Home . Aktualitet . Ja si abuzoi i përkëdheluri i Kokëdhimës me Ujësjellësin, me mbifaturime dhe shpërdorime

Ja si abuzoi i përkëdheluri i Kokëdhimës me Ujësjellësin, me mbifaturime dhe shpërdorime

Gjatë muajit janar 2016, është konstatuar një ngjarje e rëndë, mbifaturim i konsumit të abonentëve të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, duke krijuar vështirësi për abonentët, të cilët në masë ishin biznese, por edhe për stafin, për shkak të ankesave të shumta të depozituara, të cilat duhet të verifikoheshin.

Kjo situatë e rëndë, përveç problemeve operacionale, ka ulur besimin e qytetarëve në funksionalitetin e këtij institucion të rëndësishëm publik.

Veç reagimit të Bashkisë Tiranë, që është aksioneri kryesor i Ujësjellësit të kryeqytetit, e cila shkarkoi ish-drejtorin Neritan Gjojdeshi, për aktivitetin e kësaj ndërmarrjeje publike zhvilloi një audit të zgjeruar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili konstatoi, gjatë asaj periudhe, një situatë skandaloze, të krijuar si pasojë e drejtimit plot me abuzime nga drejtuesit e saj, tashmë të shkarkuar.

Mbifaturimet e jana 2016   
Po çfarë ka ndodhur në janar të vitit të kaluar?

Sipas auditoesve të KLSH, ish-drejtuesi i UKT, me shkresë nr. 17170/6, datë 09.02.2016, i ka dërguar Këshillit Mbikëqyrës relacion për situatën e mbifaturimeve të muajit janar 2016. Informacioni i marrë nga punonjësit e IT, dhe i referuar në Këshillin Mbikëqyrës, nuk jep asnjë indicie nëse fenomeni ka ndodhur nga ndërhyrje të punonjësve të kësaj strukture, apo nga jashtë.

Ndërkohë që ish-Drejtori i përgjithshëm i UKT Neritan Gjojdeshi dhe K.Z, i cili ka lidhur kontratë qiraje me UKT për programin që përdoret në sistemin e menaxhimit të informacionit, në një konferencë për shtyp, më datë 22.02.2016, kanë deklaruar se ka patur ndërhyrje në sistem nga jashtë dhe për këtë ngjarje është bërë kallëzim penal.

Nga auditimi i dokumentacionit në dispozicion, nuk rezulton të jetë bërë kallëzim penal.
Problematika, dokumentacioni dhe faktet e mbledhura nga grupi i punës së ngritur për këtë qëllim, me shkresën nr. 1904 prot., datë 05.04.2016, i kanë kaluar për trajtim Auditit të Brendshëm të shoqërisë.

Me arsyetimin që njësia e auditit të brendshëm pranë UKT nuk ka në përbërjen e saj specialist audit IT, fakt që ishte i ditur, që në momentin që kësaj strukture ju kërkua ky mision angazhimi, është rekomanduar që drejtoria juridike pranë UKT të bëjë kallëzim në organet kompetente, për të mundësuar një hetim të plotë të çështjes nëpërmjet kryerjes së ekspertizës së sistemit të menaxhimit të informacionit dhe nxjerrjen e shkaqeve si dhe personave përgjegjës.

Nga ana e Këshillit Mbikëqyrës, megjithëse nuk është verifikuar ngjarja e plotë nga strukturat e brendshme, si dhe strukturat kompetente të hetimit nuk janë shprehur, është marrë vendim:
– T’i propozohet Asamblesë së Aksionarëve marrja e masës disiplinore “Vërejtje” dhe heqjen e të drejtës për t’u ngritur në detyrë, për ish-Përgjegjësin e Njësisë së IT, në cilësinë e drejtuesit të strukturës përgjegjëse për mbi faturimet e muajit janar 2016.
– Për ish-drejtorin e Departamentit të Shitjes, konsiderohet e ezauruar ulja në detyrë për shkak të largimit të tij nga puna.

Asambleja e Aksionarëve, me Vendim nr. 15, datë 31.04.2016, ka miratuar dhënien e masave disiplinore për ish-drejtuesit e Departamentit të Shitjes dhe IT, të cilët kanë ushtruar këto detyra në periudhën janar-shkurt 2016.

Për ngjarjen e mësipërme Këshilli Mbikëqyrës ka shkarkuar nga detyra drejtorin Neritan Gjojdeshi.

