LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Karburantet, nuk rritet çmimi edhe pas hyrjes në fuqi të paketës fiskale

Karburantet, nuk rritet çmimi edhe pas hyrjes në fuqi të paketës fiskale

TIRANE– Në pikat e tregtimit të karburanteve, tabela e çmimit të një litër benzinë apo naftë ende nuk ka ndryshuar. Ajo vazhdon të jetë e njëjtë me atë para hyrjes në fuqi të taksës së re që do të aplikohet për karburantet. As vetë punonjësit e karburanteve ende nuk e kanë të qartë se kur do të ndryshojë çmimi.

Jashtë kameras, punonjësit na thonë se një nga arsyet që ende nuk është rritur çmimi i karburanteve është fakti, se aktualisht ata nuk kanë mbaruar ende rezervat që kishin blerë para se të hynte në fuqi taksa e re e karburanteve.

Qeveria Rama me paketën e re fiskale, vendosi të rrisë me 10 lekë të reja taksën e qarkullimit si për naftën ashtu edhe për benzinën.

Deri para datës 1 janar 2014, kjo taksë ka qenë fikse si për naftën ashtu edhe për benzinën, 7 lekë për litër. Me vendimin e ri të qeverisë ajo do të shkojë në 17 lekë për litër. Por nëse fusim edhe tatimin mbi vlerën e shtuar, atëherë rritja finale për çdo litër naftë apo benzinë që do të paguajnë konsumatorët është 12 lekë për litër.

Por pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, në vendin tonë çmimi i karburanteve njeh vetëm rritje. Sipas një raporti të Bankës Botërore në Shqipëri, çmimi i karburanteve është shtrenjtuar më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit, përgjatë 3 viteve të fundit.

Më konkretisht, sipas Bankës Botërore, që nga viti 2010 deri në vitin 2012 çmimi i naftës në vendin tonë është rritur me afro 28%. Kjo rritje është më e lartë se mesatarja rajonale që për të njëjtin interval kohor ishte 19.5% ndërsa rritja e çmimit mesatar në nivel global, ishte vetëm 18.9%.

Po ashtu, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se vitin e kaluar Shqipëria dhe Serbia kishin çmimin më të lartë mesatar të naftës në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht me 1.79 dhe 1.8 dollarë amerikanë për litër. Vendet e rajonit me çmimet më të lira të naftës ishin Maqedonia me 1.55 dollarë për litër dhe Kosova me 1.6 dollarë për litër.

Loading...
More in Ekonomi
Akciza, sot 1 janari ja tabela me çmimet e reja

Close