Home . Aktualitet . Argetim . HATA / Grupi filozofik gozhdon Liderin dhe sjell gjithë gratë e fisit në Studio

HATA / Grupi filozofik gozhdon Liderin dhe sjell gjithë gratë e fisit në Studio

Të premten e kaluar, një grup ekspertësh të grupmoshës 18-23 vjeç, të rrahur me vaj e me uthull balsamike në universitetin “Byrekë të çastit” të të mirënjohurit Henrik Skilja, u armatosën me argumentet më të forta dhe u turrën në studion e emisionit “Terren i hardallosur”.

Ekspertët, që varionin nga filozofia tek zoofilia dhe ishin anëtarë të rrymës së mendimit të quajtur Koncepto-kontekstualo-tekstiliste, ishin betuar ta vinin përpara dhe ta gozhdonin të ftuarin e nderit, liderin pontifik Sabile Risha.

Aq më tepër që përvoja e tyre e para 6 muajve, kur ishin anëtarë të shkollës Katundaro-kontabiliste, i kishte pajisur me instiktin e domosdoshëm që e shpreh aq bukur filozofi italiani Xhani Vetullaholla, “Scavi Tare scavi, il cane morto troverai”.

Kësisoj, sapo Sabile Risha u doli përpara në studion e emisionit “Rajon i çatrafiluar”, ekspertët filluan sulmin frontal. I pari e mori fjalën Kaçaflaq Shurri:

“Zoti Sabile Risha, më shëko në sy të thom, llafos me mua! Si ka mundësi që ime më të ka pat fiksim që kur ishte studente dhe ti prefesor? Si shpjegohet që je si yll, si dritë, që çdo gjë që prek e kthen në flori? Pse ndriçon si diell e hënë, pse në stan nuk ardhe prëmë?”

I ftuari nuk arriti të merrte veten dhe të ftillonte mendimet, kur ja plasi eksperti i dytë, Karafil Fyle, i cili kishte krijuar me sukses njëfarë hijeje të mustaqeve, pasi nuk i kishte ngarë leshtë e fytyrës që nga adoleshenca:

“Në PD të presin, ti nuk vete. Pse nuk shkon? Do që të të lusin? Po shko o figurë, o legjendar, o i paparë! Shko të shohim dhe në një ditë të bardhë, se do na marrësh këshilltarë nesër-pasnesër në qeveri! Shko se na ka ardh Henrik Skilja në majë të hundës, duke na dhënë rrogat çdo 7 muaj e 10 ditë!”

Eksperti i tretë Përfitim Pjekthi, disi më i pjekur, e nisi shtruar:

“Unë s’jam aspak dakord me parafolësit. Ju zoti Sabile Risha keni bërë shumë gabime. Madje do të thoja, gabime kriminale…”.

I ftuari pontifik që rrëzëllinte në fytyrë deri atëherë, u pre dhe u vu të dëgjojë me vëmendje.

“… Po a ka më kriminale sesa të ikësh dhe ta lësh PD-në në ditë të hallit? Po ti paske qenë i pashpirt moreee! Po ti s’ke zemër, por gur more zotëri!”

Dhe i pjekuri u shkreh në vaj:

“Po eja o baba, po kthehu o vëlla! Po të kam rixha, kthehu se do bëj ndonjë hata dhe do dal fare nga konteksti!”

Sado që u përpoq të merrte fjalën për të paktën tre minuta, ekspertët vijuan ta gozhdonin Sabile Rishën.

Dikush kujtoi tre tezet e veta që e kishin njohur atë në plazh dhe i bënin të fala. Një tjetër i kërkoi autograf për të motrën dhe dy kushërira.

Emisioni “Zonë e shpartalluar” në fund u mbyll me një surprizë, kur filozofi Kaçaflaq Shurri befasisht ftoi të ëmën në studio; në fakt kishte qenë pas kuintave gjithë kohës.

Por jo vetëm kaq. Secili prej ekspertëve solli para kamerave kush nga dy, kush nga tre femra të fisit. Filozofi tha me zë të dridhur:

“Ja zoti lider, kjo është mamaja ime, Evdhoksia. Tani, do kthehesh në PD apo jo?”

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike në kufijtë e mbijetesës, për shkak se ngjarjet e vërteta po e lënë pa punë.  

HATA / Grupi filozofik gozhdon Liderin dhe sjell gjithë gratë e fisit në Studio

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Mashtrues, kthejani opozitën të zotërve!

Close