LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Gati lista me faturat e papaguara të 11 kompanive që kanë kryer punë publike

Gati lista me faturat e papaguara të 11 kompanive që kanë kryer punë publike

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përgatitur listën e kompanive që nuk kanë marrë paratë për punët e kryera në vepra publike dhe që do të shlyhen pas lëvrimit të këstit të parë të kredisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në total bëhet fjalë për 11 kompani të kontraktuara, për të cilat duhen paguar 23 fatura, pasi secili nga subjektet ka kryer më shumë se një shërbim.

Kompanitë kanë shuma të ndryshme për të marrë, në bazë të punimeve që kanë kryer, apo shërbimeve që kanë ofruar. Një pjesë e subjekteve që presin të marrin paratë janë kompanitë që kanë funksionuar për mirëmbajtjen e rrugës Tiranë-Kukës dhe nuk janë paguar për mungesë fondesh.

Ndërkohë, pa u likuiduar kanë mbetur edhe disa kompani që kanë lidhur kontratën për ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Vlorë. Pa pagesë ka punuar edhe kompania e kontraktuar për ndërtimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit.

Edhe autostrada Tiranë-Elbasan rezulton të ketë pasur probleme me pagesat, ku bëhet fjalë për dy kompani që presin të marrin paratë e tyre. Në total, sipas listës së përgatitur, shuma e faturave të papaguara ndaj këtyre subjekteve, deri më 31 dhjetor 2013, është rreth 1 miliard lekë, nga të cilat 945. 758. 416 janë kosto lokale dhe 57.072. 263 Tatim mbi Vlerën e Shtuar.

Ministria e Transporteve bën të ditur se me pagesat do të procedohet pasi të bëhen verifikimet në terren për cilësinë e punimeve dhe zbatimin e kontratave. Sipas këtij dikasteri, për kompanitë që kanë shkelur kontratat do të ketë penalitete. Ndërkohë nuk dihet se si do të procedohet me radhën e pagesës, por Ministria e Financave ka deklaruar se në fillim do të paguhen faturat e vjetra.

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
8 Marsi, Kuvendi hap seancë me deputete gra nga gjithë trevat shqiptare

Close