Home . Opinione . Kartëvizita e “rojes detare” Sali Berisha

Kartëvizita e “rojes detare” Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar dje një shkrim-status në Facebook përmes të cilit teksa replikon me kryeministrin Edi Rama për negociatat me Greqinë, shtron disa pyetje që sipas tij e kapin mat qeverinë aktuale në marrëveshjen e re për detin. Berisha thotë se Edi Rama i ka njohur Greqisë të drejtën e 12 mijeve det territorial ndërkohë që një gjë të tillë, nuk ja njeh as Italia dhe as Turqia.

Berisha autorizon veten për një ngatërresë të qëllimtë, për shkak se Greqia me Italinë e kanë nënshkruar marrëveshjen e delimitimit të ujërave që në vitin 1977, pra 5 vjet përpara sesa të hynte në fuqi Konventa e Montego Bay, që normon 12 miljet si e drejtë sovrane për shpalljen e detit territorial.

Berisha nuk thotë nëse Italia ka të drejtë ta kundërshtojë këtë shpallje të Greqisë, ndërkohë që duhet të sqaronte se mbi cilat kritere Shqipëria mund ta bëjë edhe ajo një gjë të tillë, kur këtë e përcakton Konventa. Në Udhëzuesin e Lundrimit të vitit 2016, botim zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se ujërat territoriale shqiptare janë 12 milje detare gjatë gjithë bregdetit të saj, kurse nga ato shtrihen mes bregdetit shqiptar dhe atij grek kjo distancë nuk aplikohet.

Shqipërisë nuk ja ka kontestuar askush shpalljen prej 12 miljesh detare që ia rezervon Konventa, ndaj Berisha duhet edhe këtu të sqarojë se si do të kundërshtohet e drejta e Greqisë për të njëjtën gjë?

Në raport me Turqinë, Berisha thjesht gënjen hapur pasi siç dihet publikisht, Turqia nuk është anëtare e Konventës së Montego Bay dhe nuk pranon të njohë rregullimet që rrjedhin prej saj.

Po kështu, është e vërtetë që Greqia ka deklaruar deri më tani se ka 6 milje det territorial, por që nga viti 1931 për efekte të kontrollit të hapësirës ajrore ka ushtruar të drejtën e 10 miljeve det territorial dhe askush nuk e ka kontestuar. Ky shënim vihet ndër të tjera në studimin e posaçëm të Komisionit Europian për këto çështje:

Berisha flet po ashtu për faljen e detit sepse në Jon ndodhen fushat më të mëdha të gazit në Mesdhe. Në fakt kjo nuk është e vërtetë. Hiperbola autosugjestionuese është një nga lodrat e zakonshme të Berishës. Rajonet më të mëdha në Mesdhe janë baseni Levathian dhe Tamar në Izrael dhe Zohr në Egjipt.

Sa për Greqinë, basenet kryesore detare për naftë dhe gaz janë në Egje, në Prinos dhe Epsilon, ndërkohë që zhvillohen kërkime në Kretë dhe në detin Jon, 30 km në Perëndim të Korfuzit, ku operojnë kompani si Total dhe Energean.

Duhet thënë se mbi këtë rajon janë edhe dy blloqe interesi, blloku 1 dhe blloku 2, ky i fundit përballë bregut shqiptar. Nëse shohim vijat e kërkimit me vijat e përcaktuara nga marrëveshja e vitit 2009, siç është paraqitur në hartat opinionale të Myslym Pashajt, përpiluar mbi koordinatat zyrtare të marrëveshjes së parë që u debatuan edhe me ish-kundëradmiralin Gërveni – me sy të lirë shikohet se zona e interesit për gazin në këtë zonë, i lihej sërish Greqisë. Por ky është spekullim.

Sipas z. Pashaj kjo ndodhi sepse ishujve të Greqisë, Fanosit apo Erikusës të cilëve u jepej vlerë e shtuar, identik si bregdeti kontinental shqiptar përballë. Z. Berisha është treguar i kujdesshëm të mbrojë këtë vendim edhe sot, kur shkruan se:

“Personalisht e kam pranuar metoden e barazlargimit sepse as une dhe asnjeri qe i thote vetes shqiptar nuk mund te pranoje Saranden si gji i madh dhe nuk mund te mohoje se ishujt greke plot ndertesa, shtepi banimi, shkolla etj nuk jane te populluar…”

Nëse shohim paragrafin më sipër, z. Berisha po mbron edhe vendimin sipas të cilit Saranda nuk mund të mbyllej dhe mbi vijën bazë prej saj të veprohej për matje.

Këto janë argumente që duan ekspertizë dhe që ato të marrin apo jo vlerën e vet në kuptim të diskutimit të tanishëm, do të duhet të pritet dokumenti i ri. Që nëse korrigjon këto dy pika të cilat Berishës duket se i djegin, atëherë do të rrëzonte edhe çdo mbrojtje të mëtejshme të paktit  të vitit 2009, që përtej asaj që thotë Gjykata Kushtetuese, do të cilësohej të paktën i keqnegociuar.

Po kështu argumenti i z. Berisha bie ndesh edhe me faktin se në vitin 2009, negociatorët shqiptarë hynë në bisedime pa një ligj për kufirin që ishte shfuqizuar, çka e linte vendin pa një vijë zyrtare dhe ligjore bazë. Një defiçencë që duhet pranuar se ishte serioze.

Thuhet në Udhëzuesin e Lundrimit:

Është e qartë se me argumentin e tanishëm po synohet krijimi i një kauze. Njësoj si në vitin 2009 kur Sali Berisha u akuzua për tradhëti, edhe sot Edi Rama të akuzohet për të njëjtën gjë. Dje ky i fundit pranoi se 300 miljet që u thanë se u falën ishin opinion, opinion që në fakt kultivoi një gënjeshtër.

Sot z. Berisha flet për fusha gjigande me gaz, që as nuk dihet ku janë, për të dalë patjetër nesër me të njëjtin ndryshim, se “gaz nuk kishte. Ai edhe po është, është diku larg…në Kretë”. Do të duhej shumë më tepër për të bindur se një gjë e pistë po luhet, apo se po negociohet keq dhe po shitet gjë.

Në fakt z. Berisha që duket se ja përshtat argumentet e veta, mesatares së ndjekësve në Facebook, nuk ka ndonjë dokument dhe përmbi të gjitha ai mbron vendimin e vet që ndoshta do të diskreditohet nëse qeveria aktuale merr ndonjë metër ujë më shumë.

Marrë me shkurtime nga ResPublica

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Kërcënim “berishian”: Shitja e detit vetëm ashtu siç e bëra unë, ndryshe…! (Video)

Close