LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Gjykata rikthen në detyrë gjeneral Abaz Lleshi pas ishte shkarkuar nga Imami

Gjykata rikthen në detyrë gjeneral Abaz Lleshi pas ishte shkarkuar nga Imami

Në kohën kur ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, pritet të nisin hetime për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet, Gjykata e Tiranës ka shfuqizuar një urdhër të tij, duke rikthyer në detyrë një nga tre ish-gjeneralët që shkarkoi në maj të 2013-ës. Pak ditë më parë, gjykatësja Enkelejda Metaliaj (Softa) ka vendosur të shfuqizojë dekretin e Presidentit të Republikës dhe urdhrin e ish-ministrit Imami dhe të urdhërojë rikthimin në radhët e Forcave të Armatosura të gjeneral Abaz Lleshit. Ky i fundit u lirua nga detyra e komandantit të Brigadës së Mbështetjes Rajonale së bashku me dy gjeneralët, Sandër Lleshi dhe Dhori Spirollari. Fill më pas, të tre të shkarkuarit, me urdhër të Imamit dhe dekret të Presidentit të Republikës, gjatë një konference për shtyp, akuzuan publikisht ish-ministrin e Mbrojtjes se po abuzonte me fondet, duke krijuar një deficit të madh në dikasterin që drejtonte.

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e gjeneral Brigade Abaz Lleshi për rikthimin në radhët e Forcave të Armatosura, pasi këmbëngulte se lirimi i tij nga detyra ishte i padrejtë. Gjykatësja Metaliaj (Softa) shfuqizoi dekretin nr.8188, datë 21.05.2013, të Presidentit të Republikës, dhe urdhrin nr. 1092, datë 27.05.2013, të ministrit të Mbrojtjes, duke i gjetur të pabazuara në ligj. Gjithashtu, gjykata urdhëron Ministrinë e Mbrojtjes, që aktualisht drejtohet nga znj.Mimi Kodheli, të rikthejë në detyrë gjeneral Brigade Lleshin. Në padinë e tij, Abaz Lleshi kërkonte të paguhej me pagën e plotë që nga momenti i marrëdhënieve të punës deri në ekzekutimin e vendimit, për rikthimin në detyrë. Edhe kjo pjesë e padisë është pranuar nga gjykata, ndaj në këto kushte, Ministria e Mbrojtjes duhet t’i paguajë çdo qindarkë, komandantit të brigadës së komandës mbështetëse. Më herët, gjykata ka vendosur të rikthejë dhe të tjerë ish-gjeneralë në detyrë, duke cilësuar si të paligjshëm dekretet për shkarkimin e tyre dhe njëkohësisht dhe urdhrat e ish-ministrave të Mbrojtjes.

Loading...
More in Aktualitet, Kronik
Kufiri ujor me Maqedoninë ngjall debate në Kuvend
Close