Home . Sport . FSHF zyrtarizon të hënën trajnerin e ri të kombëtares

FSHF zyrtarizon të hënën trajnerin e ri të kombëtares

Pritja po merr fund. Në daljen e tij para mediave disa ditë më parë, presidenti Duka deklaroi se rrethi i kandidatëve është ngushtuar ndjeshëm. Nga sa bëhet me dije nga burime të besueshme pranë FSHF-së, “Panorama Sport” zbulon se dy ditët e para të javës së ardhshme pritet që të konkretizojnë gjithçka në lidhje me trajnerin e ri të Kombëtares.

ZYRTARIZIMI

Drejtuesit e institucionit të futbollit në vend kanë bërë me dije se në muajin korrik do të ketë caktim të trajnerit të ri dhe në dukje gjithçka po shkon sipas planit. Gazeta ka mësuar se e hëna ose e marta do të jenë ditët në të cilat pritet që të prezantohet tekniku i ri i Kombëtares shqiptare të futbollit. Ndonëse në listë kanë qenë edhe Sedorf, Panuçi e Zenga, kandidatura e De Kanios duket se ka plotësuar kërkesat e presidentit Duka.

KONTRATA

Gazeta ka mësuar se FSHF nuk ka pranuar që të bëjë sakrifica të mëdha ekonomike. Madje, krahasuar me De Biazin, tekniku i ri i kuqezinjve pritet të përfitojë një pagë vjetore me parametra pak më të ulët sesa Xhani De Biazi në nisje të aventurës së tij me Shqipërinë.

KANDIDATËT

Prej disa ditësh, De Kanio, Sedorf, Panuçi e Zenga kanë mbetur kandidatët favoritë për të marrë drejtimin e Kombëtares. Mirëpo, së fundmi, statuja e teknikut 59-vjeçar ka mbetur ajo më kryesorja me të cilin mësohet se janë diskutuar edhe detajet e kontratës. Ndërkohë, mundësia për Zengën ka rënë për shkaqe kryesisht ekonomike, pasi shifrat e ofruara nga FSHF nuk e kanë bindur atë që të jetë i gatshëm të nisë një aventurë në krye të Kombëtares shqiptare.

Mos Humbisni:
Kujt ia dha Nueli 6.8 milionë eurot e CEZ-it?

Close