Home . Politike . Listat e hapura: falsiteti i një kërkese të LSI dhe një kujtesë për Ilir Metën në rolin e Vojo Kushit

Listat e hapura: falsiteti i një kërkese të LSI dhe një kujtesë për Ilir Metën në rolin e Vojo Kushit

rejtimi i seancave parlametare me “qetësi dhe dashuri” është tipari dallues i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, në krye të parlamentit të Shqipërisë.  Ka më shumë se tre vite i ulur në atë poltron të rëndësishëm të kryetarit të Kuvendit.  Dikur ajo karrige u bë subjekt i sulmeve të tij të dhunshme. Bëhet fjalë për më shumë se gati nëntë vite më parë kur në një ndër seancat parlamentare ku do të miratohej kodi i ri elektoral, deputetë e LSI-së kundërshtuan ashpër duke shfaqur dhunë në sallën e Kuvendit.

Ndër ta spikati Ilir Meta i cili u nis me yrysh drejt kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke rrëzuar vazo me lule, mikrofonë e çfarë gjente rrugës. Forcat e sigurisë së Kuvendit larguan menjëherë Topallin duke lënë pas Ilir Metën që vazhdonte të shfaqte dhunën e pashoqe në sallën ku supozohet që të sundojë demokracia.

Miratimi i kodit elektoral në vitin 2008 është një ndër pikat kulmore të betejës mes PS-së dhe LSI-së. Kishin kaluar pak javë pas shpërthimit të Gërdecit, një ndër ngjarjet që tronditi ashpër Shqipërinë, por që nuk u bë shkak për rrëzimin e qeverisë.

“Pa asnjë dyshim, unë nuk e kam harruar për asnjë çast se shpërthimi vullkanik i Gërdecit ka ndodhur në vigjiljen e Samitit të Bukureshtit nga ku presim frytin e një përpjekjeje shumëvjeçare për anëtarësimin në NATO. Por, më lejoni të shpreh bindjen time, si qytetar i Europës dhe si kryetar i opozitës së këtij vendi që pret ftesën për në NATO, se kjo është një arsye më shumë që ne t’u tregojmë edhe partnerëve tanë se jemi të gatshëm të vendosim standarde morale e të marrim përgjegjësi politike dhe ligjore si anëtarë të denjë të familjes euroatlantike. Dorëheqja e Kryeministrit dhe e ministrit të Mbrojtjes do të ishin një kontribut i çmuar për të marrë ftesën, e kundërta do të ishte krejt jashtë parafytyrimit të partnerëve tanë e do të trashte në ditët në vijim një zullum që ende nuk ka filluar të shfaqet në sytë e mbarë opinionit publik”, kështu tha Edi Rama në deklaratën e tij për shtyp në mars të vitti 2008, fill pas shpërthimit të Gërdecit. Në atë kohë ishte kryetar i opozitës dhe në pushtet ishte PD me kryeministër Sali Berishën.

U duk të ishte momenti i artë për opozitën për të rrëzuar qeverinë “Berisha”. Por jo! Kritika plot politesë e kryetarit socialist, sigurisht që shokoi një pjesë të mirë të anëtarëve të PS-së, që këtë ngjarje ishin mësuar ta përkthenin menjëherë në ndërrim pushteti.

Gjithashtu ishte diçka e pazakontë edhe për kundërshtarët e tij politikë të PD-së, të cilët kishin treguar tjetër reagim në shtatorin e ’98-ës, ose në janarin e 2004-ës.

Situata e re politike u kthye në një sprovë të re për Ramën. A do të vazhdonte bashkëpunimin me mazhorancën përpara anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kur mbetej rreth një vit kohë? A mund të quhej kjo lëvizje e kryetarit të PS-së konservim i fitores për zgjedhjet që afronin?

Gjatë vitit elektoral, PS dukej kompakte, por beteja brenda së majtës, në frontin me LSI-në ishte ashpërsuar. Ishte koha kur  kishte nisur puna për reformën elektorale si një kusht i vendosur nga ndërkombëtarët e si një mundësi për të kryer zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Partia Socialiste në bashkëpunim me Partinë Demokratike krijuan komisionin bipartizan për ndryshimet në kodin zgjedhor. Në 21 prill 2008, dy partitë kryesore, PS e PD, miratuan ndryshimet në Kushtetutë, të cilat mundësonin një sistem të ri zgjedhor, proporcional rajonal. Një sistem që nuk u kundërshtua në thelb nga LSI-ja. Kundërshtimet e LSI-së ndaj PS-së, por edhe PD-së, lidheshin me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partia Demokratike ia la në dorë PS-së që të gjejë forumulën e përfaqësimit në KQZ të së majtës, dhe LSI mbeti jashtë saj. Ky ishte edhe shkaku që acaroi së tepërmi marrëdhëniet midis PS-së dhe LSI-së. Ndërkohë, marrëveshja e shkurtit 2007, kur LSI mbështeti PS-në dhe hynë bashkë në zgjedhje, kishte pësuar çarje më parë. Por miratimi i ndryshimeve në Kushtetutë dhe më pas miratimi i Kodit Elektoral, u dha fund të gjitha mundësive për të rikuperuar këto marrëdhënie.

Ilir Meta bashkë me 10 deputetë të tjerë të LSI-së dhe PDK vendosën të hyjnë në grevë urie më 10 nëntor të vitit 2008, pak ditë para se të miratohej në Kuvend kodi i ri elektoral, për të cilin LSI-ja kishte rezerva. Greva zgjati rreth nëntë ditë dhe Meta bashkë me 10 deputetët e tjerë e ndërprenë grevën pa përfituar asgjë. Pas këtij momenti nisi një betejë e ashpër politike midis PS-së dhe LSI-së. Kulmi i acarimit midis dy partive të majta arriti në fillim të vitit 2009 e deri në zgjedhje, kur nëpërmjet një fushate të pazakontë, PS-ja e LSI-ja po i “grabisnin” elektorat njëra-tjetrës. Kalimi i anëtarëve të LSI-së te PS-ja dhe anasjelltas u kthye në një rit të zakonshëm, që në mënyrë spektakolare, pasqyrohej në media si një vrull i madh lëvizjesh, a thua se njëra apo tjetra parti do të shuhej, qysh të nesërmen e ikjes së disa anëarëve. Kështu vazhdoi kjo betejë deri në zgjedhjet e 28 qershorit.

Sot pas më shumë se tetë vitesh, drejtuesit e LSI-së i janë kthyer betejës së hershme për kodin elektoral. Ata janë shprehur kundër listave të hapura, ndërkohë që PS refuzon të diskutohet kjo çështje. Megjithatë, duket se kërkesa e LSI-së është më shumë një pretekst për të krijuar debat me aleatin PS se sa nevojë për të demokratizuar partitë politike. Si me lista të hapura ashtu edhe të mbyllura, demokracia brenda LSI-së nuk ndryshon. Kryetari është autoriteti absolut prej nga varet karriera e secilit. /tesheshi.com/

Mos Humbisni:
Janë nxeh shqiptarët e Shqipërisë nëse nuk lirohet Ramushi do të fillojë Lufta e Tretë Botërore

Close