LAJMI I FUNDIT
Home . Qytetari Digjital . Historia e vërtetë e Malcolm X: Banditi i shfrenuar, që u bë predikues i “Kombit të Islamit”

Historia e vërtetë e Malcolm X: Banditi i shfrenuar, që u bë predikues i “Kombit të Islamit”

Ishte 39 vjeç kur u vra ndërkohë që shihte një shfaqje në Audubon ballroom të Harlemit. Kush qëlloi dhe kush e dha urdhërin? Investigimi i detajuar i Marable rindërton një të vërtetë të ndryshme: ishte një komando prej pesë keqbërësish që firmosën ekzekutimin. Ai që qëlloi i pari, që dha goditjen vdekjeprurëse nuk është trazuar asnjëherë nga drejtësia. Sot jeton në Newark

malcolm 2Amerikës i është dashur të presë një president me ngjyrë që di t’i flasë Islamit, i rritur që fëmijë nën hijen e minareve të Xhakartës, më pas yll i Harvardit, i pastruar nga cdo lloj “aksenti zezakësh”, linguistik dhe ideologjik, statisti që guxon të mendojë një shoqëri të paqësuar dhe post-racore. Vetëm në epokën e Barak Obamës bëhet e mundur të rihapet një tabu e madhe, një faqe e grisur e historisë. Eshtë çështja Malcolm X.

Sot do të ishte 90 vjeç, dhe vdiq kur ishte 39, i qëlluar për vdekje ndërkohë që mbante një fjalim pasionant para turmës në Audubon Ballroom të Harlemit. Në atë 21 shkurt të vitit 1965, ditën e një vdekjeje të dhunshme që ai vetë e kish parashikuar dhe paralajmëruar, Malcolm X mori me vete në varr shumë sekrete: duke nisur nga identiteti i vrasësve dhe porositësve të tyre. Për më shumë se 40 vite, një intelektual i madh me ngyrë, historiani Manning Marable ka punuar për të dalë në krye të misterit.

Marable, themelues i departamentit të studimeve afroamerikane në Columbia University, ndërroi jetë 4 vjet më parë. Ka dalë pas vdekjes, vepra e tij monumentale: “Malcolm X: A Life of Reinvention”. Një vepër që të ndihmon të kuptosh arsyen e shumë heshtjeve dhe omerta-ve. Një tjetër historian, Stephen Howe, kujton se cfarë e bëri Malcolm X, heroin e një brezi të tërë: “Orator i jashtëzakonshëm, u shndërrua në ekranin ku miliona njerëz me ngjyrë projektuan shpresat e tyre. Kishte shumë prej improvizuesve të muzikës xhaz, u parapriu rrepistëve të së ardhmes. Mishëronte legjendën e të jashtëligjshmit hakmarrës, në një shoqëri ku zezakët s’kishin të drejta”.

Artist i ribërjes së vetvetes, Marable e përshkruan si një ndërtim të “maskës së shumëfishtë”: nga një i pagdhendur province, në keqbërës, nga njeri i spektaklit në intelektual autodidakt, eksponent radikal i nacionalizmit të nejrëzve me ngjyrë, predikues fetar, mysliman ortodoks. Një rival i ashpër i Martin Luther King, por nga fundi ishte në prag të pajtimit me të: duke firmosur kështu dënimin e tij me vdekje.

Pas vrasjes së Malcolm X, tre burra u arrestuan, gjykuan dhe dënuan me shpejtësi. Dy prej tyre u liruan në vitet tetëdhjetë dhe nuk kanë pushuar asnjëherë së deklaruari të pafajshëm. vetëm i treti, Talmadge Hayer, i dalë nga burgu vitin që kaloi, ka rrëfyer fajësinë e tij. Ishte vetëm ai që qëlloi atë ditë? Investigimi i detajuar i Marable rindërton një të vërtetë të ndryshme: ishte një komando prej pesë keqbërësish që firmosën ekzekutimin. Ai që qëlloi i pari, që dha goditjen vdekjeprurëse nuk është trazuar asnjëherë nga drejtësia. Eshtë 76 vjec, sot jeton në Newark, nën emrin William Bradley. Eshtë një ish kampion basketbolli.

malcolm 1Pista e porositësve hapet në dy drejtime, drejt forcave kundërshtare mes tyre por njësoj të interesuara për të eleminuar Malcolm X dhe më pas për ta varrosur atë në harresë. Nga njëra anë është FBI, e cila interceptonte në mënyrë sistematike telefonatat e tij, që injoroi kërcënimet për vdekje që shumëfishoheshin dhe që bëri të pamundurën që atentati të ndodhte i patrazuar. Nga ana tjetër është radikalizmi me ngjyrë, duke filluar nga Kombi i Islamit dhe një udhëheqës si Louis Farrakhan, i cili i ka rrëfyer Marable: “Mund të më nxjerrin para një jurie të madhe edhe sot, nuk ka recetë për vrasjet”.

Provat e grumbulluara nga autori janë shokuese, Michael Eric Dyson i Georgetown University është i bindur: “Ky libër imponon rihapjen e hetimeve”. Peter Goldman, gazetari që e ka intervistuar më shumë Malcolm X, është i bindur që një gjë e tillë nuk do të ndodhë: “Të bësh drejtësi sot, duke u ringjitur në shkallën e komandës? Të godasësh atë që dha urdhërin për ta qëlluar? Askush nuk e do”.

