LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Bota . Itali, rebus pas-zgjedhor: PD mund të vendosë se kush qeverisë

Itali, rebus pas-zgjedhor: PD mund të vendosë se kush qeverisë

Çfarë po ndodh në situatën pas-zgjedhore në Itali? A nuk i kishte humbur zgjedhjet Partia Demokratike? A doli vetëm e treta si koalicion i majtë? A është e vërtetë që sekretari Renzi u detyrua të jepte dorëheqjen, pas konstatimit se partia po përjeton një krizë të vërtetë? Të gjithë qendrojnë. Po ashtu si dhe fakti që, tashmë nga të gjitha anët po shohin me kërshëri se ç’qendrim do të mbajnë të zgjedhurit e PD-së kur të vijë puna për të krijuar qeverinë e re.

Shumë numra dhe shumë llogari po dalin orët e fundit në skenë si hipoteza për krijimin e Ekzekutivit të ri italian. Më të rëndësishmet janë dy: 316 dhe 161, që janë vendet në Dhomë dhe Senat, të cilat japin të drejtën të qeverisësh. Por këto nuk i ka asnjë forcë dhe asnjë koalicion. Tek Dhoma, 5 Yjet kanë 221 vende dhe në Senat 112. Salvini dhe të djathtët e tjerë kanë 264 dhe 135. Në këto kushte, të dy palët kanë nisur të shohin me interes votat e “humbësve” të PD. Qoftë edhe një pjesë e tyre do të plotësonte kërkesën e të djathtës apo të 5 Yjeve për të krijuar qeverinë.

Po çfarë mendojnë në PD?
Matteo Renzi, i përfshirë nga polemikat e brendshme për dorëheqjen e tij të “ngrire”, është hedhur në kundërsulm dhe i ka sulmuar të tijtë: “Kemi humbur, do jap dorëheqjen dhe sërish më sulmoni? Kush do qeveri me 5 Yjet ose me të djathtat, ta thotë në kryesi”.

Në rrjetet sociale i është përgjigjur Enrico Franceschini: “Nuk e kam menduar kurrë – shkruan ministri i Kulturës – se është e mundur të krijihet një qeveri me 5 Yjet, dhe aq më pak me të djathtën. Shtoj se nuk kam gjetur asnjë shenjë në Pd se ndokush ka në mendje ta bëjë këtë, kështu që janë polemika të kota ose keqinformime helmuese mediatike”.

Lajmërimi për dorëheqjen e “ngrirë” të Matteo Renzi-t ka ndezur debatin e brendshëm për të ardhmen e Pd-së. Ministri Carlo Calenda dhe guvernatori i Piemontes Sergio Chiamparino janë gati të konkurrojnë për kryetarë. Presidentja e Friuli Venezia Giulia-s Debora Serracchiani ka dhënë dorëheqjen nga kryesie, ndërsa guvernatori i Puljas Michele Emiliano është gati t’u bashkohet 5 Yjeve.

Presidenti
Pas Pashkëve, presidenti Sergio Mattarella do të nisë konsultimet për të vendosur se cili do të jetë kryeministri i ri i vendit. Historia dhe Kushtetuta na jep dy opsione. “Më i vështiri është ai, sipas të cilit Mattarella vendos se krijimi i qeverisë nuk është i mundur dhe shpërbën Parlamentin”, thotë profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Romës, Giovanni Guzzetta. “Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në të shkuarën, – thekson ai. – Nuk jemi gjendur ndonjëherë në situatën kur zgjedhjet zëvendësohen menjëherë nga të tjera”.

Alternativa e dytë për kreun e shtetit do të ishte caktimi i një figure institucionale, sië është për shembull kreu i Senatit. Një njeri që luan rolin e lehtësuesit dhe që merr mandatin, jo për të qenë kryeministër, por sepse kështu do të ketë liri më të madhe sesa presidenti, që të arrijë të konsultohet me forcat politike e të krijojë shumicën.

Megjithatë, të farkëtosh një aleancë mes partive që luftuan kaq ashpër me njëra-tjetrën nuk është edhe aq e lehtë.

Kryetari i shtetit italian, – sipas “Euroneës”, – gjendet përballë momentit më të vështirë të mandatit të tij, pasi tani, të gjithë sytë janë drejtuar tek ai, si në Itali, ashtu edhe jashtë saj.

Koalicionet
Aritmetika është shumë e qartë. E paqartë mbetet ajo se sa do të mund të kapërcejnë pengesat e tyre partitë politike italiane për të arritur të bashkohen në formimin e qeverisë. 5 Yjet vetë po përgatitin një pakt me 10 pika, që do t’u lejonte të qeverisnin në aleancë dukshëm me Partinë Demokratike, por pa Renzin në krye. Kjo ka vënë në lëvizje pjesëtarët e PD-së, që janë më të prirur të shohin një aleancë larg së djathtës anti-europeiste.

Jo se Salvini nuk po tregon interes për joshjen e së majtës, por kjo është një mundësi më e largët.

 

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Ne, lehësit dhe Kryelehësi!

Close