LAJMI I FUNDIT
Home . Opinione . Historia e “Fake News”, si filloi shpërndarja e lajmeve të rreme nga Maqedonia, në të gjithë botën

Historia e “Fake News”, si filloi shpërndarja e lajmeve të rreme nga Maqedonia, në të gjithë botën

Në nje kohë rekord, fraza “fake news”, u kthye nga nje fenomen i rrjeteve sociale, në një clichè gazetareske dhe një frazë politike që shprehte zemërim. Por, si ka evoluar “fake news” dhe çfarë pritet të ndodhë në botën e disinformimit?

Ishte mesi i vitit 2016, kur gazetari i Buzzfeed, Craig Silverman, vuri re një dallgë të vërtetë postimesh dhe lajmesh të pavërteta, të cilat vinin nga një qytet në Europën Lindore.

“Ne gjetëm një numër faqesh interneti, në qytetin Veles, të Maqedonisë”, kujton Silverman. Ai dhe kolegët e tij, filluan të investigonin dhe pak para zgjedhjeve në Amerikë, identifikuan rreth 140 faqe internet që shpërndanin “fake news”, lajme të rreme. Të gjitha faqet kishin një numër ndjekësish të madh në Facebook.

Të rinjtë në qytetin Veles, mund të mos kenë patur shumë interes për politikën amerikane, por për shkak të parave që fitonin prej reklamave në Facebook, ata donin që mashtrimi i tyre të shpërndahej në gjithë rrjetin. Zgjedhjet në SHBA dhe specifikisht Donald Trump, ishin (dhe vazhdojnë të jenë), një temë mjaft e nxehtë në rrjetet sociale.

Qyteti që po pasurohej nga “fake news”

Maqedonasit dhe jo vetëm, shkruan lajme të rreme me tituj si “Papa Françesku shokon botën, mbështet Donald Trump për President” apo “Agjenti i FBI-së që dyshohet se nxorri emailet e Hillary Clinton, gjendet i vdekur”.

Këto lajme ishin totalisht të pavërteta. Dhe këtu fillon të marrë jetë, fraza moderne “fake news”.

Asgjë e re në këtë histori

Informacioni i gabuar, mashtrimet dhe  gënjeshtrat kanë ekzistuar gjithmonë. Por, ajo që Silverman dhe të tjerët zbuluan, ishte një bashkim unik i algoritmave të rrjeteve sociale, sistemeve të reklamave, njerëzve të gatshëm për të sajuar në mënyrë që të fitonin para dhe zgjedhjeve amerikane të cilat tronditën jo vetëm një shtet, por mbarë botën.

Pas fitores së Donald Trump, BBC Trending, investigoi grupimet pro Trump në Facebook. Brenda këtyre grupimeve qarkullonin disa histori të sajuara. Megjithatë, shumica e përmbajtjes ishte komunikim dhe ekzagjërim politik, mburrje dhe sulme ndaj kundërshtarit. Kishte shumë meme që tregonin Trump-in, si një lider të pathyeshëm, njerëz që mbështesnin politikat e tij për deportimin e emigrantëve dhe disa biografi të cilat e përshkruanin kandidatin si “përkufizimin e suksesit amerikan”. Këto nuk ishin objektive, por nuk mund të kualifikoheshin si “fake news”.

Përdorimi në politikë

Fraza “fake news”, tashmë ka më tepër kuptim, se sa në rastin e të rinjve maqedonas që kërkonin të pasuroheshin. Presidenti Trump madje, ndau çmimet “Fake News”, për gazetarët të cilët kishin “gabuar” apo kishin bërë parashikime jo të sakta, duke i shkelur syrin edhe atyre gazetarëve që ende vazhdojnë të investigojnë mardhënien e Trump me rusët. Por, të themi se Presidenti Trump është politikani i parë që ka përdorur këtë term, do të ishte në vetëvete një lajm i rremë.

Në 8 dhjetor 2016, Hillary Clinton, mbajti një fjalim ku përmendi “epideminë e lajmeve të rreme dhe propagandës false, e cila ka përmbytur mediat sociale”.

“Është e qartë se të ashtëquajturat, fake news, kanë pasoja shumë reale”, u shpreh Clinton. “Kjo nuk lidhet vetëm me politikën dhe partitë. Jetët janë në rrezik…jetët e njerëzve të thjeshtë që jetojnë normalisht, shkojnë në punë dhe kontribojnë në komunitetet e tyre”.

