LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Argetim . Jari i shkruan Tur Zhejit: Mbahu mos u ble!

Jari i shkruan Tur Zhejit: Mbahu mos u ble!

Tur Zheji ka disa javë që ka vënë alarmin se Rama po i blen të gjithë dhe se këtu nuk do ngelet asnjë njeri pa u blerë. Jari ka vrejtur se Zheji, duke folur me gjuhë alegorike, lë të kuptohet se këtu mund të blehet dhe Luli përveç shtypit dhe intelektualëve.

Pas këtij alarmi të shpeshtuar Jari vendosi t’i shkruajë publikisht Turit.

I dashur Turi.

Jari të sqaron!

I kam lexuar thirrjet e tua të përhershme dhe alarmin që ngre për rrezikun që mund të na blejë të gjithëve Edi Rama. Ky është një rrezik serioz.

Unë sot për shembull isha tek “Big Marketi” bashkë me gruan dhe ndërsa ajo po blente ilaç rrobash, shitësja i ofroi falas dhe një lëng.

-Pse ma ofron falas, -i tha gruaja.

-Është në ofertë,- i tha shitësja, po bleve një pluhur rrobash, ke falas këtë lëngun.

Gruaja pa nga unë.

-Në asnjë mënyrë,- i thashë. Kërkon të na blejë, se ky pronari është socialist.

Ashtu të zemëruar siç ishim për këtë tentativë të turpshme blerjeje nga Edi Rama, shkuam në një restorant në drekë këtej nga Dajti, ku kemi marrë shtëpinë e re.

Pasi mbaruam drekën, kamarieri na solli faturën dhe na tha pijen e fundit e ke nga pronari.

Aty më iku truri fare.

Është fiks restoranti që ha Edi Rama herë pas here.

-Në asnjë mënyrë,- i thashë. Nuk më blen dot Edi Rama me një pije.

Ti thashë këto, i dashur Turi, për të treguar se të gjithë përballemi çdo ditë me tentativën për të na blerë. Por duhet të rezistojmë. Unë i shikoj me simpati thirrjet e tua dhe çuditem se si mediat e tjera nuk sensibilizohen. Me siguri që janë blerë. Por detyra jote është të rezistosh ashtu si ne të tjerët.

Edi Rama do të vijë një natë me një çantë me euro dhe do të kërkojë të të blejë. Ai është shumë i poshtër. Të lë ty të bësh këto thirrjet pa reaguar, për të kuptuar se deri kur mund të rezistosh pa lekë. Dhe pastaj të të dërgojë cantën. Ndaj mos u dorzo. Botoji çdo javë këto thirrjet paralajmëruese për blerje që ai ta dijë mirë që ti as shitesh as blihesh. Vetëm sponsorizohesh.

Loading...
More in Argetim
Jari e ndjen se nëna e Kacifasit është frymëzuar nga fjalimi i Lulit

Close