Por, sipas KLSH, në gjykimin e grupit të auditimit, trajtimi i përgjegjësisë së kësaj ngjarje me “Vërejtje”, pavarësisht vështirësive të krijuara në menaxhimin e situatës, pasi pranë shoqërisë janë depozituar 2.715 ankesa përmbi faturim, është një praktikë e gabuar lidhur me ndëshkimin e keqmenaxhimit të subjekteve publike nga funksionarët e shtetit.

Nga auditimi rezulton se për periudhën pasuese, pas janarit 2016, nuk ka patur fluks ankesash për mbi faturim shërbimi të furnizimit me ujë.

Abuzimet me buxhetin
Drejtoria e UKT SHA, theksojnë audituesit, në hartimin e projektbuxhetit për vitin 2016, nuk është bazuar në treguesit e vitit të kaluar, por ka rritur apriori këta tregues, pa argumentuar dhe analizuar në asnjë rast rritjen e treguesve me pritshmëritë dhe objektivat e zhvillimit të shoqërisë për vitin 2016 e në vazhdim, në kundërshtim me Udhëzimin e Ministrisë së Ekonomisë nr. 965, datë 11.12.2007 “Mbi zbatimin e VKM për transferimin e aksioneve të shoqërive të ujësjellës kanalizimeve në njësitë e qeverisjes vendore”.

Në hartimin e Programit Ekonomik, nga Drejtoria Ekonomike në bashkëpunim me drejtoritë e tjera, mungon një analizë e detajuar mbi realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve, nuk janë analizuar shkaqet dhe faktorët që kanë ndikuar në arritjen ose jo të objektivave dhe në realizimin e treguesve kryesor teknik, ekonomik dhe financiar të UKT.

Në lidhje me mbajtjen e pasqyrave financiare, u konstatuan diferenca në paraqitjen e të dhënave të këtyre pasqyrave, pasi u vërejtën mospërputhje të llogarive të bilancit, të mbyllur në 31.12.2015, me llogaritë e çeljeve të vitit 2016, të pashoqëruara me shënimet shpjeguese, në kundërshtim me ligjin.

Mbi auditimin e inventarëve të mbajtura nga UKT SHA, konstatohen parregullsi në vlerat e pasqyruara, sa i përket mallrave rikupero dhe atyre stok. Nuk është bërë një analizë e mallrave stok, për të parë nëse ka mallra që i nevojiten UKT SHA, duke shmangur, në këtë mënyrë, kryerjen e procedurave të reja të prokurimit me objekt mallrat, që mund të jenë tek mallrat stok.

Për mallrat stok, që kapin një vlerë të konsiderueshme, UKT SHA nuk ka marrë asnjë masë për menaxhimin e tyre, ose dërgimin e tyre në njësi të tjera për administrim. Nuk është vazhduar procedura për asgjësimin e tyre sipas urdhrave përkatës. UKT SHA, për vitet 2014 dhe 2015, nuk ka asgjësuar materialet e nxjerra jashtë përdorimit.

Për mallrat që janë deklaruar të vjedhura ose për ato që nuk janë nën përgjegjësinë e personave të autorizuar, UKT SHA nuk ka marrë asnjë masë për nxjerrjen e përgjegjësive ose shkaqeve të humbjes së tyre, por as nuk ka ndarë përgjegjësitë tek personat përkatës.

Abuzimet me burimet njerëzore
Nga auditimi është konstatuar se kanë ndodhur ndryshime të strukturës brenda një periudhe të shkurtër kohore, fakt që tregon për një drejtim jo të kujdesshëm të burimeve njerëzore dhe që ka sjellë kosto shtesë për financat e kësaj njësie publike.

Kështu është konstatuar se, me shkresën nr .23675/2 datë 26.11.2015, ish-drejtori Neritan Gjojdeshi ka dërguar në Asamblenë e Përgjithshme të Aksionarëve propozimin për ndryshimin e strukturës dhe shkurtimin e numrit të punonjësve së shoqërisë UKT SHA, me argumentin se administrata është e mbingarkuar me burime njerëzore dhe në shumë sektorë vendet e punës janë të dubluar.

Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve, me Vendimin nr. 25, datë 09.12.2015, ka miratuar ndryshimin e strukturës dhe shkurtimin e numrit të punonjësve, nga 1.300 punonjës, në 864 punonjës.

Pas këtij vendimi, në muajin dhjetor të vitit 2015, janë larguar nga puna 436 punonjës, me objekt “zgjidhje e marrëdhënieve të punës për shkak të shkurtimit të vendit të punës apo suprimimit të vendit të punës”, e cila nga UKT SHA, është konsideruar si zgjidhje kolektive e marrëdhënieve të punës, pasi, në bazë të nenit 148 të Kodit të Punës, për një periudhë 90-ditore, ka pasur mbi 30 pushime nga puna, duke vepruar në kundërshtim me nenet 143 dhe 148 të Kodit të Punës si dhe Vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 19, datë 15.11.2007.

