LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Edhe sa fatura do të paguajmë në emër të paligjshmërisë?

Edhe sa fatura do të paguajmë në emër të paligjshmërisë?

Nga Drini Kuqo

I shkëputur nga bota e çudirave all-shqiptare, Strasburgu vendosi dje që të shpërblejë vjehrrin e Bashës me 13,1 milionë euro para të taksapaguesve shqiptarë.

A është faji i Strasburgut? Pa dyshim që jo. Gjykatësve atje nuk i intereson se kush është Basha e kush është Rama, e me shumë gjasë as e kanë idenë për masakrën e pronave dhe të betonizmit që ka shpërfytyruar Shqipërinë në 25 vitet e fundit.

Pa qenë avokat, duke u distancuar nga zërat qesharakë të “korrupsionit” të Strasburgut dhe i bindur se vendimi është marrë në mirëbesim të plotë, i vetmi fakt kokëfortë dhe i pandryshueshëm është që faturën, edhe një herë do ta paguajmë ne, unë dhe ti që nuk kemi fare të bëjmë me këtë histori.

A është faji i qeverisë? Pa dyshim, një përgjegjësi në këtë mes mbetet e pamohueshme. Përballë letrave të kopsitura aq mirë, në 2013-n mund të ishte vepruar ndryshe. Fundja, edhe pse ndërtesa ishte ngritur treçereku mbi det, cinikisht, çndryshon një monstruozitet më shumë apo një më pak, në rivierën e përdhunuar sa e sa herë të Vlorës?

Me siguri, po të pyesësh në qeveri do të thonë se janë mbledhur të gjitha provat për këtë aferë korruptive, se si dëshmi në Strasburg janë çuar edhe fletgjobat e INUK-ut të drejtuar në atë kohë nga Gjergj Bojaxhiu, e se fundja, projekti nuk u shemb për inate politike, por për interesin publik, pasi në vend të pallatit të vjehrit u ngrit skaji fundor i Lungomares.

Por kjo punë nuk duhet të ketë militantizëm. Mua si qytetar nuk më interesojnë detajet teknike, më intereson vetëm që 13 milionë euro me të cilat mund të ngriheshin disa shkolla apo të pajiseshin disa spitale, sot shkojnë edhe një herë më shumë në xhepat e vjehrrit të kryetarit të Lulzim Bashës. A thua se kishte nevojë!?

Nuk e kam as me Bashën e as me babain e as me familjarët e tij. Ndihem i revoltuar vetëm sepse sikur të mos mjaftonin vështirësite me të cilat përballemi ne që përbëjmë 99% të shqiptarëve, tani duhet të paguajmë edhe fatura për histori për afera që nuk janë tonat.

Edhe sa do të duhet të paguajmë? Çdo muaj në Fletoren Zyrtare shpallen vendime shpronësimesh për interes publik, e faturat e majme i paguajmë ne.

Paguajmë për shtëpinë e prishur mbi kolektor, paguajmë për hotelin e ngritur në mes të rrugës, paguajmë për biznesin e ngritur buzë lumit, paguajmë për morinë e ndërtimeve të ngritura në zonat që historikisht i merr lumi sa herë vjen stina…

E përse duhet të paguaj unë e si unë shumë të tjerë vetëm sepse për hir të ca votave më shumë u lejua që toka të vidhej, që pronari i ligjshëm të nxirrej me shqelma nga toka e tij e që të ndërtohej mbi kolektorë, mbi lumenj, mbi liqene apo mbi det…

Nuk është hera e parë që Strasburgu përcjell faturat e korrupsionit tek qytetarët shqiptarë.

Atje nuk duan t’ia dinë shumë për historirat all-shqiptarçe. Dosjet që shkojnë atje janë pa dyshim të kopsitura si duhet, sepse në këmbim të ca kartmonedhave, edhe letrat e shtetit me vulat përkatëse janë stilosur si një kostum i prerë me porosi.

Ne paguajmë, por askush nuk dënohet. Ndaj, e vetmja zgjidhje është që të paktën të ngremë ca palo gjykatash, që të plasin brenda të gjithë ata që kanë përpiluar ato dosje që sfidojnë edhe logjikën e Strasburgut.

Sepse edhe ata atje e dinë që një pallat nuk mund të ndërtohet në mes të detit, por kur u vjen firmani me vulën e shtetit shqiptar, si mund të gjykojnë ndryshe?
Dikush do të thotë që edhe nëse i plasim brenda, prapë faturën e burgut do ta paguajmë ne. Ironi më vete, sidomos kur mendon që një i burgosur i kushton shtetit shqiptar 700 mijë lekë të vjetra në muaj, një rrogë që shumë pak veta e kanë…

Por jam i sigurt, kjo do të ishte një faturë që të gjithë ne do ta paguanim me qejf sepse duke dërguar në burg shkelësit, sikur vetëm për kaq, asnjë vjehrrë apo baxhanak nuk do të jetojë më qyl me lekët tona.

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Asgjë e re nga fronti i shpifjes!

Close