Home . Antagonizem . Gutenberg vdiq, rroftë Zuckerberg!

Gutenberg vdiq, rroftë Zuckerberg!

Nga Rezart Cenaj

Shoqëria njerëzore është një sistem kaotik. Sipas shkencës kaotike “në kushtet fillestare, ndryshimet e vogla të një sistemi kaotik shkaktojnë ndryshime të mëdha në sjelljen e mëvonshme”. Një “ndryshim i vogël” i tillë ndodhi në 1455 kur Gutenberg shtypi librin e parë në prodhim seri. 180 kopje të Biblës. Teknologjia e tipografisë (së bashku me zbulimin e Amerikës) jo vetëm që përcaktoi Rilindjen, por edhe e shpërtheu atë. Bota ndryshoi jo për shkak se ndryshoi mesazhi, por sepse ndryshoi mjeti.

Bibla e Gutenberg përmban saktësisht të njëjtat fjalë dhe të njëjtin mesazh me Biblën që kopjonin murgjit me dorë. Por mjeti i ri, duke qenë se ishte i lirë dhe i papërmbajtur, çliroi njohuritë. E bëri të arritshme nga të gjithë. Dhe kur informacioni shpërndahet lirisht, shkakton reaksione zinxhir me dinamikë të pallogaritshme. Falë tipografisë u përhapën idetë heliocentrike të Kopernikut (De revolutionibus – 1543) për të cilat asnjë murg nuk do të binte dakord t’i kopjonte. Dhe vetëm kështu mund të bëhej i dashur romani i parë i shtypur, Don Kishoti i Cervantesit (1605).

Mjeti nuk është mesazhi. Mjeti ndryshon mesazhin.

Letërsia, shkenca, historia, propaganda dhe e gjithë shoqëria ndryshoi se Gutenberg ndryshoi mjetin.

Ky ishte revolucioni i dytë i informacionit. I treti do mund të kishte si simbol Zuckerbergun, ideatorin e medias sociale digjitale me ndikim më masiv. Facebook dhe mediat e tjera si WhatsApp, Tumblr, Instagram, Twitter, Pinterest, LinkedIn, Google +, YouTube, Viber, Snapchat kanë ndikuar shoqërinë njerëzore më shpejt dhe më me breshëri se sa tipografët e lëvizshëm të Gutenburg. (Facebook “doli në shtyp” në 2004 dhe pas 13 vitesh ka 1.65 miliardë anëtarë aktivë).

Revolucioni i tretë i informacionit digjital ka ndryshuar shoqërinë duke e ndikuar si asgjë tjetër më parë. Rilindja e re tashmë ka filluar. Fjala e shkruar, duke filluar me shtypin e shkruar (shiko The Independent) do të eliminohet. Mjeti i ri do të ndryshojë letërsinë, shkencën, historinë dhe propagandën. Ata që besojnë dhe argumentojnë se materialet e shtypura (librat apo gazetat) do të vazhdojnë të ekzistojnë gjithmonë, harrojnë që kanë lindur në një botë letre dhe jo digjitale. Dhe, si pasojë, nuk do mund të kuptojnë se çfarë do mendojnë për librat e shtypur fëmijët që lindën në 2005 (viti 1 pF – para Facebook). Fëmijët që më parë mësojnë të shkruajnë në kompjuter se të shkruajnë në letër; fëmijët që luajnë me tablet e smartphone përpara se të hapin një libër; fëmijët që nuk kanë prekur një enciklopedi por gjejnë gjithë informacionin që kanë nevojë në Wikipedia.

Mjeti nuk ndryshon vetëm mesazhin, por edhe marrësin. Mjeti ndryshon gjithçka.

Ky shkrim u realizua për të qarkulluar në ndonjë gazetë të printuar apo në ndonjë blog/website. Lexuesit e një mediumi të printuar janë domosdoshmërisht të kufizuar. Kjo për shkak të tirazhit. Nuk mund të lexojnë gazetën më shumë njerëz se numri i printuar i gazetave. Lexuesit i një blogu apo website mund të jenë të pafund. Mjafton të kenë një lidhje me internetin.

Avantazhi i vetëm i medias së vjetër ka të bëjë me nostalgjinë dhe romancën subjektive. E sigurt që ka nga ata që duan të kenë librat e tyre të preferuar në raft. Shumë prej tyre thonë se asgjë nuk krahasohet me aromën e letrës, prekjen e saj, shushurimën e faqes ndërkohë që e kalon, peshën e librit në duar. Jam dakord, sepse edhe unë jam një nga ata që i dua librat (librin si objekt). Por ajo që ndodhi në muzikë (vdekja e diskut, kasetës, CD-së), do të ndodhë edhe me librin e shtypur. Tani pothuajse askush nuk blen CD. Dëgjojmë muzikë dixhitale apo në radio, ku gjithashtu muzika riprodhohet në mënyrë digjitale. Riprodhimi digjital ul shijimin e muzikës. E sigurt që vinili, ashtu si edhe libri, është nje mjet me një qëllim në vetvete. E shijon para se të dëgjosh apo lexosh mesazhin që ka brenda.

Libri i shtypur është “i shenjtë“. Një simbol. Bibliotekat publike përngjajnë me tempuj. Askush nuk flet me zë të lartë. Nuk lejohet të pish apo të hash. Biblioteka është “tempulli i dijes”. Dhe bibliotekat shtëpiake janë si faltore, hapësira personale devotshmërie.

Së shpejti, të gjitha këto do marrin fund. Sapo të jenë rritur brezat e shekullit XXI. Libra do vazhdojë të ketë, ashtu si vinile apo fotografi të printuara. Por të gjitha këto objekte, këto instrumente, do të duken te të rinjtë e shekullit XXI aq simpatike dhe të padobishme sa edhe View Master që bëri aq bujë në fund të shekullit të kaluar.

Ky artikull shkruhet duke qenë i sigurt për ndryshimin që do të vijë, por i pasigurt për përmasat e tij. E sigurt që objektet e “shenjta”, si libri i shtypur, shumë shpejt do të jetë një objekt nostalgjik. E sigurt që do të ndodhë brenda shekullit XXI, nëse arrin të përfundojë ky si shekull për njerëzimin.

Mos humbisni:
Zbulohet programi i PS, këto janë premtimet kryesore

Close