LAJMI I FUNDIT
Home . Qytetari Digjital . Formula e pushtetit

Formula e pushtetit

Dhuratë nga Zoti, lojë marrëdhëniesh apo faktor biologjik? Cfarë ka ndryshuar në mënyrën e sigurimit të autoritetit, mbajtjes… dhe dorëzimit

Një nënë, një baba, bijtë që duhet të binden… çështje pushteti. Në shkollë para një profesori… çështje pushteti. Shpërndarja e hapësirave në vendin e punës… çështje pushteti. Organizimi i një shteti… çështje pushteti.

Njerëzimi e ka ngritur strukturën e vet sociale mbi pushtetin. Dhe falë krijimit të hierarkive, ka mundur të përparojë. Fjalë të antropologëve, psikologëve, sociologëve.

“Vetë ideja e pushtetit është e natyrshme, e qenësishme në trurin tonë. Sepse e ka origjinën në marrëdhënien prind-fëmijë. Të gjithë lindin në gjendje varësie, por tek kafshët ky raport pabarazie ka një jetëgjatësi të kufizuar, ndërkohë që tek njeriu, i cili kalon një periudhë të gjatë “stazhi”, ndikon gjatë gjithë kohës së rritjes”, shpjegon paolo Pombeni, docent i historisë së sistemeve politikë europianë në Universitetin e Bolonjës. Eshtë teoria psikanalitike mbi pushtetin: fëmija ndihet i pafuqishëm, dhe kjo i jep një dëshirë të fortë për t’u bërë i pushtetshëm. Dëshiron të konfirmohet, dhe të demonstrojë që edhe ai mund t’u imponojë të tjerëve atë që do. “Nga kjo gjendje e varësisë prej prindërve buron ndoshta edhe ideja që hyjnia, si nënë (apo atë) e njerëzimit, është mbajtëse e pushtetit dhe që si pasojë, mundet që, tamam siç bën një prind me fëmijën kur rritet, t’ia japë njeriut (pushtetin)”, vazhdon Pombeni.

Psikologët socialë thonë se të gjithë marrëdhëniet njerëzore, si në nivel personal, si në grup apo mes grupeve të ndryshëm rregullohen prej marrëdhënieve të pushtetit. Po çfarë nënkuptohet me saktësi, kur flitet për pushtet? Definicionet janë të shumtë. Për sociologun dhe profesorin e New York University, Dennis Wrong, “pushteti është aftësia për të prodhuar tek të tjerët efektet e dëshiruar dhe parashikuar”. Sipas Robert Alan Dahl, studiues i shkencave politike, sot profesor emeritur në Yale, “pushteti është aftësia për të bërë dikë të tjerët në një mënyrë që vetë nuk do ta bëje”. Për sociologun amerikan Robert Bierstedt, “pushteti nuk është gjë tjetër veçse aftësia për të përdorur forcën”.

Pra, të gjithë definicionet mbërrijnë në të njëjtin konkluzion: pushteti social është aftësia për të vendosur marrëdhënie asimetrike, në të cilat kush komandon është mbi persona apo grupe njerëzish. Dhe shumë studiues bëjnë dallimin mes pushtetit imponues dhe pushtetit me konsensus, mbi ata mbi të cilët ushtrohet. Jo më kot, psikologu gjerman Kurt Lewin (1890-1947) e përcaktoi pushtetin me një formulë. Sipas tij, është i barabartë me raportin e forcës maksimale që A mund të ushtrojë ndaj B, ndaj rezistencës maksimale me të cilën B mund t’i kundërvihet A.

Nga Zoti, tek ligji

Megjithatë, koncepti i pushtetit social ka ndryshuar shumë gjatë historisë. Për qytetërimet e parë, pushteti ishte me origjinë hyjnore dhe shihej si një dhuratë që perënditë u kishin bërë një apo më shumë të vdekshmëve (ideja mbeti në modë deri në kohën e revolucionit francez). Por që në shekujt VII-VI p.e.s. në Greqi, pushteti nuk mund të ishte absolut, arbitrar: duhej të ushtrohej brenda kuadrit të ligjeve të kodifikuar. Epikuri mohonte madje origjinën hyjnore të komandës. Por, ardhja e kristianizmit riktheu idenë e një mbruesi të bekuar nga Zoti. Vetëm me Rilindjen dhe shkrimet e Makiavelit, nisi ndarja vendimtare mes politikës, moralit dhe fesë. “Pushteti ka qenë antropocentrik, domethënë në duar të njeriut, deri në shekullin XVII, kur filozofia politike nxorri në pah problemin e kufizimit të arbitraritetit të tij”, sqaron Pombeni. “Dhe më në fund, në vitin 1830 juristët gjermanë dhanë të parët sovranitetin si element të konceptit të shtetit, e si pasojë të popullit. Gjithë kjo për të shmangur që pushteti të identifikohej me një person të vetëm”.

