LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Komisioni Ekonomisë dhe Financave: “Belle Air” të hetohet për evazion fiskal

Komisioni Ekonomisë dhe Financave: “Belle Air” të hetohet për evazion fiskal

Kompania ajrore “Belle Air” do të kalojë në një hetim intensiv nga ana e qeverisë shqiptare, për evazion fiskal dhe mashtrim të qytetarëve. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi një seancë dëgjimore me ministrat e Financave, të Transporteve dhe Ekonomisë, të cilët kërkuan hetim rigoroz të aktivitetit të kompanisë “Belle Air”.

Shkëlqim Cani, Arben Ahmetaj dhe Edmond Haxhinasto, të thirrur sot për të raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, deklaruan se do të jetë hetimi shtetëror ai që do të zbardhë se ku shkuan paratë e kompanisë.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se kjo kompani kishte 5 vite që nuk paguante taksa. Sipas Canit, “Belle Air” kishte 6 milionë euro taksa për të paguar, për të cilat qeveria, për të mos ndëshkuar pasagjerët, i kishte dhënë mundësinë kompanisë të paguante me këste shumën. Ndërkohë ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se kompania “Belle Air” siguronte 3.5 milionë euro fitim në vit. Kompania, sipas Ahmetajt, gjatë falimentimit shiti në avancë 52 mijë bileta. Kjo kompani, sipas Ahmetajt do të japë llogari përmes hetimit të detajuar. Ai foli edhe për rishikim të ligjit të falimentit. Ministri Ahmetaj theksoi se deri në momentin e falimentit kompania kishte 53 % të tregut ajror. Kompanisë, vuri në dukje Ahmetaj, i ishte kërkuar që të mos priste bileta, por ajo ka vazhduar.

Nga ana tjetër, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, deklaroi se kompania “Belle Air” kishte pozita monopol, por nuk respektonte asnjë kusht. Për ministrin Haxhinasto, kompania nuk përfillte ankesat e pasagjerëve dhe slotet e fluturimeve.

Ministri i Transporteve tha në komisionin e Ekonomisë në Kuvend se qeveria kishte interes që të mos bllokonte kompaninë pasi kishte prerë 52 mijë bileta, ndërsa punësonte qindra njerëz. Sipas tij, kjo kompani nuk ka respektuar dhe nuk ka paguar asnjë detyrim aeroportual. “Belle Air nuk mund të autorizojë kompani të tjera të operojnë në tregun shqiptar, pasi kjo është kompetencë e Autoritetit të Aviacionit Civil”, tha Haxhinasto.
Ai informoi se po monitorohet me vëmendje nga ana e autoriteteve qeveritare rimbursimi i qytetarëve.
Por, ish ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për rimbursimin e qytetarëve.

Kompania Belle Air njoftoi me 25 nentor se, “të ndodhur përballë një situate tejet të vështirë e kemi të pamundur për të vazhduar fluturimet. Arsyet që na çuan në këtë pezullim janë situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, reçesioni në tregjet kryesore ku operojmë, si edhe bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë Belle Air”. Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe kompania Belle Air do të rinisë një proces ristrukturimi për t’u rikthyer së shpejti me shërbime dhe çmime më të lira në tregun shqiptar. Në këtë proçes Kompania Belle Air fton të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj të marrin pjesë për ripërtëritjen e kësaj historie suksesi të biznesit shqiptar. Përfaqësues të Belle Air thanë se “me ndihmën e kompanisë ajrore italiane Blue Panorama, u ofrojmë mundësinë e mbrojtjes nëpërmjet blerjes së biletës me një çmim tarife mbrojtje të të gjithë pasagjerëve me bileta Belle Air, duke filluar nga 25.11.2013 nën markën Low Cost Blu Express të kompanisë Blue Panorama Airlines nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, ofertë që varet nga sasia e vendeve të mbetura në shitje dhe destinacioni i përzgjedhur.

Loading...