Disa gazetarë në atë kohë, e interpretuan këtë fjalim sikur i referohej “Pizzagate”, një teori konspirative, e cila filloi dhe mori përmasa gjigande në rrjet. Kjo teori konspirative, nisi si një thashethem, se disa skllave seksi, po mbaheshin në një piceri në Washington, Kjo histori mbaroi kur një burrë hyri në piceri i armatosur. Askush nuk u lëndua dhe ky person u arrestua. Megjithatë në fjalimin e saj, Clinton i kërkonte njerëzve të “mbronin demokracinë”. Disa reporter e interpretuan këtë si një frazë që lidhej më zgjedhjet.

Presidenti Trump, e përdori këtë frazë, rreth një muaj më pas, në Janar 2017. Pas një pyetjeje të gazetarit të CNN, Jim Acosta, Trump u shpreh se gazetari ishte “fake news”. Në këtë kohë, Trump fillon ta përdorë më shpesh këtë frazë në Twitter.

“Ky ishte një sinjal për mbështetësit e Trump, që ata të mendonin se kjo frazë tashmë i përkiste atyre”, tha Silverman.

“Kali i fake news”, jo vetëm që kishte dalë nga stalla por kishte filluar të vraponte.

Fjalë pa kuptim?

Që prej asaj kohe, “fake news”, është përdorur në mënyrë të vazhdueshme nga Trump dhe nga liderë të tjerë në mbarë botën, nga politikanë, gazetarë dhe njerëz të thjeshtë. Po të bësh një kërkim të thjeshtë në Google për “fake news”, do të dalin rreth 5 milionë rezultate dhe vetëm në vitin 2018 ka rreth 2 milionë përdorime të kësaj fraze në Twitter.

Këto lajme nuk besohen vetëm nga mbështetësit e Trump, kryesisht njerëz të paarsimuar. Në Prill të vitit 2017, “Trending” raportoi për lajme të rreme nga grupime të majta, anti Trump. Ekspertët thonë se edhe njerëzit e mirë-edukuar, mund të mashtrohen dhe të mos pranojnë argumenta të cilat i vënë në pikëpyetje këto informacione.

Por brenda disa muajsh, fraza “fake news”, u kthye në një frazë pa kuptim, sepse për çdo lajm, të gabuar ose jo, mashtrim, teori konspirative, apo edhe lajme që thjesht nuk i pëlqenin njerëzve, përdorej fraza “fake news”.

“Ne e krijuam vetë këtë situatë dhe kur them “ne”, kam parasysh median”, u shpreh Alexios Mantzarlis, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve. “Pas zgjedhjeve, ne filluam të quajmë çdo gjë, fake news, në editorial, artikuj dhe në lajme”.

“Ne duhet të pranojmë se industria jonë, ka faj në këtë konfuzion ku gjendemi”.

Disa ekspertë me shumë eksperiencë në këtë fushë, kanë filluar të tërhiqen nga i gjithë “zjarri me fake news”.

“Arsyeja pse nuk më pëlqen më kjo frazë, është se kemi filluar ta përdorim për të përshkruar çdo gjë”, shprehet Clare Wardle e “First Draft News”, një organizatë jofitimprurëse. “Nëse është një postim i sponsorizuar, një reklamë, një meme, një mesazh në twitter, një thashethem, njerëzit përdorin direkt frazën fake news”.

“Ky është një problem shumë kompleks”, shprehet ajo. “Nëse do të mendojmë për mënyra se si të ndërhyjmë, duhet fillimisht të përcaktojmë përkufizimin [e frazës]”.

Wardle thotë se obsesioni me këtë frazë, është duke dëmtuar edhe mediat e besueshme.

“Shqetësimi im, janë raportimet që shoh rreth disinformimit. Njerëzit tashmë thonë se nuk dinë kë të besojnë, se çdo gjë është mashtrim. Shqetësimi im është se mënyra si flasim për këto çështje, po bën po aq dëm sa informacioni i i rremë”.

Mantzarlis thotë se edhe pse shqetësohet nga kjo frazë, nuk dëshiron ta braktisë atë, por sipas tij, “fake news”, duhet përdorur për histori të sajuara që kanë pushtuar Facebook-un.

