LAJMI I FUNDIT
Home . Kuriozitete . Shendeti . Flet mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji: “Diabeti i pleqërisë”, shenjat që shfaq dhe si ta mbajmë nën kontroll

Flet mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji: “Diabeti i pleqërisë”, shenjat që shfaq dhe si ta mbajmë nën kontroll

Pothuajse 50 për qind e të prekurve nga sëmundja e diabetit i takojnë moshës së tretë. Shkak për këtë nuk është vetëm faktori gjenetik, por edhe një seri faktorësh të tjerë, të cilët çojnë në shfaqjen dhe avancimin e sëmundjes.

Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji, thotë se ndikim ka edhe mënyra se si ushqehemi. Përmes intervistës dhënë për gazetën, Gjergji bën me dije edhe shenjat e para të sëmundjes, faktorët që ndikojnë në avancimin e saj, si edhe dietën që duhet të ndiqet nga personat e prekur.

DASHAMIR GJERGJI
DASHAMIR GJERGJI

Sa e rrezikuar është mosha e tretë nga sëmundja e diabetit?

Diabeti i sheqerit është një nga sëmundjet kronike më të shpeshta që prek individët e moshës së tretë, apo pleqërisë. Në fakt, diabeti konsiderohet vetvetiu si sëmundje që shkon në përpjesëtim të drejtë me moshën, në kuptimin që sa më shumë të plakemi, aq më tepër rritet rreziku për t’u prekur nga kjo sëmundje. Shkaqet pse prek me tepër moshën e tretë lidhen kryesisht me humbjen e aftësive të organizmit për të mbajtur nën kontroll vlerat e sheqerit në gjak.

Lidhen gjithashtu me shtimin në peshë që merret gjatë viteve, si dhe me uljen e aktivitetit fizik në këto mosha. Faktorë të tjerë të rëndësishëm konsiderohen edhe stresi, sëmundje psikike të moshës si depresioni, demenca, çrregullimet e konjicionit etj. Në vendet që posedojnë statistika të sakta është përllogaritur që në moshat mbi 65 vjeç, diabeti haset në rreth 25% të popullatës. Vlen të sqarohet se kjo shifër është jashtëzakonisht e lartë dhe përfshin të gjitha tipat e diabetit në këtë grupmoshë, diabetin e tipit 1, diabetin e tipit 2 etj.

Diabeti i tipit 2 është forma më e zakonshme që prek të moshuarit dhe është përgjegjës në mbi 95% të të gjithë diabetikëve të kësaj moshe.

Si mund të dallohet nëse vuajmë apo jo nga diabeti, pra cilat janë shenjat e para të manifestimit të sëmundjes te mosha e tretë?

Diabeti duke qenë se nënkupton shtimin e sheqerit në gjak me vlera mbi ato të lejuara, shenjat dhe simptomat klinike janë të lidhura me efektet biologjike që jep kjo sëmundje mbi organizmin e sëmurë. Në mënyrë klasike diabeti mund të paraqitet me shenja klinike tipike, ku përfshihet: etja e madhe për ujë, urinim i shtuar gjatë ditës dhe natën, rënie në peshë etj. Nga ana tjetër, diabeti mund të manifestohet edhe me shenja atipike si mund të jenë lodhje e shpejtë, pafuqi, mungesë dëshire për pune dhe aktivitete tjera si rënie e humorit, ankth, pagjumësi dhe nervozizëm.

Jo rrallë këta të sëmurë ankohen për çrregullime të vështrimit, kryesisht dominon rënia e pamjes si nga afër, ashtu edhe për larg. Të shpeshta janë edhe dëmtimet e lëkurës, infeksione të ndryshme kryesisht ato urinare. Në disa raste të rënda, këto infeksione mund të jenë më të rrezikshme që në prezantim të sëmundjes së diabetit si pneumoni, plevite, abcese etj. Te personat e moshës së tretë, kjo sëmundje është shumë e vështirë të kuptohet që në fillim sepse shumica e shenjave të mësipërme ose janë të zbehta, ose mungojnë fare. Diabeti i pleqërisë paraqitet pa simptoma klasike, edhe si shkak i humbjes së reflekseve fiziologjike, mund të dëmtohet ndjesia e etjes si shkak i lodhjes së veshkave e për pasojë moskoordinim të mirë mes organeve. Shpesh këta të sëmurë diagnostikohen tepër vonë, rreth 2 ose 3 vjet pasi ka filluar sëmundja.

insulina

Ju pohuat se “diabeti i pleqërisë” nuk shfaqet me simptomat e zakonshme. Si dallohet në këto raste?

Zakonisht simptomat më të shpeshta që mund të prezantohen te këta të sëmurë janë të lidhura me dehidrimin, me humbjen e madhe të lëngjeve nga organizmi. Këta të sëmurë janë si të lodhur, me tharje të lëkurës dhe të syve, rënie në peshë. Jo pak të sëmurë diabetikë të kësaj moshe referojnë si shqetësime p.sh. dhimbje të gjymtyrëve, djegie apo humbje të sensibilitetit të tyre. Shqetësimet e mësipërme jo vetëm të orientojnë drejt diagnozës së diabetit, por konfirmojnë se sëmundja ka kohë që ka filluar, madje ka arritur të komplikohet, të dëmtojë nervat periferike. Duke pasur parasysh paraqitjen atipike klinike të këtyre të sëmurëve, mbetet që te çdo i sëmurë të vlerësohet çdo e dhënë, rast pas rasti.

