LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Fatkeqësia që na bashkoi të gjithëve nën emrin shqiptarë

Fatkeqësia që na bashkoi të gjithëve nën emrin shqiptarë

Në Sarandë, vetëm pak minuta pas njoftimit për tërmetin 6.4 ballë që tronditi Durrësin, Tiranën e gjithë Shqipërinë, për herë të parë në këto tri dekada, politika sikur i uli armët. Fatkeqësia që ra mbi supet e Shqipërisë, veçanërisht familjeve që humbën nën rrënoja të afërmit e tyre, bëri bashkë të gjithë. Në një takim emergjent, dy forcat politike PS-PD, u vendosën në të njëjtin front, atë të mbështetjes së njerëzve të goditur nga tragjedia. U bënë njësh ata që asnjëherë ndër këto vite nuk ishin parë bashkë. Kryetarët e dy forumeve rinore, FREsSH dhe FRPD të Sarandës, Eri Sulo dhe Jolio Dine dolën në një komunikim urgjent dhe bënë thirrje që të gjithë të ndihmojnë me sa të munden për t`iu gjendur vëllezërve tanë në nevojë. Ata folën me një zë, me një zemër. Me një mendim. Të dy djemtë, të rinj, të kulturuar, të pastër, të dinjitetshëm. Morën përsipër të vendosin urat e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave për të bërë detyrën ndaj atyre që tërmeti shkatërrimtar u shembi shtëpitë dhe mori jetë njerëzish ashtu siç bëri pluhur mundin e djersën e shumë viteve. Pa të afërmit. Pa shtëpi, Të terrorizuar. Shumë prej tyre në pikëllim të thellë kërkojnë jo politikë në këto momente, po bashkim dhe përkujdesje maksimale. Bashkimi i forumeve rinore të Sarandës, u shoqërua me solidaritet të gjithanshëm. I tërë populli i qytetit dhe zonave përreth, brenda një kohe të shkurtër në vendgrumbullimet e përcaktuara i mbushën plot me ndihma, ku nuk munguan edhe ata që ndoshta nuk kanë as për vete. Po këto ditë, janë të veçanta. Fatkeqësia na bëri bashkë. Tonet u ulën dhe bashkëpunimi u ngjit në majë. Kështu kanë vepruar shqiptarët ndër shekuj. Kur ka dhembje veriu e ka ndjerë edhe në jugu, lindja e perëndimi. Çdo centimetër katror i Shqipërisë pasi jemi një trup i vetëm. Tërmeti i tmerrshëm, na kujtoi se jeta është mbi gjithçka dhe politika duhet të prevalojë mbi ndasitë politike, mbi sherret, ultimatumet dhe fjalët mbi ulërimat dhe etjen për pushtet. Fatkeqësia shërbeu si adrenalina më e fuqishme, e cila deri sot në tërë këto vite na ka munguar. Bashkimi në fatkeqësi është realisht virtyt i shqiptarëve. Në historinë tonë të viteve të fundit, kjo është provuar më shumë se njëherë. Solidariteti ndihet kudo. Qytetarët janë më të vëmendshëm. Bëhen më të edukuar. Edhe të folurit e bëjnë me zë më të qetë dhe më tone më të ulta. Bashkëpunimi mes të ndryshmëve. Të gjithë shqiptarët janë bashkë dhe në shembullin e tyre edhe në politikën e madhe, atje ku jo në pak raste burojnë konfliktet dhe ndërtohen strategjitë për t`i hedhur në sulm për të bërë revolucione shkatërruese në emër të interesave të ngushta që kanë për busull pushtetin atje në krye. U desh tërmeti që të shkunden edhe vetë politikanët dhe të shikosh bashkë, Ballën edhe Bashën, Dumën, Shehin dhe Metën. Në traditën e lashtë shqiptare është normale shuarja e mllefeve e mërive në çaste fatkeqësish. Kur nga një familje largohet një pjesëtar edhe pse në konflikte të rënda, ulen armët. Familjet bashkohen për t`i dhënë lamtumirën e fundit dhe nderuar të vdekurin. Familjet në armiqësi ulin tonet dhe bashkohen për ta kaluar tronditjen e rëndë. Shumë shpesh pas këtyre ngjarjeve nisë një jetë e re dhe shuhen edhe konfliktet dhe rinisin miqësi sipas traditave që i kemi trashëguar nga të parët. Po tërmeti i 26 nëntorit nuk mbeti vetëm me uljen e armëve të politikës dhe bashkërendimin për të përballuar fatkeqësinë vetëm mes shqiptarëve kudo që janë. Të shumtë janë personalitet që iu bashkuan dhimbjes tonë nga mbarë bota. Në ekranet e televizioneve, u shfaqen njerëz të