Ringjallja e fundit interesante e çështjes i përket fundit të viteve nëntëdhjetë: sharmi i Malcolm X bëri për vete regjisorin Spike Lee që bëri një film për jetën e tij duke ia besuar rolin Denzel Washingtonit. Në vitin 1999, postat i dedikuan një pullë postare. Por pastaj erdhi 11 shtatori: në epokën e luftës globale kundër terrorizmit, ishte telash të kujtoje që një Islam radikal dhe i dhunshëm ka hedhur rrënjë prej kohësh në shoqërinë amerikane, mes zezakëve, dhe jo si fenomen i importuar nga bota arabe.

Tek Islami, i riu Malcolm Little nga Omaha, Nebraska mbërriti pas disa rimishërimeve, të shoqëruara me ndryshime identiteti: Jack Carlton, Detroit Red, Satan, El-Hajj malik El-Shabazz. Në fund ajo X, simbol i rebelimit ndaj mbiemrave që u viheshin skllevërve me ngjyrë. Bir i një pastori baptist ndoshta edhe ai vetë i vrarë nga të bardhët, Malcolm rritet në një familje kaq të varfër saqë shpesh herë për darkë e ëma mund të ziente vetëm barëra që mblidhte në rrugë. Bëhet shpërndarës droge, më pas kapo i një bande hajdutësh në Detroit dhe në Harlem. Nga 1946 deri në 1952 e kalon kohën në burg për grabitje, në Norfolk Prison Colony, Massachusetts. Këtu konvertohet në Islam, braktis duhanin dhe lojërat e fatit, studion historinë e afroamerikanëve dhe bashkë me të Herodotin, Kantin, Niçen. I ndodh kalimi mes dy roleve po aq popullorë në mitologjinë e zezakëve: banditi i shfrenuar hakmarrës për të shtypurit, dhe predikuesi i thirrur për të shpëtuar shpirtërat e tyre. Rikrijimi i imazhit të tij vazhdon deri tek e famshmja Autobiografia e Malcolm X: kjo iu besua një ghost-writer-i shumë të mdoeruar, gazetari me ngjyrë Alex Haley, i cili më pas do të bëhej i famshëm me “Rrënjët”. Në atë autobiografi, burim i filmit të Spike Lee, ekzagjerohet kurrikulumi kriminal i Malcolm X, për ta bërë edhe më spektakolar shndërrimin e tij në besimtar.

Në kulmin e famës së tij Malcolm X bëhet zëdhënës i Kombit të Islamit dhe kontribuon në zgjerimin e radhëve deri në 500 000 të rregjistruar. Kur gjatë një aksidenti ajror vdesin 62 pasanikë të bardhë nga Atlanta, kjo është prova për të që “Zoti ekziston”. Reagon ndaj vrasjes së John F. Kennedy duke thënë që e kish merituar. Rekruton në burgje, duke krijuar kështu një përzierje mes militantëve politikë dhe kriminelëve. Bën thirrje për luftë të armatosur, mbron terrorizmin kundër policisë, bëhet pararendësi teorik i Panterave të Zeza.

Imagjinon një “komb me ngjyrë” që bën ndarjen brenda Amerikës, madje shkon deri atje sa takohet me eksponentë të Ku Klux Klan për të projektuar “ndarjen e dy racave”. Me Malcolm X, shpjegon Howe, Kombi i Islamit u shndërrua në një “përzierje bizarre teologjie, fantashkence, fanatizmi racor. Ai teorizonte ligësinë e racës së bardhë e në vecanti hebrenjve, si dhe inferioritetin e grave”.

Divorci vjen papritur. Për arsye edhe personale: udhëheqësi shpirtëror i Kombit të Islamit, Elijah Muhammad lë shtatzënë gruan me të cilën Malcolm kish patur një marrëdhënie të gjatë. Më pas vjen udhëtimi në Mekë, takimi me një Islam të moderuar dhe shumëracor. Një tjetër konvertim: në besimin sunit. Eshtë “tradhëtia” që armatos vrasësit e tij.

Pikërisht në momentin kur Malcolm nis të rekuperojë dialogun me Martin Luther King, deri atëherë i quajtur një lloj dajë Tomi, një shërbyes i të bardhëve. “Ka gjëra më të rëndësishme se sa e drejta të ulesh bashkë me të bardhët në një restorant”, kish thënë Malcolm X me një ton shpërfillës ndaj Martin Luther King.

Për poetin me ngjyrë Amiri Baraka, Malcolm X dhe trashëgimia e tij është më pak negative nga sa duket: “Sensi i identitetit, pavarësia, me këto vlera vija e ashpër e lëvizjes së njerëzve me ngjyrë pati një impakt shumë të madh në shoqërinë amerikanë. Pa të nuk do të kishim patur Obamën”.

Edhe në këtë pikë zezakët vazhdojnë të jenë të ndarë. Mes atyre që shohin tek Malcolm një mbrojtës të krenarisë së racës, dhe atyre që shohin tek ai burimin e viktimizimit të përjetshëm: etiketa e “zezakut të zemëruar” që Obama ka arritur ta heqë me një mundim të madh, duke duruar me stoicizëm akuzat për kombësinë e tij keniane apo fenë e tij islamike.

Dhe kur në korrik të vitit 2009 ky president mori në mbrojtje një profesor me ngjyrë të Harvard, Henry Louis Gates, viktimë e një dhune të tepruar nga policia, Amerika e bardhë dhe konservatore iu hodh “në fyt” Obamës. Duke shpresuar që do të reagonte me nerv. Duke ëndërruar që do të gjenin si kundërshtar një Malcolm X: një Satana.

Loading...
More in Qytetari Digjital
10 proceset gjyqësore që tronditën botën

Close