LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Fatos Klosi: Meta tejkaloi kompetencat, e vendos Kushtetuesja nëse kreu shkelje të rëndë, ja pse duhet të goditen gjyqtarët që bëjnë sipas qejfit

Fatos Klosi: Meta tejkaloi kompetencat, e vendos Kushtetuesja nëse kreu shkelje të rëndë, ja pse duhet të goditen gjyqtarët që bëjnë sipas qejfit

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias për çështjen “Meta”, reforma në drejtësi dhe propozimi i kryeministrit Rama për të hartuar një ligj special për prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi teksa i referohet draft opinionit përfundimtar të Venecias shprehet qartë se Presidenti Meta tejkaloi kompetencat me vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Megjithatë, ish-kreu i SHISH thekson se tanimë fati i Ilir Metës është në dorë të Parlamentit dhe më pas në dorë të Gjykatës Kushtetuese. Sa i takon idesë së hedhur nga kryeministri Edi Rama se duhet një ligj special për të frenuar batërdinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar që nuk kanë dalë ende para vetingut, Klosi deklaroi së është një propozim tejet interesant. Ndërkohë, duke komentuar ngritjen e SPAK, zoti Klosi theksoi se ky organ do të çojë para drejtësisë të gjithë pushtetarët e korruptuar, pasi sipas tij, ka mbështetje 100% nga SHBA dhe BE.

-Zoti Klosi, Komisioni i Venecias miratoi raportin përfundimtar, sa i takon procedurave për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra. Por megjithatë, mazhoranca nxitoi që ta konsiderojë këtë si fitore të saj, raport i cili legjitimon nismën e saj për të shkarkuar Metën nga detyra. Ndërkohë që, opozita dhe Presidenca e konsiderojnë raportin fitore të kreut të shtetit. Kështu që, duke qenë se ka shumë interpretime për këtë raport, në opinionin tuaj çfarë tha Venecia, e ka shkelur apo jo presidenti Kushtetutën?

Mendoj se Komisioni i Venecias si fillim duhet falënderuar për draft opinion paraprak dhe për draft opinion përfundimtar, sa i takon çështjes “Meta”. Pra, Venecia duhet falënderuar që merret me hallet tona. I rëndësishëm është fakti që në të dy raportet dhe sidomos ai përfundimtar, Venecia thotë që Presidenti i Republikës, Ilir Meta tejkaloi kompetencat me anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Pastaj se përbën kjo një shkelje të rëndë kushtetuese të konsumuar nga kreu i shtetit i takon Gjykatës Kushtetuese që të shprehet për këtë gjë. Megjithatë, Komisionin i Venecias në raport thotë se edhe pse kemi të bëjmë me tejkalim kompetencash, shkelja e Presidentit, sa i takon zhdekretimit të zgjedhjeve nuk përbën ndonjë shkelje të rëndë, që për pasojë të çojë në shkarkimin e presidentit Meta nga detyra. Sidoqoftë, tanimë kjo çështje është në duart e Parlamentit shqiptar dhe pastaj në dorën e Gjykatës Kushtetuese për të thënë fjalën e fundit. Pra, tani përgjegjësi dhe topi është në fushën shqiptare, pasi Komisioni i Venecias e përfundoi misionin e tij dhe se ata janë këshilltarë dhe profesionistë që duhen falënderuar. Kështu që, si përfundim janë institucionet shqiptare që duhet të thonë fjalën e fundit për çështjen në fjalë.

-Më datën 18 tetor, Komisioni Europian do të vendosë nëse do t’i hapë apo jo negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian. A mendoni se do kemi një vendim pozitiv?

Unë shpresoj që në datën 18 tetor do të ketë një vendim pozitiv nga ana e Bashkimit Europian, sa i takon çeljes së negociatave të Shqipërisë. Ky nuk është mendim, por thjeshtë një shpresë, e cila më përforcohet nga fakti se kam dëgjuar një lajm dy ditë më parë, i cili thoshte që Gjermania do të përpiqet që t’i bindë të gjithë aleatët, sidomos vendet skeptike si Holanda, Franca dhe Danimarka që t’i hapen negociatat Shqipërisë. Pastaj procesi për t’u anëtarësuar në familjen europiane mund të zgjasë sa të duan ata. Por si fillim shpresoj që të hapen dhe kjo është ajo që të gjithë presim. Megjithatë, uroj që gatishmëria e Gjermanisë të jetë e vërtetë.

-Një nga shtetet që i ka thënë “PO” çeljes së negociatave për Shqipërinë është Gjermania. Por kjo e fundit ka vendosur 9 kushtet për Shqipërinë, mes të cilëve kërkon ndjekje penale për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët kanë ngelur gjatë procesit të vetingut. Sa të realizueshme janë këto kushte?

