LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Joana Qeleshi, mikja e Argita Berishës, kryegjyqtarja e dorëhequr e Durrësit “molla e sherrit” mes Rumit të Sukthit, qeverisë dhe libanezit të m.asakruar për tokën tek Gjiri i Lalzit

Joana Qeleshi, mikja e Argita Berishës, kryegjyqtarja e dorëhequr e Durrësit “molla e sherrit” mes Rumit të Sukthit, qeverisë dhe libanezit të m.asakruar për tokën tek Gjiri i Lalzit

Arjan Ndoja, prokurori i Durrësit që prej gjashtë muajsh po heton dosjen e pronave në fshatin Draç, Ishëm, duke arrestuar dhe disa prej zyrtarëve të hipotekës së Durrësit, i ka shpëtuar paq një atentati të mirëorganizuar më armë kallashnikovi, ditën e djeshme në mbikalimin e Shkozetit.

Ndoja ndodhej në makinë në praninë e shoferit të tij Andi Maloku, një ish-efektiv policie në Krujë dhe nën shoqërinë e një personazhi në botën e krimit në Durrës, i quajtur Landi Muharremi. Ky i fundit, nga Sukthi, dyshohet se fshihet pas një prone 45 mijë metra katrorë në Draç të fshatit Ishëm, pronë kjo që është bërë objekt i konflikteve të vazhdueshme që kanë sjellë dhe ngjarje kriminale, si ajo e rrahjes barbare të investitorit libanez Faad Mitri në shtator të 2016-ës.

Kryegjygjtarja e dorëhequr e Durrësit i dha pronën të moshuarit, pas të cilit dyshohet të fshihet Muharremi

Prona është e regjistruar me vendim të marsit 2016 të Gjykatës së Durrësit, nga kryegjyqtarja tashmë e dorëhequr Joana Qeleshi (pa u futur në vetting), në emër të një 75 vjeçari, Pal Seçuni, pas të cilit ka dyshime se fshihet Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho dhe njohur me nofkën “Rrumi”. Qeveria dhe Bashkia e Durrësit që miratuan leje që biznesmeni libanez Mitri, të ndërtonte resort turistik, pretendonin se toka në Gjirin e Lalzit është shtetërore dhe jo private. Por pas dhunimit nga persona të arrestuar dhe më tej të liruar, mes të cilëve dhe vetë Landi Muharremin, dosja u pezullua dhe biznesmeni u largua nga Shqipëria dhe hoqi dorë nga investimi.

Dhunimi i biznesmenit libanez në shtator 2016/ Si u arrestuan dhe liruan tre personat

Dhunimi me shkopinj bejsbolli i investitorit libanez Faad Mitri në shtator të 2016 solli arrestimin e disa personave, por që çuditërisht më pas hetimet për këtë çështje janë pezulluar ndërsa personat e arrestuar janë liruar. Personat e ndaluar në atë periudhë nga policia e Tiranës ishin nga Shijaku dhe Sukthi, dhe sipas policisë ishin Landi Muharremi, Arben Mërkuri dhe Skënder Krahja. Ndërkohë në atë periudhë është shoqëruar dhe një biznesmen ndërtimi me inicialet N.J.

Në atë periudhë u fol se njëri nga të arrestuarve e ka identifikuar vetë biznesmeni libanez. Faad Mitri është ballafaquar me njërin nga agresorët duke konfirmuar se ishte pikërisht personi i ndaluar që e kishte qëlluar me grushte dhe sende të forta, duke i thyer këmbën dhe dorën. Ndërkohë paraqitje për njohje në ambientet e policisë, kanë bërë dhe shoferi personal dhe gruaja e biznesmenit që administron kompaninë “Omnix Albania”. Gjatë marrjes në pyetje, tre të ndaluarit dhe biznesmeni me inicialet N.J, nuk kanë pranuar autorësinë e krimit, të ndodhur në shtator të 2016 në zonën e Rinasit.