“Vetëm sepse dikush e përdor këtë frazë, në një mënyrë tjetër, nuk do të thotë se ajo ka humbur vlerën e saj. Nëse dikush fillon ta quajë një telefon, banane dhe ka një megafon shumë të madh, kjo nuk do të thotë se ne të tjerët duhet të mos e quajmë telefonin, telefon.

E ardhmja e lajmeve të rreme

Në të ardhmen, fraza”fake news”, mund të konsiderohet një relike e vitit 2017. Megjithatë, lufta kundër keqinformimit, nuk do të ndalet. Kompanitë dhe qeveritë, kanë filluar të ndërmarrin hapa konkretë, pasojat e të cilave do të ndihen së shpejti.

“Google dhe Facebook, janë duke punësuar njerëz, të cilët do të kontrollojnë përmbajtjen e postimeve, për të hequr ato pastime të cilat përmbajnë informacion të pavërtetë ose të paligjshëm. Jam kureshtar të shoë a do të funksionojë kjo gjë,” shprehet Silverman, nga “Buzzfeed”.

“Fuqia e këtyre platformave dhe paqartësia e tyre, nuk duhet të na bëjë të mendojmë se ato duhet të kthehen nga vende ku informacioni i gabuar gjendet me bollëk, në platforma të mbylluara të cilat ndalojnë fjalën e lirë”, thotë Silverman.

Përveç shqetësimit, për fuqinë e rrjeteve sociale, ekspertët janë të shqëtësuar edhe për fuqinë e qeverive.

“Ndonjëherë, përfaqësues të popullit me qëllim të mirë, por të keq informuar, do të bëjnë më shumë dëm se sa ta zgjidhin problemin e “fake news”, me anë të legjislacionit”, u shpreh Mantzarlis, duke theksuar se në disa vende të Europës, po përgatitet legjislacion kundër lajmeve të rreme.

Ligji më i fundit, hyri në fuqi në Gjermani, në 1 Janar 2018. Ligji përcakton se rrjetet sociale duhet të fshijnë pastime që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, fake news dhe material të paligjshmë, ose do të përballen me gjoba deri në 50 milionë euro.

Përtej lajmeve për politikën, ka edhe fusha të tjera ku kontrolluesit e fakteve po kërkojnë të hulumtojnë.

“Mendoj se duhet të merremi edhe me imazhin. Imazhet janë shumë të fuqishmë dhe mund të përdoren për të disinformuar”, shprehet Clair Wardle.

Shpesh fotografitë qarkullojnë me shpejtësi të jashtëzakonshme, në WhatsApp apo Viber. Ndërkohë që shumë nga diskutimet për fake news, po zhvillohen në perëndim, shumë pastime të rreme, lidhur me shëndetësinë, fenë dhe shoqërinë, qarkullojnë edhe në vendet në zhvillim.

“Fuqia e WhatsApp, është se materialet qarkullojnë, në një rrjet mjaft të mbyllur, mes miqve, të cilët kanë më shumë besim tek njëri tjetri”, shprehet Wardle.

Impakt?

Pyetja kryesore është, – çfarë imapkti kanë lajmet e rreme në mendjen e votuesve? Që prej fillimit të debateve, lidhur me këtë çështje, ka patur shumë mosëmarrëveshje lidhur me imapktin e lajmeve të rreme në mënyrën se si njërëzit votojnë.

Në një prej studimeve të para rreth fake news, studiuesit në Universitetin Princeton, Dartmouth dhe Exeter, zbuluan se rreth 25% e amerikanëve, vizituan një faqe që përmbante lajme të rreme, brenda një periudhe 6 javore, përpara zgjedhjeve. Por studiuesit, zbuluan se vizitat në këto faqe ishin shumë të koncentruara, vetëm 10% e lexuesve, përbënin 60% të vizitave. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, studiuesit konkluduan se “lajmet e rreme nuk i mbysin lajmet e vërteta”.

“Përhapja ishte e gjerë, por jo e thellë”, shprehet Mantzarlis. Nuk mund të thuash se kjo gjë po helmon demokracinë tonë, apo se një kandidat fitoi për shkak të këtyre lajmeve. Duhet ende shumë punë kërkimore, për ta thënë një gjë të tillë”.

Nga Mike Wendling, BBC Trending – Përgatiti: TPZ.AL 

Loading...
More in Opinione
Ç’përfaqësojnë dy zhvillimet e bujshme në dosjen CEZ: Fashikujt që pritet të vijnë nga Praga dhe sa ndikon vdekja e Dritan Priftit

Close