LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Hetimi ndaj komisionit hetimor, prokurori i Berishës shkeli dy herë ligjin

Hetimi ndaj komisionit hetimor, prokurori i Berishës shkeli dy herë ligjin

Prokurori Adnan Xholi, i njohur për lidhjet e tij të afërta me familjen Berisha, ka shkelur dy herë ligjin, me nisjen e hetimeve vetjake ndaj Komisionit Hetimor Parlamentar të CEZ.

Ditën e djeshme, Xholi dërgoi një shkresë zyrtare në Kuvend, në të cilën informonte hapjen e hetimeve dhe kërkonte hollësi për faktin se përse ishte thirrur si dëshmitar në këtë komision Shkëlzen Berisha, djali i ish-Kryeministrit dhe një prej personazheve të përfshirë në atë megaaferë që i kushtoi taksapaguesve të paktën 400 milionë euro.

Megjithatë, ligji datë 8891, “për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, e ndalon shprehimisht një prokuror të çfarëdoshëm që të nisë një hetim ndaj një Komision Parlamentar.

Neni 4 i këtij ligji, në pikat e tij bën të qartë se vetëm Komisioni Parlamentar mund të vendosë në lëvizje Prokurorinë dhe se materialet e tij, i referohen vetëm Prokurorit të Përgjithshëm, i cili më pas duhet të raportojë në Kuvend për çdo gjetje të mësuar gjatë hetimeve.

Pika 5 e nenit 4, specifikon se “Komisionet hetimore të Kuvendit paraqesin rekomandime në seancë plenare dhe, kur këto miratohen, i dërgohen Prokurorit të Përgjithshëm për marrjen e masave të mëtejshme”.

Ndërkohë, neni 7 përcakton qartë se “Prokurori i Përgjithshëm informon Kuvendin për ecurinë e hetimit mbi çështjet e rekomanduara për hetim”.

Duke hapur në mënyrë personale një hetim ndaj Komisionit Hetimor, prokurori Adnan Xholi, së pari ka shpërfillur plotësisht funksionin e Kryeprokurorit, Adriatik Llalla dhe së dyti, ka shkelur dy herë ligjin, pasi në rastin e këtyre komisioneve, Prokuroria nuk mund të ndërhyjë dhe mbetet në pritje për materialet që i referohen nëse komisioni gjykon se ka elementë të ndonjë vepre penale.

Përmes këtyre specifikimeve, ligjvënësi ka dashur që të shmangë përplasjen e kompetencave midis këtyre dy organeve hetimore, por veprimi i Xholit, i justifikuar nga arsye personale, ka shkelur plotësisht këto përcaktime./Lexo.al

Lexo më shumë – http://lexo.al/ja-perse-na-duhet-vettingu-prokurori-berishes-hap-hetim-ndaj-kuvendit-perse-u-thirr-si-deshmitar-shkelzeni/

Komento
Mos Humbisni:
DASH kërkon të dhëna shtesë për aplikantët për viza në SHBA

Close