LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Hyn në fuqi strategjia për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit

Hyn në fuqi strategjia për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit

Hyjnë në fuqi dy vendime të rëndësishme të qeverisë, miratimi i strategjisë së shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe kriteret e dhënies me qira të pasurisë shtetërore. Dy vendimet janë botuar në Fletoren Zyrtare, çka i hap rrugë zbatimit të tyre.

Strategjia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura parashikon që brenda tre viteve të ardhshme, qeveria të paguajë mbi 72 miliardë lekë borxhe ndaj sektorit privat. Pothuajse gjysma e kësaj shume do të paguhet brenda këtij viti.

Strategjia përcakton procedurat mbi kontrollin, verifikimin dhe rakordimin e të gjitha pagesave të prapambetura, si dhe hartimin e masave për të shmangur krijimin e detyrimeve të reja në të ardhmen. Fillimisht do të shlyhen detyrimet më të vjetra, për të kaluar tek ato të krijuara më pas, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet të dokumentacionit përkatës.

Një tjetër vendim i rëndësishëm për sektorin privat që ka hyrë në fuqi është ai që lidhet me kriteret e dhënies me qira të pronave shtetërore. Vendimi përcakton se dhënia me qira e ambienteve shtetërore do të bëhet mbi bazën e konkurrimit, ku kriteret kryesore do të jenë, sipas radhës vlera e investimit, niveli i punësimit dhe oferta e qirasë mujore.

Sidoqoftë nga procedurat e konkurrimit do të ketë disa përjashtime, një prej të cilave është rasti kur qiramarrësi angazhohet të kryejë investime mbi 2 milionë euro. Vendimi përcakton edhe rastet kur pasuritë do të jepen me qira simbolike 1 euro. Kjo do të bëhet vetëm me vendim të posaçëm të qeverisë, për ndërmarrje të sektorit të fasonëve, apo edhe për biznese të tjera, me kusht që ato të marrin përsipër investime mbi 10 milionë euro.

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
Draxler qesh me interesimin e Bayernit

Close