LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Loja e rrezikshme e qeverisë me Bankers Petroleum

Loja e rrezikshme e qeverisë me Bankers Petroleum

Insistimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama për t’i mbajtur të bllokuara llogaritë bankare të kompanisë së naftës Bankers Petroleum përkundrejt një vendimi gjykate ndërkombëtare po minon çështjen e shtetit shqiptarë në arbitrazh.

 Autor: Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë

Prej gati dy javësh Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me mbështetjen publike të Kryeministrit Edi Rama, vazhdon të mbajë të bllokuara llogaritë bankare të kompanisë kanadeze të naftës edhe pse gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit ka lëshuar një masë sigurie për zhbllokimin e tyre.

Llogaritë e Bankers Petroluem në Shqipëri u ngrinë nga bankat e nivelit të dytë me 19 nëntor me kërkesë të Tatimeve, të cilat kërkojnë të mbledhin një shumë prej 75 milionë dollarësh, e cila përfshinë 57 milionë dollarë rivlerësim të tatimit të fitimi si dhe gjoba dhe kamatëvonesa.

Tre ditë më vonë Dhoma Ndërkombëtare Tregtare ka lëshuar një masë sigurimi për Drejtorinë  e Tatimeve shqiptare për të hequr pezullimin e llogarive bankare shqiptare të Bankers Petroleum Ltd,  si dhe për të mbrojtur shoqërinë ndaj zbatimit të vlerësimit të shpallur më pare për tatimin mbi fitimin në Shqipëri.

Me gjithë vendimin e gjykatës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Tiranë nuk i ka zhbllokuar llogaritë e kompanisë, e cila ka kërcënuar se do të ndërpresë prodhimin e naftës.

“Bankers është i detyruar të konsiderojë një reduktim deri në ndalim të ​ operacioneve të saj në Shqipëri pasi bllokimi I llogarive bankare do të fillojë të kufizojë aftësinë e saj për të paguar kontraktorët të huaj dhe vendas, mallrat që importon dhe eksportin e naftës,” tha kompania në një njoftim në 30 nëntor.

“Me bllokimin e llogarive të saj bankare shqiptare, shoqëria nuk ka aftësi financiare për të paguar taksat për eksport, çka mund të detyrojë shoqërinë që të reduktojë prodhimin nga fundi i kësaj jave, pasi magazinimi arrin kapacitetin maksimal,” ajo shtoi.

Pas kërcënimit të kompanisë Kanadeze ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Teksa qeveria mirëpret partnerët e huaj apo vendas, pasuritë kombëtare të Shqipërisë janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe as nuk mund të keqpërdoren as mund të përdoren si kërcënim ndaj vendit,” u shpreh Rama.

“Të gjithë kompanitë që punojnë në Shqipëri, qofshin të huaja apo vendase, duhet t’u binden rregulloreve dhe ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare është e vetëdijshme për detyrimin dhe të drejtën e saj që të mos lejojë cënimin e integritetit afatgjatë të pasurive të çmuara të vendit,” shtoi ai.

Bankers Petroleum është akuzuar shpesh si një kompani që fryn qëllimisht investimet e saj në Shqipëri përtej vlerës së tyre reale me qëllim që të deklarojë humbje fiskale dhe rrjedhimisht, të mos paguajë tatim mbi fitimin, i cili, sipas kontratës koncesionare, duhet të jetë 50 për qind e të gjitha fitimeve. Aludohet se Bankers, duke fryrë investimet në Shqipëri, është në gjendje të transferojë fitimet e realizuara nga nxjerrja e naftës jashtë vendit, duke mos paguar tatimin mbi fitimin.

Natyrisht që lufta kundër praktikave të tilla nga ana e qeverisë është e mikpritur. Problemi është se mënyra se si po kryhet kjo luftë dhe aftësia e organeve të shtetit shqiptar për të kryer një luftë të tillë, përmban rreziqe të cilat mund të na kushtojnë shtrenjtë. Në këtë pikë, loja emocionale e llojit “po na grabisin naftën” që po luhet në rrafshin politik, ndonëse e vlefshme nga pikëpamja propagandistike, rrezikon ta rëndojë edhe më tej situatën juridike të qeverisë shqiptare në rastin e një përplasjeje në gjyq arbitrazhi.

Pretendimi se një institucion i njohur si “Avokatura e Shtetit” është e gatshme të përballet me Bankers në arbitrazh, vështirë se mjafton për të na siguruar që vendi nuk do të përballet me ndonjë faturë të rëndë financiare nga kjo mosmarrëveshje.

Bankers Petroleum ekziston në Shqipëri falë një marrëveshjeje koncesionare të nënshkruar nga qeveria socialiste shqiptare në vitin 2004. Kjo marrëveshje koncesionare e bën atë palë me shtetin shqiptar dhe jo subjekt tregtar që i nënshtrohet thjeshtë ligjeve shqiptare apo gjykatave shqiptare. Për shembull, qeveria e shkuar dhe ajo aktuale ka nënshkruar ndryshime në marrëveshjen fillestare në vitet 2009 dhe 2014, për shkak se qe e detyruar nga marrëveshja fillestare. D.m.th, në vitin 2009, qeveria qe në krizë dhe i duheshin më shumë para. Ajo vendosi një rentë minerare në masën 10 për qind të çmimit të naftës së nxjerrë. Ajo u detyrua gjithashtu ta pranojë këtë taksë si kosto të rikuperueshme të kompanisë. Gjithashtu, në vitin 2014, qeveria aktuale ndryshoi sërish taksat duke i rritur ato dhe sërish nënshkroi ndryshime në marrëveshjen hidrokarbure duke i pranuar taksat si kosto të rikuperueshme.