Pasojat
Pas kësaj, konstatohet se në vitin 2016 janë hapur 211 procese gjyqësore me objekt “Dëmshpërblim page”, për të cilat punonjësit kanë marrë nga UKT shumën prej 46.790.475 lekë (347 mijë euro), per shkelje të afatit të njoftimit në varësi të kohëzgjatjes së marrëdhënieve të punës.

Ndërkohë që, deri në datën 31.03.2017, kanë përfunduar 33 procese gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit dhe është likuiduar shuma prej 21.407.129 lekësh, si dhe janë në vazhdim edhe 178 çështje gjyqësore, për të cilat pritet gjykimi nga Gjykata e Apelit, të cilat do të rëndojnë dhe do të japin efekte negative në rezultatin ekonomiko-financiar të UKT.

Vlera e detyrimeve gjyqësore të likuiduara nga UKT SHA, për periudhën e auditimit është 68.187.604 lekë (505 mijë euro), vetëm si pasojë e largimit nga puna të punonjësve, që, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, është kryer padrejtësisht.

Abuzime me prokurimet
Në zbatimin e procedurës së prokurimit me objekt “Rikonstruksion rrjet kanalizimi në Rrugën e Kavajës deri te Lumi i Lanës”, me fondi limit 39.137.000 lekë, rezulton se janë vendosur kritere, të cilat nuk janë në përputhje me volumin e kontratës dhe llojin e teknologjisë, që është parashikuar për realizimin e punimeve, në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik.

Po ashtu, në tenderin e zhvilluar me objekt “Blerje materiale ndërtimi për UKT SHA” rezulton se është skualifikuar një operator ekonomik për shkak të mosplotësimit të kritereve në përputhje me volumin dhe objektin.

Skualifikimi i këtij operatori me ofertën ekonomike më të leverdishme ka shkaktuar një efekt negativ financiar me vlerë 1.175.916 lekë me TVSH, shkaktuar nga kriteret kualifikuese të hartuara nga Njësia e Prokurimit.

Në zbatimin e procedurës së prokurimit “Ndërtim ujësjellësi në zonën që kufizohet nga rrugët “Anastas Shundi”, “Rreli”, “Jordan Misja” dhe “Demir Progni”, me fond limit 22.708.000 lekë, rezulton se Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “E.C.C” dhe “A.A”, kanë paraqitur shkresën nr. 15, sipas të cilës tërheq ofertën e paraqitur, me përcaktimin “Për arsye të paparashikuara personale”.

Tërheqja nga tenderi i këtij operatori dhe nënshkrimi i kontratës me ofertuesin i renditur i dyti i ka kushtuar Autoritetit Kontraktor realizimin e kontratës me vlerë më të lartë, në shumën 5.062.000 lekë. Duke marrë në konsideratë faktin se ky ofertues ka ofertë më të lartë se 2% e fondit limit, KVO duhet të propozonte anulimin e procedurës, veprim, i cili duhet të kryhej nga titullari i autoritetit kontraktor.

Po ashtu, gjatë zbatimit të procedurës së prokurimit “Rehabilitim kanalizimi në rrugën Don Bosko, përfshirë edhe rrugën Egnatia” janë skualifikuar 2 operatorë ekonomikë, “B” sh.p.k për mangësi në dokumentacion, ndërsa JV N.N për arsye të tërheqjes së ofertës. Si pasojë e tërheqjes së bashkimit të operatorëve ekonomikë si më sipër, çmimi i kontratës është rritur në vlerën 1.172.000 lekë. Edhe për këtë procedurë, autoriteti kontraktor duhet të vepronte duke e anuluar.

Në tenderin e zhvilluar me objekt “Blerje kimikate”, me fond limit 19.700.000 lekë, procedurë “Negocim pa shpallje”, përzgjedhja e procedurës “me negocim pa shpallje paraprake”, është e paargumentuar dhe në kundërshtim me ligjin e prokurimit public.

Nevoja për blerje kimikate nuk është shkaktuar nga ngjarje të paparashikuara, por nga
AK, i cili nuk ka marrë masa për planifikimin e nevojave në fillim të vitit dhe zhvillimin e procedurave normale ligjore për kimikate.  Fondi limit është llogaritur 4.380.000 lekë, më i lartë se përvoja e vitit të mëparshëm me po të njëjtin operator ekonomik “V”, duke shkaktuar efekt ekonomik negativ për UKT.

