Home . Opinione . Ilir Meta kryenepotisti shqiptar, edhe partinë e tij ia dhuroi gruas

Ilir Meta kryenepotisti shqiptar, edhe partinë e tij ia dhuroi gruas

Akademiku Rexhep Qosja në një intervistë për gazetën “DITA”, thotë se zbatimi i vettingut në Shqipëri duhet të luftë kundër dy të këqijave; korrupsionit dhe nepotizmit.

“Në Shqipëri, kurse në Kosovë më dukshëm se në Shqipëri, një e keqe tjetër e madhe (në disa vende evropiane e thonë më e madhe se korrupsioni) është nepotizmi.

Me nepotizëm cenohen meritat e të merituarve, shpërfillen aftësitë e të aftëve, mbushen politika, administrata, shteti, fushat e ndryshme të jetës shoqërore e shtetërore me familjarë e farefis, pavarësisht sa janë të aftë, të paaftë, të merituar a të pamerituar, të ndershëm a të pandershëm.

Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë për nepotizmin gati se nuk flitet nga institucionet shtëtërore! E si të flitet!? Nepotizmi në këto dy shtete është sistem! E si mund të flitet për nepotizmin këtu kur me nepotizëm “stolisen” edhe postet më të larta partiake e shtetërore?”

Duke folur për këtë të fundit, Qosja sjell rastin e Ilir Metës, të cilin e etiketon si kryenepotisti shqiptar.

“Kështu, fjala vjen, kryetari i Shqipërisë Ilir Meta mund të quhet kryenepotisti shqiptar sot.

Pasi u zgjodh kryetar shteti, partinë e tij LSI-në, në krye të së cilës ishte prej themelimit të saj, ia dhuroi të shoqes së tij Monika Kryemadhi.

Tani kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, bën politikë për të gjitha partitë e për gjithë shqiptarët, kurse e shoqja e tij bën politikën partiake që bënte ai në fushatën e zgjedhjeve të fundit! Hajde tani t’i pajtojmë këto dy politika kundërshtimore! Hajde tani të themi se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk ndikohen politikisht ndërsjelltas! Hajde tani të vetëpyetemi a është fare e mundshme lufta kundër të keqes së madhe të quajtur nepotizëm në Shqipëri e në Kosovë?!”, tha  Qosja për Dita-n.

Mos Humbisni:
F1, Vettel-Raikkonen përfundojnë garën që në kthesat e para (Foto)

Close