LAJMI I FUNDIT
Home . Metro . Llazi Sërbo, aktori sharmant dhe shpirti delikat i karaktereve të fuqishme interpretuese

Llazi Sërbo, aktori sharmant dhe shpirti delikat i karaktereve të fuqishme interpretuese

Më 9 mars të vitit 1945 u lind në qytetin e Korçës, Llazi Sërbo. Ai ishte një ato aktorë, emri i të cilit lidhet me artin skenik, ashtu sikurse mbetet i mishëruar me pasionin dhe shpirtin e tij të ndjeshëm. Llazi Sërbo ishte pjesë e asaj kaste aktorësh korraçarë, të cilët pasuruan artin e aktrimit shqiptar dhe shkruan një faqe lavdie në historinë e qytetit të tyre të traditave.

Llazi Sërbo edhe pse kishte një repertor modest në numër ballafaqimesh skenike dhe aktoriale, rolet e tij janë të spikatur, janë identitete të sjella me një origjinalitet dhe puls interpretues të admirueshëm. Po të studiosh me syrin e një qëmtuesi symprehtë dhe psikologjik, karakteret që ai solli, arrin të konstatosh se edhe ai vetë kishte diçka të përbashkët me ta, diçka impulsive që zgjoi dhe përfshiu me pasion aktorin dhe vetveten në këto role. Ai pak a shumë solli në skenë dhe në film dhe më vonë si asis/regjisor, jetën e tij, nxori në dritë të fshehtat e psikologjisë dhe personalitetit që ai mëtonte, shpirtit të pasur ndjenjave rrapëllitëse. Ndoshta më shumë se askush, për forcën e tij përjetuese dhe gjendjeve, dëshmojnë personazhet që ai luajti, karakteret dhe tipat që ai skaliti me përgjegjësi të lartë aktoriale . Një përzirje mes një humaniteti të brishtë dhe tepër të ndjeshëm dhe një identiteti eksplodues, një brendësie përshkënditëse, si vetë vezullima e syve të tij që shkëlqeu deri 13 shtatorin e vitit 2010, e konturojnë njeriun që zgjodhi t’i jepte fund jetës me një vetëvrasje.

Llazi Sërbo pati një jetë dhe një vepër që mbrujti tek ai, jo vetëm një aktor e karaktereve të veçanta, por edhe njeriun e bartur shpirtërisht. Ndjenjat e tij prej zjarri patën të njëjtin fat, të vetë zjarrit, zjarrit ku ai u dogj për t’u shndërruar një hi, hi që e ngre këtë sfinks në përjetësim ndërmendës, si shembullin e patëdytë të njeriut dhe artistit.

Rrugëtimi

Në vitin 1965, Llazi Sërbo konkuroi në Institutin e Lartë të Arteve për dramturgji. Pandi Stillo ishte i pari që do të zbulonte te shpirti i tij talentin e lindur. Kur ishte në vit të tretë të studimeve. Regjisorja Drita Agolli i besoi rolin e Klestakovit, te komedia “Prefekti” të Gogolit, ndërsa mbrojtjen e diplomës do ta realizonte mes artistëve të shquar të Teatrit Popullor. Me të përfunduar studimet, në vitin 1970, ai u kthye në teatrin e Korçës, ku Mihal Luarasi do t’i besonte role të mëdha. Nisi karrera e tij artistike me “Njollat e murme” të Minush Jeros. Nuk do të vononte shumë dhe ai do të shndërrohej një ndër artistët më të kërkuar nga regjisorët e filmave. Viktor Gjika në vitin 1972 do t’i besonte rolin e Dajlanit te filmi “Yjet e netëve të gjata”. Pas këtij realizimi të sukseshëm do të vinin filma të tjerë, si Operacioni “Zjarri”,(1973), “Shembja e idhujve”, (1977), “Nusja dhe shtetrrethimi”,(1978), “Gracka”, (1983), “Kush vdes në këmbë”, (1984), “Dasma e shtyrë”, 1985, “Tre njerëz me guna”, (1985), “Asgjë nuk harrohet”,(1986) etj. Llazi Sërbo po shndërrohej një nga artistët më të dashur të njerëzve. Rolet e tij kishin mbetur të paharrueshme. Në vitin 1983, ai do të transferohej përfundimisht në Tiranë si asistent regjisor i Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku do të qëndronte deri në vitin 1993.

Në vitin 1991 do të realizoje skenarin dhe regjinë e filmit “Kush e solli Doruntinën” bazuar mbi novelën e shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare,

Karpërcyelli

Është periudha pas vitit 1993, kur, për shkak të mbylljes së Kinostudios ku pati një përvojë disavjeçare si asistent regjisor, u kthye në qytetin e lindjes për të bërë teatër qoftë me “Andon Zako Çajupin” qoftë me projekte të lira. Dokumentari përfshin fragmente nga “Opera për tri grosh” i B. Brehtit, aty Sërbo shfaqet edhe aktor në rolin e Mek Thikës; nga “Pesha e paqes” e Shpëtim Ginës, ka imazhe nga turneu në Rusi, në Festivalin Ballkanik, ku shkoi me shfaqjen “Gosti në kohë Kolere”, triptik nga Pushkini, dhe disa momente pune të tijat me grupin e xhirimit të monodramës së fundit që vuri në skenë, “Sirius” i Dostojevskit.

Fundi i paralajmëruar

“Do të vdes si Bekim Fehmiu”, pak a shumë kjo kishte qenë deklarata që aktori kishte thënë. Nuk ka rëndësi se në çfarë situatash dhe pozitat inpiruese e shtyn atë të paralajmëronte këtë lloj fundi, fakt mbetet se ai, ikje të tillë zgjodhi. Vetëm lloji i armës ndryshonte nga ai që përdori për t’i dhënë fund jetës i madhi i skenës botërore, Bekim Fehmiu, 15 qershorin e vitit 2010. Llazi Sërbo i dha fund jetës duke përdorur një armë gjueti që dispononte.

Sesilia Plasari kujtonte ndoshta një etapë të trishtë të aktorit dhe asis/regjisorit, Llazi Sërbo “Në pjesët që arriti të vinte në skenë ai bënte vetë dramatizimet, regjinë, ndonjëherë edhe skenografinë e kostumet dhe nuk arriti pothuajse kurrë ta paguante sadopak vetveten se fondet ishin qesharake dhe asnjëherë ato që i premtoheshin. Vdiq me projekte interesante, disa të dorëzuara e disa të pambaruara, të cilat unë dhe miq të tjerë të tij i kemi “parë” në një farë mënyre, ngaqë nuk pushonte së foluri për to. Por ato nuk patën e nuk do kishin asnjë shans të realizoheshin. Ai nuk u kuptua, nuk u vlerësua nga ata që e kishin në dorë ti jepnin mundësinë të krijonte.”

Fundet janë gjithnjë të trishta, siç mbeti i tillë dhe mbarimi i Llazi Sërbo, por ajo çfarë ai bëri, çfarë ai dha ashtu me përkushtim janë gjurmë sakrifice, me të cilat njerëzit e veçantë dhe krijuesit, lënë në kujtesën e kohës si dëshmi e gjallë e asaj që i përjetëson ato./Nga Albert Vataj

Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close