LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Gjyqtarët: Luftë korrupsionit mbështetje reformës në drejtësi

Gjyqtarët: Luftë korrupsionit mbështetje reformës në drejtësi

TIRANË – Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, mbështet reformën në drejtësi dhe deklaron se do të japë mbështetjen e vetë për ta çuar deri në fund këtë reformë.

Në një deklaratë për median, Konferenca Gjyqësor thotë se, “Këshilli shpreh gatishmërinë në realizimin e saj, si dhe bindjen se reformat duhet të kryhen në respektim të parimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Kështu japim kontributin tonë në zbatim të detyrimeve kushtetuese e ligjore në interes të përgjithshëm, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian të Shqipërisë”.

Në deklaratë thuhet se, “Këshilli në përmbushje të rolit e detyrës së tij si organ drejtues i kësaj Konfence, me qëllimin që të kontribuojë realisht në përmbushjen e misionit të dhënies së drejtësisë e mbarëvajtjes së veprimtarisë gjyqësore në përputhje me detyrimet kushtetuese e ligjore, duke e konsideruar si të domosdoshëm kontributin e secilit gjyqtar, edhe në kuadër të detyrave që përcakton Raporti i Progresit për Shqipërinë për vitin 2013, si edhe konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 17.12.2013, duke ndjekur më vëmendje diskutimet publike mbi përgjegjegjësinë e sistemit të drejtësisë e veçanërisht të gjyqësorit në këtë proces, vlerësoi si të nevojshëm organizimin e një mbledhje të anëtarëve të tij dhe në fund ka arritur në disa përfundime:

PËRFUNDIMET E KËSHILLIT TË KONFERENCËS GJYQËSORE
1. Reformat në sistemin e drejtësisë vijojnë të jenë kërkesë e procesit të integrimit. Raporti i Progresit për Shqipërinë për vitin 2013, megjithëse ka konstatuar disa arritje, thekson se duhet përmirësuar strategjia e reformës gjyqësore për rritjen e pavarësisë, efikasitetit, llogaridhënies dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit në sistemin drejtesisë. Ky raport vë në dukje nevojën për rregullime të mëtejshme ligjore për forcimin e mbrojtjes së pavarësisë dhe përgjegjësisë së gjyqtarëve, përmirësimin e strukturës së sistemit gjyqësor dhe procedurave disiplinore, rritjen e transparencës, etj.

Këshilli i Bashkimit Evropian, në konkluzionet e tij të datës 17.12.2013 për Shqipërinë, thekson ndër të tjera vazhdimin e zbatimit të strategjive të reformës në gjyqësor dhe nënvizon nevojën për intensifikimin e përpjekjeve në fushën e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

2. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore i ka ndjekur dhe analizuar me vëmendje të veçantë këto zhvillime dhe shpreh angazhimin e tij e të gjithë gjyqtarëve në përmbushje të këtyre detyrimeve. Gjyqtarët janë të ndërgjegjshëm për problemet që ekzistojnë e të gatshëm të kontribuojmë maksimalisht në luftën kundër fenomeneve negative, që ulin besimin e publikut dhe cenojnë parimet themelore të organizimit dhe funksionimit të shtetit demokratik.

3. Këshilli Ekzekutiv në emër të Konferencës Gjyqësore dënon me forcë rastet korruptive që kompromentojnë integritetin e gjyqësorit dhe misionin e dhënies së drejtësisë. Ai inkurajon median, shoqërinë civile dhe tërë mekanizmat e zbatimit të ligjit të kontribuojnë në luftën kundër fenomenit të korrupsionit në gjithë shoqërinë shqiptare, e në veçanti në sistemin e drejtësisë. Këto fenomene nuk duhet që të eklipsojnë punën e madhe që bëhet çdo ditë nga gjyqtarët në përmbushje të misionit të tyre për dhënien e drejtësisë.

4. Këshilli Ekzekutiv vlerëson procesin e vazhdimit të reformave për një gjyqësor më të përgjegjshëm e më të pavarur. Ky proces kërkon një klimë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje. Ndaj thekson angazhimin e gjithë gjyqtarëve në çështjet e reformës në drejtësi, si kërkesë e faktorëve ndërkombëtare dhe opinionit publik, me qëllim rritjen e efikasitetit, përgjegjësisë e besueshmërisë së pushtetit gjyqësor.

Këshilli shpreh gatishmërinë në realizimin e saj, si dhe bindjen se reformat duhet të kryhen në respektim të parimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Kështu japim kontributin tonë në zbatim të detyrimeve kushtetuese e ligjore në interes të përgjithshëm, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian të Shqipërisë.

Loading...
More in Aktualitet
Përjashtohen Bumçi, Cara dhe Papa si krerë të retheve në PD

Close