Ngjarja ka si zanafill një konflikt gjyqësor për një sipërfaqe toke në zonën e Gjirit të Lalzit, zonë kjo ku ishte planifikuar të ndërtohej një resort turistik nga kompania e Mitrit “Omnix Albania”.Duke qenë kundër me këtë ndërtim personat e mësipërm sipas policisë kanë ushtruar dhunë ndaj biznesmenit vetëm pak ditë pasi Këshilli Bashkiak i Durrësit dha lejen dhe miratoi sheshin e ndërtimit për kryerjen e punimeve.

Sipas dëshmisë së Faad Mitrit që ka dhënë në prokurorinë e Tiranës dy persona e kishin goditur me sende të forta, kryesisht me një shkop bejzbolli, në pjesët e poshtme të gjymtyrëve në kokë dhe në trup. Kujtojmë që pas dhunimit në kryqëzimin e Laknasit, autorët i bënë thirrje biznesmenit që të largohet nga Shqipëria. Nuk ka kaluar një javë nga ngjarja, Faad Mitri është larguar nga Shqipëria duke u tërhequr përfundimisht nga investimi i tij në zonën e Ishmit. Teksa Miri është larguar, autorët janë liruar dhe mandej prokuroria e Tiranës ka vendosur të pezullojë hetimet.

Padia e trashëgimtarit Pal, Seçuni,që fitoi pronësinë

Një pjesë e sipërfaqes së tokës ku do të ndërtohej resorti nga kompania e Faad Mitrit, pretendohej nga Pal Seçuni se i takon atij, pasi është trashëgimtar i babait, Hill Seçuni. 75-vjeçari Pal Seçuni paditi bashkinë e Durrësit, duke kërkuar prej saj t’i njohë sipërfaqen e tokës prej 45 mijë metra, ku kjo bashki dha leje për resort turistik.

Çështja gjyqësore i ra në atë kohë kryegjyqtares së Durrësit Joana Qeleshi, (që së fundi ka paraqitur dorëheqjen pranë KLGJ-së), punonjëse dikur pranë zyrës juridike së ortakes së Argita Malltezit, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Pas zhvillimit të dhjetëra seancave gjyqësore, dëgjimin e dëshmitarëve dhe njohjen me aktin e ekspertimit të ekspertit Kalo Xhuvani, në 25 mars 2016 gjyqtarja Qeleshi ka vendosur të pranojë kërkesë padinë e 75-vjeçarit duke detyruar bashkinë Durrës dhe hipotekën e këtij qyteti që t’i njohin pronësinë.

Në fakt ky vendim është bërë “molla e sherrit”, pasi persona që qëndrojnë prapa shpinës së 75-vjeçarit, në këtë sipërfaqe kishin ndërtuar dhe një lokal druri, të cilin e shfrytëzonin për qëllime biznesi. Por kjo nuk ishte synimi i tyre, pasi nëpërmjet firmave të ndërtimit, ata kërkonin ngritjen e vilave apo hoteleve në këtë zonë.

Nga ana tjetër qeveria dhe bashkia e Durrësit ka miratuar lejen për kompaninë “Omnix Albania”, duke pretenduar se toka në Gjirin e Lalzit është shtetërore dhe jo private. Mirëpo të kundërtën e kësaj ka vendosur gjyqtarja Qeleshi, e cila me vendimin e saj futi në një spirale pa zgjidhje këtë çështje. Në asnjë rresht të vendimit, nuk përmendej statusi ligjor i asaj prone publike, madje as vendimet e institucioneve shtetërore për zhvillimin e kësaj prone.

Shoqëria “Omnix Albania” kishte bërë gati nisjen e punimeve në ditët e para të muajit Tetor 2016 dhe kjo bëri edhe me agresiv dhe të dhunshëm njerëzit që e pretendojnë këtë pronë, tashmë të njohur dhe me vendim gjykate.

Ndërkohë, lufta për Gjirin e Lalzit është përqëndruar muajt e fundit brenda Kadastrës së Durrësit, ku ka patur edhe arrestime të shumta deri në nivelin drejtues. /Elton Qyno/Shqiptarja.com

Loading...
More in Aktualitet, Dosja X
Lulizm Basha në përpjekje për të futur dy vila në një thes

Close