Janë prokuruar bileta transporti për udhëtime jashtë vendit në shumën 6.260.050 lekë, me blerje të vogla dhe procedura me negocim pa shpallje, në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik.

Për procedurat e prokurimit “Me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” me objekt “blerje bileta avioni”, konstatohet se janë ftuar dhe shpallur fitues të njëjtët operatorë ekonomikë, veprim në kundërshtim me ligjin.

Janë realizuar 3 procedura prokurimi të blerjeve me vlera të vogla në kundërshtim me VKM “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”.

Shkelje ligjore
Shpërndarja e karburantit nga magazina bëhet në kundërshtim me ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. Nga verifikimi i gjendjes fizike të magazinës me atë kontabël, për 2 artikuj rezultoi me diferencë për 570 litra naftë dhe 160 litra benzinë.

Nga auditimi është konstatuar se nëpërmjet bankës janë paguar gjoba për llogari të Drejtorisë së Tatimeve, për pagesë kundrejt detyrimit tatimor, që përfshin interesin dhe deklarim të vonuar të tatim fitimit për muajt korrik – dhjetor i vitit 2015, në muajin qershor 2016, pagesë për gjobë për deklarim të vonuar të TVSH për periudhën janar-prill 2016 dhe pagesë e vonuar TVSH, në muajin korrik 2016 dhe gjobë për vonesë dorëzim bilanci dhe pagesë interesi mbi tatim fitimin e vitit 2015, në muajin gusht.

Shkelje teknike
Nuk është kryer monitorimi i shkarkimeve të ujërave të ndotura komerciale dhe industriale, që vijnë nga subjektet shkarkuese komerciale dhe industriale, si dhe nuk është kryer asnjë analizë e ujërave të ndotura, për pasojë nuk mund të gjykohet për zbatimin e standardeve shtetërore.

Gjithashtu, konstatohet se nuk është mbajtur ditari i regjistrimit të të dhënave të prodhimit të grumbullimit, largimit e përpunimit të ujërave të ndotura urbane, komerciale dhe industriale.

Nuk është mbajtur regjistri i ujërave të ndotura, që nuk mund të shkarkohen në sistemin publik të kanalizimeve (komerciale dhe industriale), vendmbajtja e tyre dhe largimi në mënyre legale dhe të autorizuar, si dhe regjistri i heqjes së llumit nga gropat septike, gropat e banjave dhe procedura e ndjekur sipas metodologjisë së miratuar nga ERRU-ja.

Dëmi ekonomik
Gjatë auditimit është konstatuar dëm ekonomik me vlerë 27.743.162 lekë dhe dëm ekonomik pa mundësi arkëtimi me vlerë 68.187.604 lekë.
Po si janë kryer abuzimet, që praktikisht janë vjedhje të fondeve publike?
Ja disa raste:

Nga auditimi i zbatimit të kontratës së punimeve civile “Ndërtim depo uji 4.000 m3 në Yzberisht”, rezulton se grupi i negocimit ka negociuar çmimin e zërit të punimeve

“Gërmim shkëmb mesatar me çekiç me ekskavator me zinxhirë” me çmim 2.903 lekë për m3. Nga verifikimi i çmimeve të këtij manuali, rezulton se, për punime të ndërtesave, objekt i të cilit është kjo kontratë, çmimi përcaktohet 1.770 lekë/m3.

Si pasojë, është shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 3.563.210 lekë.Nga verifikimi i punimeve në objekt rezulton se skicat e gërmimit nuk janë në përputhje me realizimin në fakt. Sasia e gërmimit e përfshirë më tepër në gërmim është 3.700 m3, me vlerë 5.594.400 lekë, është përfituar padrejtësisht nga Kontraktori dhe përbën dëm ekonomik.

Sa i përket zërit “Gërmim shkëmbi mesatar me çekiç me ekskavator me zinxhirë”, rezulton se sasia e përfshirë në situacionin përfundimtar prej 5.649,7 m3 është e pasaktë.

Nga përllogaritjet, rezulton se sasia e këtij masivi shkëmbor është afërsisht 2.373 m3. Diferenca e likuiduar më tepër është 3.267.7 m3, me vlerë 6.055.048 lekë, e cila është përfituar padrejtësisht nga kontraktori dhe përbën dëm ekonomik.
A. Nga auditimi i zbatimit të kontratës “Rehabilitim kanalizimesh rruga “Don Bosko”, përfshirë rrugën “Egnatia”, rezulton se mjeti autobot është përdorur vetëm 24 ditë, nga 28 ditë të përfshira në situacionin përfundimtar të punimeve.

