LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . “Kajmaku” i PD-së është vetë kryetari

“Kajmaku” i PD-së është vetë kryetari

Këputën disa koka në të majtë me ligjin e dekriminalizimit, ku i fundit ishte Kajmaku i Vorës për deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit, por në fund edhe PD prodhoi Kajmakun e vet. As më pak e as më shumë, ai është vetë kryetari i saj, Lulzim Basha.

Ky i fundit është thirrur të shkojë në gjyq për akuzën e falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve” në lidhje me paratë e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një shkrese të dërguar të enjten në selinë e PD nga Prokuroria e Tiranës, llideri i demokratëve njoftohet se ndaj tij kanë përfunduar hetimet për lobimin në SHBA përmes kompanisë offshore Biniata Trade.

Të pandehur në Gjykatë me po të njejten akuzë shkojne edhe Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Nëse provohen akuzat për falsifikim dhe fshehje të financimeve bazuar në nenin 190/3  tre të akuzuarit dënohen me burgim nga 3 deri në 7 vjet.

Çështja e lobimit të PD-së në SHBA

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së në SHBA u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale.

Sipas një investigimi të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”.

Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.

Prokuroria reagoi duke u shprehur se “Ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga PD dhe shpenzimeve reale të saj: PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh.

Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin” – theksohet në deklaratën e prokurorisë.

Sipas saj, nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 mijë dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat PD nuk i ka deklaruar ligjërisht.

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Elisabeta Imeraj që “qendisi” dosjen Tahiri në mbrojtje të Bashës! Akuzon prokurorët: Kanë vepruar me kokë të tyre, hetimet kanë parregullsi

Close