Çfarë e stimulon avancimin e sëmundjes, pra cilët janë faktorët e riskut?

E prekëm edhe pak më lart se shkaqet e kësaj sëmundjeje duhen kërkuar në dy burime bazë, së pari te defektet gjenetike që trashëgojnë këta të sëmurë nga të afërmit e tyre, kjo për faktin se diabeti është sëmundje kronike që trashëgohet. Forma e lidhur më tepër me trashëgiminë është tipi 2 i diabetit, ndaj edhe grupet e rrezikut për këtë sëmundje më tepër lidhen me karakterin gjenetik të saj.

Nga ana tjetër s’duhet harruar edhe ndikimi i faktorëve të jashtëm, jogjenetike. Faktorë të tillë që predispozojnë për diabet janë: jeta sedentare ose mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha dhe obeziteti, sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, sidomos ato të zemrës, aparatit muskulo-skeletik, të gjëndrave endokrine etj. Në të shumtën e rasteve kur ndodh diabeti gjenden së bashku fajtorët si ato të trashëgimisë edhe veset, apo sëmundje përparuese të diabetit. Obeziteti si forma më e rëndë e mbipeshës është faktor i madh rreziku për diabet, gjithashtu edhe çrregullimet e yndyrave mund të precipitojnë drejt kësaj sëmundjeje.

Shkaqet kryesore jogjenetike duhet t’i kërkojmë te ndryshimet e stilit të jetesës dhe këto ndodhin veçanërisht tek individët që nuk kontrollojnë sasinë dhe kaloritë e ushqimeve, si edhe tek ata që nuk ushtrojnë aktivitet fizik. Sot shkenca ka bërë të mundur nëpërmjet programeve të edukimit, parandalimit, por edhe të depistimit të ndë- rhyrjes në kohë për të frenuar këta precedentë të rrezikshëm.

Si mund ta mbajmë nën kontroll? Çfarë diete duhet të ndjekim?

Pyetja në pamje të parë duket e thjeshtë, por e trajtuar në aspektin praktik të përditshëm nuk është e tillë. Që të mbahet nën kontroll diabeti duhet angazhim jo vetëm nga trupa mjekësore që kujdeset për të sëmurin, por edhe nga vetë i sëmuri. Sigurisht që mjekimi i diabetit sot është kompleks, ku kolonat më të rëndësishme të trajtimit janë mjekimi me barna ose me insulinë, edukacioni rreth barnave, edukacioni rreth dietës, edukacioni rreth aktivitetit fizik, vetëmonitorimi ose matja e vazhdueshme e vlerave të sheqerit në gjak.

Çdo diabetik kërkon përpilimin e një plani të mirë trajtimi, ku duhen harmonizuar të gjithë komponentët e mësipërm të mjekimit, që të bëhet i mundur kthimi në vlera normale të sheqerit në gjak dhe parandalimi i dëmtimeve që sjell kjo sëmundje e rëndë. Sa i përket dietës te diabetikët, mund të themi se është guri i themelit në mirëtrajtimin e sëmundjes. Dieta duhet të përmbajë të gjithë elementet ushqyes dhe kurrsesi diabetikët s’duhet të ndërmarrin dieta drastike.

Rëndësi ka që në raport me moshën dhe aktivitetin fizik që ka i sëmuri të përllogaritet se sa janë nevojat e tij për energji. Si fillim reduktohet rreth 10% e këtyre nevojave dhe synohet rënie në peshë te të sëmurët diabetikë që janë mbipeshë dhe obezë. Si rregull, diabetikët s’duhet të konsumojnë ëmbëlsira, sheqerna të gatshme, apo produkte industriale të sheqerosura. Eliminimi nga dieta e këtyre produkteve nuk do të thotë që diabetikët s’duhet të konsumojnë karbohidrate natyrale.

Këto duhet t’i marrin nga produktet natyrale si drithërat, frutat, perimet etj. Rëndësi ka marrja e proteinave dhe e yndyrave, këta të fundit duhet të jenë kryesisht me origjinë bimore, vaji ullirit, arrat etj. Duke qenë se kanë humbje të lëngjeve rekomandohet dieta hidrike. Gjithashtu, duhet të ushqehen në orare të përafërta gjatë ditës, mundësisht 3 vakte të ekuilibruara dhe 2 nënvakte.

Po për të sëmurët që trajtohen me insulinë dhe barna, çfarë rekomandohet?

Në fakt, kujdesi më i madh duhet treguar me këtë kategori, pasi te këta të sëmurë mund të ekzistojë rreziku i rënies së sheqerit nëse nuk konsumojnë sasitë e duhura të karbohidrateve. Diabetikët e kanë të nevojshme prezencën normale të vitaminave dhe kripërave minerale në dietën e tyre, ndaj duhet të konsultohen me mjekun për shtesat apo korrigjimet e tyre.

Loading...
More in Shendeti
“E njoh mirë këtë dreq sëmundje, e di si të rrënon”, rrëfimi prekës i gazetares shqiptare

Close