Në situacionin përfundimtar janë likuiduar 300 orë punë. Numri i orëve për ditë pune të regjistruara është 11. Në këto kushte, është likuiduar më tepër sasia 36 orë, që është përfituar padrejtësisht nga Kontraktori.

B. Nga auditimi i zbatimit të kontratës “Rehabilitim kanalizimesh rruga “Don Bosko”, përfshirë rrugën “Egnatia”, rezulton se mjeti autobot është përdorur vetëm 24 ditë, nga 28 ditë të përfshira në situacionin përfundimtar të punimeve.

Në situacionin përfundimtar janë likuiduar 300 orë punë. Numri i orëve për ditë pune të regjistruara është 11. Në këto kushte, është likuiduar më tepër sasia 36 orë, që është përfituar padrejtësisht nga Kontraktori.

C. Është likuiduar zëri i punimeve “Përforcime metalike në të dy anët e rrugës” në sasinë 165 ton, në gjatësinë e rrugës 94 metra.

Sasia e përforcimeve metalike likuiduar më shumë është 118 ton dhe vlera 1.698.916 lekë është përfituar padrejtësisht nga Bashkimi i operatorëve ekonomikë “K & A” dhe përbën dëm ekonomik.

D. Nga auditimi i zbatimit të Kontratës “Ndërtim rrjet kanalizimi në zonën e Ish-Uzina e Autotraktorëve”, rezulton se, në procesverbalin e mbajtur me datë 19.09.2016, theksohet se banesat janë ndërtuar mbi themelet ekzistuese të ish-Uzinës Autotraktori, ku pjesa e tabanit rezultoi me shtresë betoni me thellësi 30 deri 40 cm, për zonën midis piketave a30-b30-c30-d30-b’30-a’30.

Nga auditimi i dokumentacionit të librezës së masave rezulton se për zërin “Thyerje betoni” për të cilin është marrë gjatësia 500 ml dhe me seksion tërthor (1.00 m x 0.4 m), në fakt është 150 ml.

Në këto kushte, sasia 140 m3 [1 m x 0.4 m x (500-150 m)]është përfshirë më tepër në situacionin e punimeve shtesë. Vlera 588,000 lekë është përfituar padrejtësisht nga Kontraktori “JV K dhe K.I” dhe përbën dëm ekonomik.

Shpërdorim fondesh
Gjatë auditimit është konstatuaredhe  përdorim pa efektivitet të fondeve me vlerë 744.405.437 lekë (5.5 milionë euro).
Borxhi total ndaj UKT-së, i krijuar dhe mbartur prej vitit 2008, në fund të vitit 2016 rezultoi në vlerë totale 3.575.209.849 lekë.

Në këtë vlerë përfshihen detyrimet për faturim shërbimi (pavarësisht nga kategoritë e përfituesve) në masën 2.696.053.417 lekë, duke reflektuar një shtesë borxhi vetëm për vitin 2016 në masën 346.295.379 lekë, vlerën e kamatës së akumuluar në masën 305.976.887 lekë, si dhe detyrimet për taksën vendore në masën 605.566.500 lekë.

Nivelin më të lartë të borxhit e mbajnë klientët familjarë, me një detyrim të papaguar në masën 1.653.366.879 lekë, vlerë që vetëm në vitin 2016 është rritur në masën 23%.

Pavarësisht se konstatohen përpjekje për të menaxhuar borxhet e akumuluara për faturim të shërbimit nga ana e UK Tiranë, fakti se, vetëm për faturimin e vitit 2016, mosarkëtimi i faturave është në masën 744.405.437 lekë, reflekton problematikën e madhe që lidhet me adresimin jokorrekt të këtij problemi nga strukturat drejtuese.

Masat
Bazuar e në referim të nenit nr. 37 të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995, i ndryshuar, Kontratën Kolektive të punës Neni 24, KLSH kërkon nga Drejtori i Përgjithshëm i Shoqërisë të fillojë procedurat për dhënien e masave disiplinore, duke filluar nga Neritan Gjojdeshi dhe mbi 20 punonjës të tjerë në nivele të ndryshme të kompanisë.

Por, meqenëse personat e mësipërm janë larguar nga puna, masat disiplinore konsiderohen të ezauruara.

Mos Humbisni:
E tepron Kim, me fustan transparent dhe pa reçipeta në rrugësisht e zhveshur (Foto)

Close