LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Mallrat e blera online jashtë nën 20 mijë lekë s’paguajnë doganë

Mallrat e blera online jashtë nën 20 mijë lekë s’paguajnë doganë

Blerjet me karta bankare në internet të mallrave nga jashtë vendit lehtësohen tani e tutje nga një Vendim i Këshillit të Ministrave, që u miratua dje. Sipas këtij akti, që do të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare, duhet të paguhet taksë doganore për mallra me vlerë mbi 20.000 lekë, ndërkohë që deri tani taksoheshin pakot me vlerë nga 10.000 lekë e sipër.

Vendimi
Qeveria ka vendosur dje që në Vendimin nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëjë amendimin e mëposhtëm: “Mallra me vlerë të papërfillshme do të thotë: mallra, vlera përmbledhëse e të cilave nuk i kalon 20.000 lekë për çdo dërgesë”.
Kështu, të gjithë ata që blejnë on-line, duke përdorur kartat e kreditit dhe transfertat në internet dhe të cilëve u vjen produkti me postë nga jashtë vendit, do të paguajnë taksë në rast se vlera e mallit do të kalojë 200 mijë lekë të vjetra dhe jo më 100 mijë lekë si më parë.

Ndryshimi
Ndryshimi ishte propozuar nga Ministria e Financave. Ky propozim u bë pas ankesave për shumën e ulët prej 10 mijë lekësh, mbi të cilën marrësit e porosive duhet të paguanin taksa.
Dukuria e blerjeve online është shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Posta Shqiptare, në vitin 2013 janë dërguar 265 mijë pako nga jashtë, nga 145 mijë që erdhën në vend në 2012-n. Ndërsa vetëm në tremujorin e parë janë dërguar 93 mijë pako nga jashtë. Efekti në buxhet i kësaj lëvizjeje është minus 30 milionë lekë në vit, theksohet në relacionin shoqërues të VKM.

Tregu on-line
Përdorimi i kartave të kreditit rezulton të jetë rritur përgjatë vitit 2013, sipas statistikave të publikuara nga Shoqata e Bankave. Në dhjetor 2013, kishte 64,400 karta krediti në përdorim, në rritje me 31% në raport me një vit më parë. Volumi i transaksioneve me karta në dhjetor 2013, sipas Shoqatës së bankave ishte 13.5 miliardë lekë, nga 12.5 miliardë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa numri i transaksioneve online u dyfishua në rreth 50 mijë për të njëjtën periudhë. Blerjet online kryhen kryesisht për produkte jashtë vendit (është kthyer në tendencë porositja e produkteve jashtë vendit, sidomos në SHBA me çmime të favorshme), apo blerja e biletave të avionëve, ndërkohë që në tregun e brendshëm operatorët që shesin online (123.al. tag.al, ebuy.al, grepi.al) pohojnë se shitjen online janë të ulëta, ndonëse tendenca është në rritje.

Por, në raport me Europën, përdorimi i kartave të kreditit në Shqipëri në total është shumë i ulët. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, Shqipëria ka numrin më të ulët të përdorimit të kartave për frymë në rajon, me vetëm 0.24 karta për frymë, nga 1.41 që është mesatarja për shtetet e Bashkimit Europian. Megjithatë, kohët e fundit po intensifikohet së tepërmi blerja e produkteve të luksit, por edhe e mallrave të ndryshme, që shpesh vijnë nga jashtë më lirë dhe me cilësi më të mirë se të njejtat që mund të gjenden në tregun e brendshëm.

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
SHBA mbyll përkohësisht ambasadën në Jemen

Close