LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Lulzim Basha shfaqet krah krye-sindikalistit të akuzuar për tjetërsimin e pronave publike

Lulzim Basha shfaqet krah krye-sindikalistit të akuzuar për tjetërsimin e pronave publike

Kreu i PD, Lulzim Basha sot premtoi rritjen e pagës minimale, e thuajse dyfishimin e saj në fund të mandatit të tij qeverisës, gjithnjë nëse do të jetë kryeministër.

Gjithçka normale në premtimet e një politikani që synon të marrë frerët e drejtimit të vendit, e nëse do të realizojë ato premtime do të ishte pozitive.

Por ajo çfarë bëri përshtypje në daljen e tij nuk ishin premtimet, por vendi ku, ose më saktë përkrahë kujt.

Premtimet për paga më të mira për punonjësit u bënë në Kongresin e Sindikatave, të organizuar nga Gëzim Kalaja, kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

Kujtojmë se ky i fundit është i akuzuar si një oligark sindikalist, që ka tjetërsuar pronat publike, duke kaluar në forma të ndryshme pronat që i takonin sindikatës dhe punonjësve të saj, tek biznesmenë të ndryshëm.

Në maj të këtij viti, Top Story zbuloi për publikun se si prona me vlerë mbi 2 miliardë dollarë iu dhanë sindikatave me dekret të vitit 1992, e si pasojë e ligjit numër 8340/1 datë 06.05.1998, brenda ditës ato e gjetën veten pronarë të pasurive marramendëse.

Këtu nis edhe super abuzimi me pronat që duhet të ishin në dobi të sindikatës, e në shërbim të punonjësve. Një prej tyre është edhe hoteli “SANTA KUARANTA”, që dikur shërbente si kamp i punëtorëve.

Si kamp i punëtorëve mbahet mend edhe një godinë në Pogradec, e kthyer sot në një hotel që mban edhe mbiemrin e Gëzim Kalës, “Hotel Kalaja”.
Kushdo që ka shkuar në malin e Dajtit nuk mund të mos i ketë bërë çudi edhe një godinë gjigante e dalë thuajse jashtëpërdorimi. Bëhet fjalë për ish-kampin e pionerëve në Dajt, i cila ka kaluar po në pronësi të BSPSH-së.

Po në zemër të Dajtit ndodhet ish-kampi i punëtorëve, i cili sot është totalisht në shërbim të biznesit privat dhe mban emrin “KING PARK”.

Abuzimet nga sindikalistët janë të pafundme, por ajo që bën habi është përkrahja që ata kanë nga politika dhe ngritja e zërit të punonjësve në rastet kur cënohen interesat personale.

Prania e opozitës krah sindikatave është e pranueshme, por në një kohë kur besueshmëria tek to është në nivele zero, dhe përreth drejtuesve e tyre ka dyshime të forta për abuzime, apo edhe vjedhje, premtimet për rritje rrogash dhe rritje të kushteve të punës duken qesharake.

Pra pyetja që lind është se përse kryeopozitari Basha, i cili premton rritjen e mirëqenies për shqiptarët, shfaqet përkrahë kryesindikalistit Kalaja, që nuk ka mbrojtur kurrë interesat e punonjësve, por vetëm të xhepit të tij.

Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close