Njerëz të fortë

Atëherë, përse aspirantët për diktatorë (edhe kohët e fundit) nuk kanë patur shumë vështirësi në marrjen e pushtetit? Sipas Jean Lipman-Blumen, psikolog i organizatave në Universitetin e Claremont (Kaliforni), në momente krizash njerëzit kanë prirjen që t’i besojnë verbërisht një figiure që shfaqet e aftë të zgjidhë probleme që përndryshe duken të pazgjidhshëm. Për Franz Neumann, një prej historianëve që janë marrë gjatë me ngjitjen dhe ruajtjen e pushtetit të diktaturave të fillimit të Nëntëqindës, sado që të gjithë diktatorët janë përpjekur të ngulisin një lloj frike tek të nënshtruarit, ajo që i ka mbajtur nën komandë ka qenë mbi të gjitha shpresa, e përhapur nëpër popull, se këta njerëz të fortë do të mund t’i çlironin nga mjerimi dhe ndjenja e dëshpërimit.

Një mekanizëm i ngjashëm është verifikuar edhe “në laborator”: në studimin e burgut të kryer nga BBC, pjesëmarësit kishin cmontuar sistemin e pushtetit, ku rojat komandonin të burgosurit dhe kishin instaluar një sistem barazitist, në të cilin një kolektiv udhëhiqte një komunitet të formuar si nga të burgosurit, ashtu edhe nga ata që i ruanin. E megjithatë, pas pak kohësh, disa anëtarë ripropozuan një sistem të ngurtë hierarkik i cili rikthente pabarazitë. “U kemi kërkuar pjesëmarrësve se përse ndodhi, dhe shumë prej tyre u përgjigjën se ishte e lodhshme të bëje të funksiononte kolektivin, dhe që loja as nuk ia vlente mundimin”, tregon Alex Haslam, studiues i Shkollës së Psikologjisë pranë Universitetit të Queensland (Britani e Madhe), një prej kuratorëve të studimit. Tendenca për t’ia lënë përgjegjësinë dikujt tjetër në situata të pasigurta është një prej mekanizmave që, sot ashtu si dje, mbështesin pushtetin.

Identifikimi tek kreu

Por ka njëtjetër, edhe më të rëndësishëm: “Sot nuk është e mundur të udhëheqësh një grup personash nëse autoriteti nuk pranohet prej të udhëhequrve, të cilët identifikohen tek kreu i tyre, deri sa ta konsiderojnë “njërin prej tyre”, shton Haslam. Në fund të fundit, pushteti mund të mbështetej tek konsensusi popullor edhe në të kaluarën: “Pushteti i marrë tërësisht me forcë nuk ekziston. Dhe nëse ekziston, zgjat shumë pak”, thotë Pombeni. “Edhe në regjimet absolutë më të lashtë, një pjesë e madhe e të qeverisurve mendonin që mbreti kish me të vërtetë të drejtën të komandonte. Nuk ishte ende si të mendosh që “të përfaqësohesh nga kreu”, por në atë kohë hendeku social mes të qeverisurit dhe mbretit që ia kish dhënë pushtetin Zoti ishte i pakapërcyeshëm”.

Sidomos sot, kur sistemi demokratik është pjesë e mënyrës sonë të të menduarit, për të na çuar të ndjekim dikë, të përqafojmë idetë e tij, në praktikë për të pranuar që një tjetër person të na udhëheqë, shërben mbi të gjitha konstatimi që kryetari është “njëri prej nesh”. Kështu funksionon në familje, në punë, në politikë.

E provojnë shumë eksperimente, si ai i ideuar nga Michael Hogg, profesor i psikologjisë sociale në Universitetin e Claremont, gjatë të cilit disa studentë duhej të zgjidhnin se çfarë opinioni të ndiqnin mbi një problem që u përkiste të gjithëve (futja e provimeven të hyrjes në universitet). Rezultati: pavarësisht nga opinioni, studentët ndiqnin idenë që përqafohej nga ata që i pranonin si të ngjashmit e tyre (e njëjta moshë, e njëjta prejardhje). Pra, pushteti për të krijuar ndjekës, ashtu si bukuria, qëndron në sytë e atij që vështron.

Dominimi

Antropologët bien dakord, por vetëm pjesërisht. Për ta, në qendër të pushtetit është mekanizmi i lashtë biologjik: raporti i dominimit mes individëve. I ashtuquajturi “tipi dominues”: i gjatë, shpatullgjerë, nofull katrore. Eshtë ky që zakonisht ka më shumë sukses. Disa prej këtyre tipareve somatikë janë të lidhur me sasinë pakëz më të lartë se mesatarja e testosteronit, hormon i pranishëm si tek burrat, edhe tek gratë. Tek të gjithë sisorët, individi dominues ka norma më të larta të këtij hormoni në gjak. Burrat me më shumë testosteron, për shembull, sipas një studimi të para disa viteve, kryer nga psikologu amerikan James Dabbs, hyjnë më me shpejtësi në një dhomë ku e dinë se do të gjejnë persona të panjohur dhe fillojnë të parët të bashkëbisedojnë me ta. Pushteti nuk është vetëm një lojë për të rritur. Studime të kohëve të fundit të kryer tek fëmijët e mitur nga Nathan Fox, një studiues i Universitetit të Maryland, demonstrojnë se, që në moshën 4-muajsh, disa individë zhvillojnë aftësi sociale të habitshme, duke ndërvepruar si me të rriturit, edhe me bashkëmoshatarët në mënyrë të sigurtë. Pra, krijojnë idenë që e dinë se çfarë duan dhe si ta arrijnë. Pra, pushteti manifestohet që në djep.

Loading...
More in Qytetari Digjital
Izet Haxhia: Miku kroat i Berishës dhe Bukoshit solli në Shqipëri atentatorët e Kiro Gligorovit
Close