LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . “Kush nuk shfrytëzon licensën, t’i hiqet”

“Kush nuk shfrytëzon licensën, t’i hiqet”

Licensat koncensionare të hidrocentraleve, të cilat nuk janë zbatuar, Shteti pritet t’i nxjerrë përsëri në konkurim, në mënyrë që t’i fitojnë sipërmarrje të afta për të kryer investime. Ky ishte thelbi i fjalës së ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, prezantimit të Planit të Menaxhimit Mjedisor dhe Social të Projektit Hidroenergjitik mbi Lumin Devoll.

Licensat
Në rast se subjeket, të cilat mbajnë licensa HEC-esh, dhe nuk i vënë në zbatim konkret projektet, do të zhvillohen përsëri konkurse për t’ua dhënë ato subjekteve me qëllime serioze investimi. “Kemi nxjerrë grupin e parë të HEC-eve të cilat nuk kanë bërë asgjë. Ka njerëz që i kanë këto licensa, dhe nuk meritojnë më t’i mbajnë. Le të dalin në konkurim, të tjerët të konkurojnë, kush ka mundësi për të investuar, le të investojë”, – deklaroi ministri Gjiknuri. Nga ana tjetër, kreu i Energjisë deklaroi se ka disa investitorë të tjerë seriozë nga Izraeli, nga Turqia, të cilët po kërkojnë vepra të mëdha energjetike duke parë gjithë potencialin e burimeve ujore që ka Shqipëria dhe integrimin e mëtejshëm të vendit në rrjetet evropiane të energjisë.

HEC “Devoll”
Kreu i Energjisë e ka përgëzuar punën e ndërmarrë për ndërtimin e HEC-it në lumin Devoll, duke e cilësuar atë si një model për t’u ndjekur përsa i përket respektit për komunitetin dhe mjedisin. Investimi për zbatimin e këtij projekti tejkalon shumën 800 milionë USD. “Në fakt, vetëm pak kohë më parë, pata kënaqësinë që edhe me Kryeministrin e Shqipërisë të shikonim kantierin e punës në Devoll, në Banjë. Një punë jashtëzakonisht e madhe, që po bëhet dhe një investim që shkon mbi 800 milion dollarë”, – tha ministri Gjiknuri, duke u shprehur se ky investim mund të jetë më i madhi në Europën Juglindore përsa i përket hidrocentraleve.

Gjithashtu, firma koncensionare ka marrë përsipër të ndërtojë edhe rrugën lidhëse të Banjës me Gramshin, gjë të cilën kreu i Energjisë e ka cilësuar një ndihmë të rëndësishme për buxhetin e shtetit. “Për të shpëtuar financat e qeverisë, koncesionari do të marrë përsipër të bëjë edhe rrugën lidhëse të Banjës me Gramshin, duke i kursyer shtetit shqiptar para të mëdha në këto momente, duke i shtyrë këto shpenzime që mund të realizohen në kohë” – deklaroi ministri Gjiknuri.

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
Mbante eksploziv dhe municione luftarake, arrestohet Keqi

Close