LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Komunistët apel Ramës: Legalizo pirjen e hashashit

Komunistët apel Ramës: Legalizo pirjen e hashashit

Kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar, Marko Dajti, kritikoi dje kryeministrin Rama për nismën që ai lançoi në Itali, ku u ofroi investitorëve italianë hapësira me qira 1 euro. Në një deklaratë të bërë dje, kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti u shpreh: “Ne vërejmë me keqardhje se qeveria e re nuk është në gjendje të ofrojë më shumë sesa strategjia e vjetër, çka u pa qartë edhe nga vizita e fundit e kryeministrit Rama në Itali, ku u rikonfirmua teza “Shqipëria një euro”. “Ne mbështesim qëllimin e mirë të qeverisë aktuale për të dalë nga kriza ekonomiko-shoqërore në të cilën e ka zhytur vendin qeverisja e papërgjegjshme e Sali Berishës, por njëkohësisht vlerësojmë se qeveria e re ende nuk ka arritur të përvijojë një strategji eficiente për të rilindur Shqipërinë. Nxjerrja e pasurive kombëtare në ankand është as më shumë as më pak sesa rruga e propozuar dhe e ndjekur nga Sali Berisha, rruga e dënuar nga populli me mbi 1 milion shpulla”, thuhet në deklaratën e Dajtit. “PPR është kundër pazareve të tilla në dëm të popullit shqiptar. I përsërisim edhe një herë kryeministrit se pasuria kombëtare e shqiptarëve nuk ka vlerën e brekëve të Xhevries që shet Diu për një euro te tregu i gabit”, shkruan Dajti, në deklaratën e tij, dje. Sipas tij, “Nëqoftëse nuk ka ‘rilindas’ që t’i japin këshillat e nevojshme për një strategji të re ekonomike, ne e ftojmë t’i drejtohet programit ekonomik të PPR, ku përcaktohet qartë se jo koncesionet, por shtetëzimi dhe vënia në eficiencë e pasurive kombëtare strategjike është rruga që do të rilindë ekonomikisht Shqipërinë. “Në këtë kontekst, – shprehet Marko Dajti, – vënia në shfrytëzim e pasurive nëntokësore nga shteti si minierat etj., me paratë që janë marrë borxh do të garantojë punësimin për shqiptarët dhe 300 mijë vendet e punës të premtuara në fushatë nga ne do të bëhen shumë shpejt realitet.

KANABISI

Marko Dajti i propozon qeverisë së re legalizimin e kanabisit, në mënyrë që kjo të ndikojë në rritjen e fuqisë ekonomike të shtetit. “Për të ulur nivelin e kriminalitetit dhe për të rritur mirëqenien ekonomike, nën shembullin e disa vendeve të tjera të zhvilluara, është e domosdoshme që qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, të ndërmarrë hapin më të guximshëm: legalizimin e kanabisit, edhe kjo një nga pikat e programit parazgjedhor të PPR. Ky hap do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e fuqisë ekonomike të shtetit dhe të fermerëve shqiptarë”, u shpreh kreu i PPR-së. “PPR falenderon në mënyrë të posaçme ‘komisarin politik’ të së majtës shqiptare, kryeparlamentarin Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka shprehur mbështetjen për iniciativat e majta të lançuara nga PPR, sikurse është rivlerësimi i historisë dhe LANÇ. Siç e thamë edhe më lart, brenda së majtës ka kapacitete të mjaftueshme për ta zhvilluar Shqipërinë në majat më të larta dhe janë totalisht të panevojshme negociatat me eksponentë të djathtë si Bamir Topi”, u shpreh dje Marko Dajti. Sipas tij, “qeveria ‘Rama’ ka marrë mandatin për të qeverisur si qeveri e majtë, nëpërmjet një koalicioni të formuar parazgjedhor po prej tij dhe në një rrugë të re politike, jo për të qeverisur si Sali Berisha apo me njerëz të dalë nga stani i tij politik. Mungesën e guximit për të ecur në rrugën e së majtës së vërtetë nuk mund ta zëvendësojnë topet e shfryra të Bamirit”.

Loading...
More in Aktualitet
Indi, përdhunohet 9-vjeçarja, në gjendje kritike për jetën
Close