shquar, artistë, futbollistë, këngëtarë, shkencëtarë, aktorë të cilët bëjnë thirrje dhe solidarizohen me shqiptarët në këto ditë të dhimbjes së thellë. Bebe Rexha, këngëtarja me famë botërore, la turneun në mes dhe iu drejtua fansave për të ndihmuar shqiptarët në nevojë. Dhe gazetarë të shquar nga shtete të largëta bën të njëjtën gjë. Tifozë të sportit u rreshtuan për të grumbulluar ndihma. Po solidariteti kapërceu kufijtë e të qenit shqiptarë. Në këtë solidaritet të madh janë reshtuar shtete dhe kryetarë qeverish. Personalitete të shquara në krye të organizmave botërore. Janë vënë në dispozicion grupe elite të emergjencave civile që nga Franca deri në Serbi. Të parët mbërritën kosovarët, ata që e ndjenë tragjedinë si të ndodhte në shtëpinë e tyre. Erdhën në familjet shqiptare dhe punuan me vetëmohim, pa pyetur për jetët e tyre. Nga Greqia mbërritën forcat xheniere. Të gjithë të gatshëm për të punuar e gjetur njerëzit nën rrënoja. Nuk është për t`u habitur që në të njëjtën ndërtesë të rrënuar, bashkë, janë forcat e shpëtimit shqiptare të cilat punojnë me thonj e shpirt, serbë, kosovarë, rumunë, italianë, turq, francezë, maqedonas. Të gjithë bashkë. Janë heronjtë e kohëve të vështira. Heroizmi i tyre është kurajo më domethënëse për ne që përjetojmë tronditje dhe dhimbje njerëzore. Tërmeti, tregoi se jemi shumë pranë. E tha shumë bukur gazetari grek: -Sot jemi të gjithë shqiptarë. A nuk folën shqip, Tchipras, ish-kryeministri grek, zoti Macron, presidenti i Francës, Erdohan, kryeministri Italisë Konte, i Rusisë Putin, Serbisë Vuçiç, Zaevi i Maqedonisë, kryeministri i Malit të Zi e shumë personalitete nga e gjithë bota? A nuk u bashkuan të gjithë sot nga SHBA, deri në cepat e botës nën një emër shqiptarë?!Tërmeti na tronditi. Na theri në zemër. Na krijoi ankthe dhe plagë të rënda që do duhen kohë të shërohen. Disa prej tyre nuk do gjejnë qetësi pasi u kanë ikur nga gjiri i familjes të afërmit e tyre, fëmijë, baballarë, gjyshër. Të gjithë të përqafur nën rrënoja. Do duhen ditë e muaj që këto plagë të shërohen. Na duhen përpjekje mbinjerëzore të rivendoset jeta në ritmet normale. Po tragjedia duhet të na shërbej për të vendosur pikat mbi “I”. Shteti shqiptar, pavarësisht se kush drejton duhet të marrë masa urgjente për një forcë elitare të mirëpërgatitur me të gjitha mjetet e nevojshme. Tërmeti na dha një sinjal se është atje edhe pse 34 km në thellësi të tokës, duke na dërguar 900 sinjale në 48 orë. Sa herë të kollitet nëntoka aq herë do na dhëmbin zemrat. Ndaj duhet ndërprerë urgjent ndërtimi në zona me rreziqe. Kërkohen studime urgjente dhe të mirëorganizura për të ndalur ndërtimet në këneta dhe rërë. Ajo që pësuam duhet të jetë thirrje për t`i vënë gishtin kokës dhe jo për të gjykuar se ja kaloj edhe kjo radhë. Neglizhenca nuk duhet toleruar. Ashtu sikundër kërkohen studime të mirëfillta në të gjithë vendin për të përcaktuar se cilat duhet të jenë banesat e pabanueshme. Çdo përsëritje gabim, është një sinjal se nuk dimë të vëmë mend. Dhe natyra nuk do na fali. Sot nuk është koha për qarje. As për beteja politike. Armët duhet të qëndrojnë në armaturë. Kërkohet t`i dalim zot tragjedisë dhe t`u gjendemi me gjithçka të dëmtuarve. Sot të gjithë janë qeveri. Nuk ka opozitarizëm me fatkeqësinë. Historia do të dënonte çdo qëndrim ndryshe që nuk shkon në të njëjtin drejtim me solidaritetin mbarëkombëtar e ndërkombëtar. Jo më kot, kudo thuhet: Ra ky tërmet dha na bëri të gjithëve shqiptarë. Të këtushmit dhe gjithë globin. Ishte tmerri që shkaktoi tragjedi, po tregoi se në fatkeqësi jemi të gjithë bashkë. Jemi të gjithë popull. Solidarë deri në ekstrem!

Nga Bardhyl BEJKO

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore, Opinione
Pas tërmetit të fuqishëm në Shqipëri, tronditet Greqia

Close