-2016. Dokumenti parashikon privatizimin e aksioneve shtetërore në OSSH, Albtelekom, ndërsa për Albpetrolin privatizimi i plotë mendohet të kryhet në periudhën 2015-2016. Nga të gjitha privatizimet që do të kryhen, Qeveria ka parashikuar të arkëtojë një shumë prej 170 milionë eurosh. Po kështu në dokumentin fiskal të Qeverisë, parashikohet liberalizimi i tregut të energjisë dhe futja e operatorëve privatë. Qeveria parashikon që në 1 Janar 2015 të arrihet hapja e plotë e tregut.

Planifikimi i privatizimeve për periudhën 2014 – 2016

Për vitin 2014 është planifikuar privatizimi i të gjitha aseteve dhe aksioneve shtetërore të shoqërive në sektorët jostrategjikë. Vlera e përgjithshme e këtyre aseteve dhe e aksioneve shtetërore është përllogaritur në një vlerë prej 5 milionë eurosh. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes po shqyrton të gjithë dokumentacion me qëllim përfshirjen e të gjitha ndërmarrjeve në procesin e privatizimit ose të likuidimit. Privatizimi në sektorët strategjikë.

– Privatizimi i paketës së mbetur të “Albtelekom” sh.a.: Shitja e paketës së zotëruar nga shteti është planifikuar për vitin 2014. Paketa e mbetur prej 16,7683661 për qind të aksioneve, është vlerësuar me një vlerë prej 18 milionë eurosh.

– Privatizimi i paketës së mbetur në ARMO sh.a. Shitja e paketës shtetërore është planifikuar të realizohet gjatë vitit 2015. Në ARMO sh.a. shteti zotëron rreth 14,9 për qind të aksioneve me një vlerë të përllogaritur në rreth 22 milionëeuro.

– Privatizimi i pjesës së mbetur në OSSH sh.a. Shoqëria është privatizuar në vitin 2009. Janë shitur 76% e aksioneve dhe aktualisht shteti zotëron në këtë shoqëri 24% të aksioneve. Pjesa e mbetur e aksioneve prej 24% dhe me një vlerë të përllogaritur në rreth 32 milionë euro është planifikuar të shitet gjatë vitit 2016.

– Privatizimi i “Albpetrol” sh.a. Gjatë periudhës 2015 – 2016 është planifikuar shitja 100 për qind e paketës shtetërore të zotëruar nga shteti. Kapitali i regjistruar i kompanisë “Albpetrol” sh.a. vlerësohet në rreth 95 milionë euro.

Liberalizimi i tregut të energjisë, futja e operatorëve privatë

Gjatë vitit 2014 pritet të miratohet ligji i ri për sektorin e energjisë elektrike. Me miratimin e këtij ligji hapet rruga për liberalizimin e mëtejshëm të tregut të energjisë, me synimin që brenda 1 janarit 2015 të arrihet një hapje e plotë e tregut, në përputhje me objektivat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Në përputhje me skenarin e parashikuar të miratimit të ligjit të ri të sektorit të energjisë elektrike, parashikohet edhe përgatitja e modelit të ri të tregut të energjisë elektrike, i cili do të jetë në përputhje me orientimet që do të japë ligji i ri i sektorit të energjisë elektrike. Në kuadër të liberalizimit të tregut të prodhimit të energjisë dhe të futjes së operatorëve privatë në tregun e prodhimit, gjatë vitit 2013 janë lidhur 47 kontrata të reja për ndërtimin e 112 HEC-ve me vlerë të përgjithshme rreth 454,1 milionë euro. Deri tani janë nënshkruar 168 kontrata koncesioni për ndërtimin e 441 hidrocentraleve, me fuqi të instaluar në total prej 2,012 MË, me vlerë të përgjithshme të investimit në rreth 2.615 miliardë euro. Gjithsej janë në shfrytëzim (prodhim) 74 hidrocentrale. Gjatë vitit 2014 pritet të hyjnë në prodhim rreth 17 hidrocentrale. Me vënien në shfrytëzim të këtyre objekteve parashikohet të garantohet siguria e furnizimit me energji elektrike të tregut të brendshëm dhe një pjesë e energjisë së prodhuar të shitet në tregun rajonal. Në kuadër të hapjes së tregut, janë bërë investime të konsiderueshme për rritjen e kapaciteteve të rrjetave të transmetimit dhe interkonjeksionit.

 

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
Itali, Puglia porta e re e trafikut të mariuanës nga Shqipëria

Close