Besoj dhe kam bindjen se 9 kushtet që Gjermania ka vënë për Shqipërinë janë të realizueshme dhe është mëse normale që kërkojnë këto reforma nga Shqipëria. Aq më tepër që këto kushtet nuk kërkohen të plotësohen menjëherë, por janë ndarë në dy faza. Megjithatë, më lejoni të hyj tek pyetja, sa i takon ndjekjes penale që Gjermania kërkon për prokurorët dhe gjyqtarët që kanë ngelur në veting. Besoj se kjo kategori, për të cilin Gjermani me të drejtë kërkon hetim duhet të hetohet. Gjyqtarët dhe prokurorët që deri më tani kanë ngelur, ngelën gjatë procesit të vetingut dhe dolën që ishin të korruptuar. Kështu që, korrupsioni është vepër penale dhe për mua ka ardhur koha që ata të hetohen dhe ndiqen penalisht. Kjo gjë nuk i bëni mirë vetëm Gjermanisë që e kërkon këtë gjë, por mbi të gjitha është e dobishme për ne dhe e shëndosh sistemin. Thelbi i reformës në drejtësi kjo është, që të pastrohet sistemi i drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

-Megjithatë, përveçse Gjermanisë, ndjekje penale për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ka kërkuar edhe kryeministri Edi Rama, i cili i akuzon ata se po bëjnë batërdi, duke qenë se e dinë që do të ngelin në veting. Në këto kushte, teksa ishte duke folur në Parlament, Rama deklaroi se do të propozojë një ligj special, në mënyrë që të izolojë këtë kategori njerëzish. Si e cilësoni këtë propozim të kryeministrit Rama?

Mua më pëlqen shumë dhe duket si iniciativë tejet interesante ideja e hedhur nga kryeministri Edi Rama, që të hartohet një ligj special dhe të ndiqen penalisht prokurorët dhe gjyqtarët që ai i etiketoi si një grup i strukturuar kriminal, apo “Kap Ç’të Kapësh”. Më pëlqen ky premtim i kryeministrit Rama dhe shpresoj që ta mbajë fjalën. Këta prokurorë dhe gjyqtarët që duke qenë se procesi i vetingut zgjat 8 vjet dhe e dinë që janë të korruptuar, nuk mund të lejohen që të livadhisin dhe të bëjnë lëmsh sistemin e drejtësisë. Domethënë kjo kategori njerëzish nuk mund të jetë jashtë kuadrit ligjor, sikundër të gjithë qytetarët e gjithë Shqipërisë. Pra, në qoftë se kjo akuzë e artikuluar nga kryeministri është e vërtetë, e para është turp, trup edhe për vetë procesin e vetingut që nuk e ka parashikuar këtë gjë. Ndoshta edhe u ngut dhe ligjet e reformës në drejtësi u bënë edhe nga nxitimi duke qenë se ishte emergjencë kombëtare. Por kjo ka pak rëndësi për mua. Unë mendoj se një ligj special për të frenuar këta njerëz është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Pse? Sepse ky ligj do të marrë parasysh të gjitha këto detaje për këtë kategori njerëzish dhe nuk duhet të jetë pjesë e Kodit Penal të zakonshëm, por të jetë një ligj special. Jemi përpara një ngjarje shumë të veçantë, reforma në drejtësi nuk është provuar ndonjëherë, kështu që meqenëse është e tillë duhet një ligj i kësaj natyre. Pra, do ishte mirë dhe e dobishme që ky ligj të trajtojë këtë pretendim të ngritur nga kryeministri Rama në Parlament. Ka ardhur koha që drejtësia e re duhet të jetë gjakftohtë edhe përbrenda sistemit të saj.

-Reforma në drejtësi, e sidomos procesit i vetingut, deri më tani ka rezultuar një histori suksesi. A mendoni se me ngritjen e SPAK dhe BKH do të intensifikohet lufta ndaj pushtetarëve të korruptuar?

Unë fillimisht shpresoj që ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit të bëhet sa më parë. Besoj se këto dy organe do të hetojnë korrupsionin në nivel zyrtarësh të lartë dhe jovetëm. Unë shpresoj që SPAK dhe BKH do të hetojë dhe do ta kryejë me rigorozitet detyrën, aq më tepër që kanë mbështetje të madhe edhe nga ndërkombëtarët, sikundër janë Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Nëse reforma në drejtësi do të ishte bërë me forcat tona nuk do të isha kaq i sigurt, por duke qenë se reforma në drejtësi është një prodhim amerikan, kam shumë shpresë. Ndërkohë, fakti që SHBA dhe BE po deklarojnë çdo ditë që reforma në drejtësi është histori suksesi dhe se procesi do të shkojë deri në fund, shpresoj që vërtet të shkojë deri në fund.

-A besoni se SPAK do të bashkëpunojë me SHBA dhe BE për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë zyrtarësh?

Unë jam besim plotë se lufta ndaj korrupsionin në nivel të lartë do të ketë suksese, pasi këtë gjë e kanë marrë në dorë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA udhëheq reformën dhe kjo do të ndihmojë dhe mbështetë agjencitë shqiptare që të çojnë para drejtësisë pushtetarët e korruptuar, apo çdo politikan që deri më dje ka qenë i paprekshëm. Pra, politikanët dhe deputetët shqiptarë e përfunduan misionin e tyre, sikundër ishte votimi në Kuvendin e Shqipërisë i reformës në drejtësi, ndërsa tani janë juristët nëpër komisionet e vetingut që po hetojnë dhe në fund me këmbënguljen e SHBA-BE, aq më tepër që shpenzimet financiare janë të tyre, kjo reformë do të ketë suksese. Të gjitha këto më japin një farë shpresë se reforma në drejtësi do të jetë e suksesshme.

Intervistoi:Rigels Seliman

Loading...
More in Aktualitet, Politike
“Do të përhapë kudo nëpër otë lajmin”! Rama publikon videon dhe jep njoftimin e rëndësishëm

Close