LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Falja e gjobave, ja kushtet që duhet të plotësoni

Falja e gjobave, ja kushtet që duhet të plotësoni

Projektligji i Ministrisë së Financave për faljen e madhe të gjobave për makinat, bizneset dhe sigurimeve shoqërore tash më është në qeveri dhe pritet të miratohet gjatë këtij muaji, sipas variantit të dytë të realizuar dy muaj më parë.

Në tërësi, ligji, parashikon pagesën dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të papaguara, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit, pas fshirjes së detyrimeve tatimore të papaguara. Për detyrimet tatimore, ashtu siç ka deklaruar dhe Ministri i Financave, Arben Ahmetaj së fundmi do të fshihen të gjitha ato që janë krijuar deri në 31 dhjetor 2010.

Nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014 do të falen gjobat me kusht që të paguhet detyrimi i plotë. Falje të gjobave do të ketë edhe pas vitit 2014, por vetëm për dy kategori. Së pari, gjobat që u vunë në qershor të vitit të kaluar nga sistemi për vonesa të deklarimit të administratorit, por edhe vonesat në deklarimin e punonjësve. Një pjesë e bizneseve që kanë paguar këto gjoba pasi nuk arrinin të merrnin dot vërtetime mund të kërkojnë që ato të zbriten nga detyrimet që kanë për të paguar. Së dyti, do të falen gjobat për kompanitë e  kasave, që u vunë gjatë periudhës së aksionit kundër informalitet për vonesa në furnizimin me kasa fiskale.

Sigurimet shoqërore

Për kontributet e sigurimeve shoqërore, objekt i draftit të fshirjes së detyrimeve do të jenë vetëm gjobat për sigurimet shoqërore të papaguara. Projektligji përcakton se gjobat e kontributeve do të fshihen pa kusht deri në dhjetor të 2010- s. “Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, të cilat rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit”, thuhet në relacioni. Shkak i mos fshirjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore është që personat e rinj që do të mbushin moshën e daljes në pension të mos përfitojnë më pak pension. Në rast se këto kontribute të papaguara do të fshiheshin, atëherë për këtë periudhë nuk do të ketë pagesa, çka do të thotë që këta persona do të përfitonin më pak pension. Për periudhën nga 1 janari 2011 deri në dhjetor të 2014, gjobat për kontributet e pensionit do të fshihen me kushtin që të paguhet i gjithë detyrimi për kontributet e sigurimeve shoqërore. Për periudhën e faljes së gjobave me kusht, drafti përcakton se afati i pagimit të detyrimit të plotë është 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligji.

Makinat

Për makinat do të fshihen të gjitha taksat e papaguara deri në 2010, ndërsa për periudhën nga 1 janari 2011 deri në dhjetor 2014 falen vetëm gjobat për taksat e papaguara të makinave, me kushtin që të paguhet principali. Në total, për mjetet e transportit, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor llogarit faljen e rreth 15 milionë dollarëve detyrime. Nga ligji i fshirjes së detyrimeve do të përfitojnë rreth 140 mijë makina. Bëhet fjalë për faljen e taksës vjetore të regjistrimit të makinës, taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura dhe taksat e mjeteve luksoze. Amnistia parashikon se, nëse drejtuesi i mjetit kërkon të mos e nxjerrë atë nga qarkullimi, duhet të paguajë detyrimet pas 2010, në këtë rast i fshihen gjobat, por edhe taksat e papaguara para kësaj periudhe. Pra, për të shmangur çregjistrimin e makinës, pronari duhet të paguajë taksat e periudhës nga 2011 deri në 2014. Në rast të kundërt, 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit makina do të çregjistrohet, ndërsa targa do t’i dërgohet Policisë së Shtetit me qëllim ndalimin e qarkullimit. Mjetet që përfitojnë nga falja e gjobave, në rast se do të paraqiten dhe do të paguajnë taksat për t’i mbajtur aktiv, është rreth 3.6 milionë dollarë.

Biznesi

Për biznesin, objekt i ligjit të faljes do të jenë detyrimet tatimore që është tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi fitimin, akciza, tatimi mbi të ardhurat personale etj. Të gjitha këto janë objekt i ligjit të faljes, kurse në dogana falen detyrimet që janë të regjistruara si borxh doganor, të cilat mund të jenë rivlerësime apo gjoba. Edhe për këto detyrime, amnistia vepron me të njëjtat parime si në faljen e detyrimeve tatimore.

Të dhëna

140 mijë makinave u fshihen plotësisht taksat e papaguara deri në 31 dhjetor 2011. Pronarët që nuk duan të çregjistrojnë makinat, duhet të paguajnë taksat nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014. Amnistia parashikon 6 muaj afat që debitorët të shlyejnë taksat e makinave, me qëllim që mjeti të mos çregjistrohet.

Makinat që kanë paguar taksën e fundit në vitin 2011 janë gjithsej 22.888 mjete, u falen 182.423.070 lekë gjoba nëse paguajnë detyrimin e plotë deri në 2014. Makinat që kanë paguar taksën e fundit në vitin 2012 janë gjithsej 10.588 mjete, u falen 56.259.338 lekë gjoba nëse paguajnë detyrimin e plotë deri në 2014.

Makinat që kanë paguar taksën e fundit në vitin 2013 janë gjithsej 14.427 mjete, u falen 77.189.124 lekë gjoba nëse paguajnë detyrimin e plotë deri në 2014. Makinat që kanë paguar taksën e fundit në vitin 2014 janë gjithsej 16.850 mjete, u falen 44.766.238 lekë gjoba nëse paguajnë detyrimin e plotë. 360 milionë lekë është falja e gjobave për drejtuesit e makinave që do të paraqiten dhe do të paguajnë taksat për të mos e nxjerrë mjetin nga qarkullimi./shekulli/

Loading...
More in Ekonomi
Ja pse i duhet Shqipërisë “One billion project”

Close