LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Intervista “hard-talk” e Spiropalit në ERTV: Strategjia e opozitës, t’i ngulim thikën pas shpine Shqipërisë!

Intervista “hard-talk” e Spiropalit në ERTV: Strategjia e opozitës, t’i ngulim thikën pas shpine Shqipërisë!

“Opozita ka vendosur që si strategji të saj të ketë përbaltjen e Shqipërisë, ndërsa në vijimësi ka mbajtur një qëndrim kundër reformës në drejtësi”.

Kështu deklaroi të enjten nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, në një intervistë dhënë për ERTV-në. Spiropali sqaroi dallimin e madh midis “këngës” së vjetër të një opozite që nuk e kursen baltën ndaj vendit dhe jehonës ndërkombëtare të progresit mbresëlënës në luftën kundër krimit, i vlerësuar dhe i përgëzuar nga partnerët tanë strategjikë.

Duke u ndalur te jehona në mediat ndërkombëtare të progresit të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të kanabisit, Spiropali vlerësoi si shumë realist artikullin e EUreporter për Shqipërinë.

“Ky raport flet për progresin e qëndrueshëm që Shqipëria ka bërë në të gjitha prioritetet, por edhe në luftën kundër krimit dhe kultivimit të kanabisit. Megjithatë mjafton t’i referohemi edhe deklaratave të zyrtarëve të lartë të BE-së, si dhe deklaratës së përbashkët në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe parlamentit të Shqipërisë, që njeh progresin që ka bërë Shqipëria në të gjitha fushat, veçanërisht në luftën kundër krimit dhe kultivimit të kanabisit”, tha Spiropali.

Sa i takon reformës në drejtësi, Spiropali theksoi faktin se “Shqipëria është avangard për rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi këtë reformë po e ndërmerr e pakushtëzuar nga BE”. “Kemi zgjedhur vetë ta kryejmë reformën në drejtësi, që është një nga kapitujt kryesor në fazën e negociatave me BE-në”, tha Spiropali.

Por në këtë drejtim, ajo nënvizoi se, “strategjia e opozitës është për t’i ngulur thikën pas shpine Shqipërisë në këtë moment kaq delikat”. “Shqipëria nuk është një vend që marrëdhëniet me Europën i ka pasur gjithmonë vaj. Ne kemi një histori të gjatë shkëputje  nga Europa dhe riafrimi ka qenë i vështirë. Të gjithë këta faktorë dhe fakti që tani jemi në një moment kaq të mirë në raport me historinë me Europën, duhet t’i bëjë të gjitha palët në Shqipëri që të jenë në një zë, të paktën për interesin kombëtar”, tha ajo.

Spiropali ftoi opozitën shqiptare që të ndjekë këtë strategji, sepse sipas saj, “kjo është strategji fituese”. “Opozita e ka kuptuar që kënga e tyre e përvajshme për Shqipërinë sterrë të zezë nuk ka funksionuar”, tha ajo.

Opozita ka kundërshtuar dhunshëm reformën në drejtësi, vijoi Spiropali, duke nënvizuar se “këtë gjë, herë e ka bërë hapur dhe herë fshehur”. “Opozita kishte një konspiracion për ta sabotuar reformën në drejtësi. Kur votoheshin ligjet nuk ishin në Kuvend, por u desh që të bëhej një marrëveshje me kryeministrin për ta kthyer opozitën në udhën e ligjshmërisë dhe për të bërë një palë zgjedhje që janë më të mirat që ne kemi bërë”, tha ajo.

Maxhoranca dhe opozita, sipas Spiropalit, duhet të jenë një zë për interesin kombëtar.

“Nuk e di nëse frikësohen apo jo nga kjo reformë dhe nuk jam këtu për të bërë as prokurorin dhe as gjykatësin e opozitës. Për mua, opozita e vendit tim është e shenjtë, unë e respektoj opozitën si institucion dhe kërkoj të ngrihen në nivelin e përgjegjësisë që i ka mandatuar populli”, tha Spiropali.

Humbja e zgjedhjeve dhe frika nga reforma në drejtësi, sipas Spiropalit, janë bërë bashkë në këtë konglomerat të rrezikshëm që ka devijuar misionin e opozitës. “Misioni i opozitës është që të jetë një alternativë qeverisëse në vend dhe jo të ‘bredh’ dyerve të BE-së për të nxirë Shqipërinë”, tha ajo.

Për Spiropalin, “strategjia e opozitës është e thjeshtë: le ta nxijmë Shqipërinë, sepse mjet tjetër për të marr pushtetin nuk shohim”.

Duke komentuar kapjen e një sasie të madhe kokaine në portin e Durrësit, Spiropali tha se “kjo është dëshmi se organet ligjzbatuese janë në këmbë dhe në detyrë. Sipas saj, “ky aksion është përgëzuar edhe nga ambasadori i SHBA-së dhe përfaqësuesja e BE-së në Shqipëri, institucione këto që e shohin Shqipërinë me një lupë shumë të zmadhuar”.ATA

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Ne, lehësit dhe Kryelehësi!

Close