Megjithatë, qeveria vendosi të veprojë në mënyrë paksa kontradiktore së fundmi. Raportohet se autoritetet shqiptare kanë analizuar shpenzimet e Bankers për vitin 2011 dhe kanë dalë në konkluzionin se ekziston një shumë parash e investuar në mënyrë të pajustifikueshme. Në bazë të këtij vlerësimi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka llogaritur tatimfitimi me vlerë 57 milionë dollarë. Ajo ka llogaritur edhe gjoba e interesa mbi këtë shumë duke i kërkuar Bankers 75 milionë dollarë në total.

Bankers raporton se në bazë të marrëveshjes së saj koncesionare, mosmarrëveshje të tilla duhet që fillimisht të sheshohen me negociata mes palëve. Nëse një marrëveshje nuk arrihet me negociata, palët pranojnë një auditues të pavarur për auditimin e shpenzimeve të kompanisë. Muajin e kaluar, Bankers deklaroi se ka arritur marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për të kaluar në hapin e dytë, përzgjedhjen e një audituesi ndërkombëtar të pranuar nga të dyja palët.

Tatimet duket se nuk kanë pritur procedurat dhe kanë shpallur se kanë ndër mend të kërkojnë me forcë 75 milionë dollarët. Duke përdorur procedurat e zakonshme fiskale, tatimet kanë urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të Bankers në Shqipëri. Bankers thotë se nuk mban para në Shqipëri në gjendje të konsiderueshme, rrjedhimisht, Tatimet vështirë se do të marrin gjë realisht në rast se i konfiskojnë llogaritë bankare të kompanisë në Shqipëri.

Por ndërkohë, Bankers thotë se i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit e cila, ka urdhëruar shtetin shqiptar të zhbllokojë llogaritë e kompanisë në Shqipëri deri në shqyrtimin e plotë të mosmarrëveshjeve në gjykatë.

Situata u përshkallëzua më tej këto ditë, kur Bankers deklaroi se Tatimet nuk po e zbatojnë këtë urdhër të gjykatës dhe po vijojnë t’i mbajnë të bllokuara llogaritë.

Qeveria shqiptare, përmes Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe kryeministrit Edi Rama, ka folur për çështjen por pa dhënë shpjegime. Ata nuk kanë komentuar mbi pretendimin e Bankers se ka një urdhër gjykate arbitrazhi për zhbllokimin e llogarive dhe deri tani janë mjaftuar me fjali të tipit propagandistik, të cilat nuk dihet se sa vlerë do të kenë në gjykatë.

Bankers nuk është investitori i parë i huaj me të cilin qeveria shqiptare ka mosmarrëveshje. Për fat të keq, mosmarrëveshje të tilla në të shkuarën nuk kanë ecur shumë mirë për qeverinë shqiptare dhe qeveria aktuale duhet të ketë nuhatur ndonjë gjë nga eksperiencat e veta të së shkuarës.

Mjafton të kujtojmë se CEZ qe një kompani që synonte të bënte biznes në Shqipëri duke korruptuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh shqiptarë, por megjithatë, për shkak të mënyrës thellësisht të gabuar se si qeveria paraardhëse vendosi ta zgjidhë problemin, Shqipëria u detyrua të mbajë humbjet e stërmëdha të akumuluara gjatë veprimtarisë të CEZ në Shqipëri dhe përveç kësaj, të paguajë edhe 100 milionë euro ekstra, përmes kontratës së firmosur nga qeveria aktuale.

Ose mund të kujtojmë rastin e koncesionit të skanimit, për të cilin, qeveria aktuale pagoi gjysmë milioni euro avokat dhe u tërhoq duke pranuar zbatimin e marrëveshjes me kosto prej 210 milionë euro për vendin dhe pa ndonjë përfitim të dukshëm.

Ose më herët, mund të rikujtojmë rastin e General Electric, e cila pati një kontratë me qeverinë shqiptare dhe fitoi 25 milionë dollarë në arbitrazh vetëm për shkak të ekzistencës së kësaj kontrate.

Ose mund të rikujtojmë historinë e konfiskimit të Bankës Kombëtare të Shqypnis në vitin 1945. Ajo bankë qe ndërtuar me një koncesion 50 vjeçar thellësisht të dëmshëm për Shqipërinë në vitin 1926. Vendimi për konfiskimin e saj qe thellësisht i drejtë. Por pati një problem: banka, e cila qe nën pronësinë e shtetit italian në shumicën dërrmuese të aksioneve, i mbante paratë në Itali. Qeveria shqiptare konfiskoi ndërtesat e bankës, ndërsa paratë i mbetën koncesionarit. Kjo nuk kishte shumë lidhje me të drejtën apo padrejtësinë. Kjo qe thjeshtë fakt.

Me këtë eksperiencë, qeveria bën mirë të gjykojë se drejtësia apo padrejtësia ndërkombëtare, është një çështje paksa më e komplikuar se sa propaganda e vlefshme për konsum të brendshëm.

Loading...
More in Ekonomi
Bankers presion qeverisë, mbyll gjysmën e puseve

Close